2011-02-21 17:30:08

Koncistori për shenjtërimin e don Guanelës, imzot Konfortit e motrës Rodriguez de Kastro: do të shpallen Shenjtorë më 23 tetor 2011.


(21.02.2011 RV)Sot paradite, gjatë kremtimit të Orës së gjashtë, Papa mbajti Koncistorin e zakonshëm publik, kushtuar tri çështjeve të kanonizimit apo të shenjtërimit. Tre të Lumët, që do të shpallen shenjtorë më 23 tetorin e ardhshëm, janë: imzot Guido Maria Konforti, themelues i misionarëve Saverianë; rregulltarja spanjolle, Bonifacia Rodriguez de Kastro, themeluese e Kongregatës së Misionareve, Shërbëtore të Shën Jozefit dhe don Luigji Guanela. Të tre jetuan ndërmjet shekullit XIX e XX.RealAudioMP3
“Venerábiles Fratres, opportunitátem iam sínguli perpendístis Beátos Guidónem Maríam Conforti, Aloísium Guanella, et Bonifátiam Rodríguez de Castro in Sanctórum número censéndi...
“Je ti, o Zot, shpresa ime! Shpresa ime, je, o Zot, qysh prej rinisë!”: ky fragment i shkëputur nga Psalmi 70, lexuar në Orën e mesme, pëmbledh mrekullisht mirë, të përbashktën e tre shenjtorëve: besimin e patrandshëm në Zotin!

Regulltarja spanjolle, themeluese e Kongregatës së Misionareve, Shërbëtore të Shën Jozefit, lindi në Salamankë, në vitin 1837, në një familje të përvuajtur zejtarësh. Ajo vetë e fitonte bukën e përditshme duke punuar kordonë. Si kishte fituar një përvojë jashtëzakonisht të çmuar në këtë fushë, themeloi Kongregatën për mbështetjen e grave punëtore. Projekt i guximshëm, që u kundërshtua menjëherë nga kleri dioqezan. E përbuzur deri nga simotrat, nuk iu përgjigj përbuzjes me përbuzje, por vijoi të jetonte në heshtje e harresë të plotë, duke ia besuar Krishtit vuajtjet e zemrës së lënduar. Vetëm pas vdekjes, në vitin 1905, shpifjet kundër saj u bënë hi e pluhur e ajo u njoh si grua guximtare që, duke përballuar pengesa, gati të pakapërcyeshme për shpirtin delikat të një gruaje, pa krah e pa mbështetje, kishte vijuar të ecte në rrugën e shenjtërisë. Me bindjen se nuk ishte kurrë vetëm: me të ishte vetë Zoti!”

Në këtë rrugë eci edhe i Lumi Luigji Guanella, Shenjt i bamirësisë, i mirënjohur në Italinë e shekullit XIX, gjithnjë përkrah nevojtarëve e të gjymtuarve, siç na e përshkruan, në mikrofonin tonë, Postulatori i çështjes së shenjtërimit, don Mario Karrera:

Përgjigje: - Figurë vërtet e madhe në jetën e tij, e jo vetëm sepse themeloi dy kongregata, “Shërbëtorët e bamirësisë” dhe “Bijat e Shën Marisë së Provanisë”, por kryesisht sepse qe njeri vërtetë i madh, që arriti t’i japë përgjigje, deri në kufijtë e së pamundurës, rënkimit të njerëzimit të vuajtur, duke bërë që vuajtjet e të mjerëve, të dëgjoheshin deri nga veshët e shurdhër të qeverive e të qeveritarëve. Prandaj mund të themi se shenjtërimi i tij nuk është festë vetëm për bijtë e Shenjtit, por është festë e gjithë të varfërve, të cilët i vë në qendër të vëmendjes së mbarë botës, ashtu si pati bërë dikur don Guanela. Kështu vijon t’u përgjigjet të gjithë atyre, që kërkojnë e gjejnë ndihmë me ndërmjetësinë e tij, me fjalët “Është Zoti ai, që bën gjithçka”.

Figurë e ndritur edhe ajo e Shën Gjovani Maria Konfortit. Për rëndësinë e këtij shenjtërimi, na flet atë Rino Benxoni, epror i përgjithshëm i Misionarëve saverianë, themeluar nga Shenjti:

Përgjigje: - Përtej kremtimit, dëshirojmë që ky kanonizim t’i shërbejë Kongregatës për të thelluar frymën e shenjtërisë e të veprimtarisë misionare, ndërsa Kishës italiane e asaj universale, për të rizbuluar misionin e kumtimit të Ungjillit në gjirin e mbarë popujve të botës, deri në skajet më të largëta. Ky është impenjimi ynë themelor këtë vit, sepse themeluesi ynë, i thirrur nga Papa për të kryesuar Kishën e Ravenës, si bari i saj, në radhë të parë ishte meshtar e themelues i një Kongregate misionare. Askush nuk mund ta quajë veten meshtar, e aq më pak ipeshkëv, në se nuk mendon për ungjillëzimin e mbarë botës, sepse ipeshkvi nuk shugurohet vetëm për dioqezën e vet, por për mbarë njerëzimin. Me moton, që na e kujtoi Gjon Pali II: “Misionari, për të qenë vërtet i tillë, duhet të jetë shenjt”.







All the contents on this site are copyrighted ©.