Atë Anton Harapi (1888-1946): gur themelit i nji Shqipnije ende të parealizueme
Në çdo përvjetor të zhdukjes së tij tragjike, kujtojmë Atë Anton Harapin, si nji prej
figurave ma të ndritshme që ka nxjerrë Kisha katolike shqiptare në shekullin e kaluem.
Jetës së tij kuptimplote në shërbim të atdheut dhe të fesë, atëherë kur Shqipnija
po tronditej prej themeleve, ai i dha ma të naltin kuptim me vdekjen e tij. Atë
Anton Harapi qe ma së parit nji bari shpirtnash që udhëhoqi grigjën në kushte jashtëzakonisht
të vështira, tue e dashtë dhe tue e ndriçue popullin me dritën e fesë dhe të dijes.
Mjafton me lexue kryeveprën e tij «Andrra e Pretashit» për me kuptue dashuninë e tij
të kulluet për njerzit, përkushtimin e tij deri në vetëmohim. Mund të thona se jeta
e tij nuk njohti tjetër gëzim përposë shërbimit baritor dhe pedagogjik, lamije këto
ku ai shkriu jetën e vet. Si pedagog Atë Anton Harapi solli me vete prej studimeve
të kryeme jashtë, metoda dhe ide të reja bashkëkohore, të cilat, të shkrime me karakterin
e tij burrnor, me dhantinë e përshkimit të shpirtnave, me forcën e vullnetit, bane
që ai vetë të kthehej në nji shkollë dashunije dhe shejtnije për qindra të rinj e
të reja. Si konferencier ai nuk u kursye tue drejtue njerëzit me fjalën e tij,
e cila shpaloste nji oratorí të lakmueshme. Në vitet ’30 mbajti në Korçë konferencat
e tija të famshme që u botuen me titullin “Vlerë shpirtërore”. I botoi tosknisht,
tue diftue kështu se nuk gjente vend tek ai asnji hije fanatizmi të damshëm në lidhje
me gjuhën, e cila, sado vlerë të ketë, mbetë gjithsesi nji mjet komunikimi që i duhet
përshtatë rrethanave. Si atdhetar, shpirti e tij i kulluet dhe autoriteti i tij
moral, ndahet në shenj ndër figurat e shqueme të françeskanëve, bashkëudhtarë të tij.
U diftue i ethshëm si puntor i çlirimit dhe i mbrojtjes së trojeve tona në agun e
pamvarsisë, shfaqi matuní demokratike në fillimin e viteve ’20, kur me grupin «Ora
e Maleve» çoi përpara nji ide të re në gjinin e kalbun të politikës shqiptare. Nuk
ngurroi me e sakrifikue emnin e mirë të vetin, atëherë kur vendi po zhytej në anarkinë
vllavrasëse që pasoi 8 shtatorin 1943. Nderin dhe fatin e Shqipnisë i vuni përmbi
vetveten, tue u ba kështu nji shembull i kotë për nji plejadë zgaçash të përbuzshëm
që do ta zvetonin Shqipninë prej 1944 deri më sot. Dita e pushkatimit të tij përkon
me ditën e rrëzimit të statujës së Enver Hoxhës. Atë ditë të kobshme të vitit 1946,
do ta kishim lexue si nji shenj ringjalljet, po të mos kishte ndodhë që hija e asaj
statuje të neveritshme të mos vijonte me sundue me arrogancë deri më sot në politikën
shqiptare. Atdhedashës dhe asket në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, Atë Anton
Harapi dhe ideja që përfaqsoi mbesin të hueja për Shqipninë. Sot figura e tij na shtërngon
me mendue se vendi ynë ka me mbetë gjithnji në udhëkryq në qoftë se nuk ka me dijtë
me edukue e me zgjedhë si udhëheqësa njerëz me ideale dhe me parime të nalta morale.