2011-02-21 18:54:02

Revolta në vendet arabe: 5 të vdekur në Marok, një në Jemen


(21.02.2011 RV)Nuk ndalet protesta në Afrikën e Veriut e në Lindjen e Mesme. Dje në Marok u zhvilluan manifestime të mëdha paqësore, me përjashtim të veriut, ku pati probleme e viktima. Në Al Hoçeima humbën jetën 5 vetë, në Marrakesh e në Larake 128 plagosur, prej të cilëve 115 policë. Në burg, 120 vetë. Ministria e Brendshme flet për “provokatorë”.
Vazhdojnë protestat edhe në Jemen. Dhjetra mijëra vetë sot në Saada, në veri të vendit, manifestuan duke kërkuar rënien e regjimit të presidentit Ali Abdallah Saleh. Një protestues mbeti i vrarë duke e çuar në 12 numrin e viktimave. Nga ana e tij, presidenti jemenit deklaroi se nuk do ta lerë postin, përveçse me zgjedhje.
Ndërkaq, nuk dihet mirë fati i presidentit tunizian, Ben Ali. Tunizi i ka kërkuar Arabisë Saudite ta informojë për gjendjen e tij shëndetësore dhe ka kërkuar ekstradimin. Përsa i përket Bahreinit, sekretarja amerikane e shtetit, Hilari Klinton përshëndeti “dialogun me popullin”, filluar nga autoritetet.
Në Algjeri, tre të papunë i kanë vënë zjarrin vetes në shenjë proteste, duke e çuar në rreth 30 numrin e personave, që kanë bërë këtë gjest të dëshpëruar, gjatë javëve të fundit. Në Egjipt, protestuesit janë zëvendësuar me ushtarakë e policë të forcave të rendit, të cilët manifestojnë, pasi janë pushuar nga puna.








All the contents on this site are copyrighted ©.