2011-02-21 17:40:58

Gjithnjë e më dramatike gjendja në Libi


(21.02.2011 RV)Gjithnjë e më dramatike gjendja në Libi, ku vazhdojnë protestat, me sulme kundër selisë së Parlamentit, Pallatit Qeveritar e ndërtesave të tjera publike. Mijëra manifestuesve, që nga Bengazi e kanë zhvendosur revoltën në Tripoli, u janë shtuar edhe ushtarët. Sipas bilanceve, akoma të përkohshme, viktimat janë nga 300 në 400 vetë.
Nuk dihet fati i Muhamar Gedafit, për të cilin disa thonë se është në Tripoli, të tjerë në Venezuelë. Dje, i biri, Saif al Islam premtoi në televizion reforma e ndryshime në kushtetutë, por njerëzit vazhdojnë protestën. Të huajt, duke përfshirë edhe firmat e mëdha për nxjerrjen e naftës, po largohen me shpejtësi nga vendi, ku rritet rreziku i luftës civile. Interneti dhe komunikimet me telefon janë ndërprerë në shumë zona të Libisë e fiset libike, njëra pas tjetrës, po deklarohen kundër Gedafit. Madje edhe krerët islamikë kanë theksuar se revolta kundër Gedafit është detyrë e çdo myslimani. Ministri i Drejtësisë dha dorëheqjen, pasi nuk është dakord për shtypjen e protestave me dhunë. Çfarë kërkon rinia, që edhe në këtë vend arab, ka marrë në dorë organizimin e manifestimeve? Të dëgjojmë mëkëmbësin apostolik të Tripolit, imzot Gjovani Inoçenco Martineli:RealAudioMP3
Libia nuk është vend i varfër si Egjipti, apo Tunizia. Populli ka kërkesa të drejta e ato janë themelore sidomos për të rinjtë: të kenë një shtëpi, një pagë më të mirë, një vend pune. Janë të gjitha kërkesa, që Libia mund t’i plotësojë, pasi i ka mundësitë ekonomike. Këtu qëndron kriza e të rinjve, të cilët shohin një vend që mund të bëjë diçka, por nuk i ndihmon. Vetëm se të rinjtë po i bëjnë këto kërkesa përmes dhunës e kjo nuk është rruga e drejtë.
Si i përjeton Kisha në Libi këto çaste tensioni?
Përsa i përket Kishës, nuk ka probleme të veçanta. Kemi vështirësi në Bengazi, ku janë murgeshat, që punojnë nëpër spitale. Edhe meshtarët nuk janë larguar nga vendi e kemi edhe të krishterë, sidomos filipinas. Të gjithë kanë qëndruar aty e derisa të jetë e mundur, duan të vazhdojnë shërbimin për popullin libik. Janë vetëm dy bashkësi murgeshash në Beida, 200 km nga Bengazi, me të cilat nuk arrijmë të komunikojmë, pasi nuk funksionon më as interneti, as telefoni.
Cila është rruga për zgjidhjen e problemeve, sipas jush?
Është e vështirë të përcaktosh një rrugë. Ne dëshirojmë – dhe duam me gjithë zemër – një formë pajtimi, në mënyrë që populli libik të marrë atë çka është e drejtë. Këtë krizë unë e quaj krizë brezash: ka shumë të rinj që kanë nevojë për shtëpi, për punë, etj… Por kanë ndërmarrë rrugën e dhunës e kjo nuk është mirë. Është e rëndësishme të fillojë faza e dialogut ndërmjet palëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.