(20.02.2011 RV)Sot Kisha Katolike kremton të dielën e shtatë të kohës
së zakonshme. Ungjilli i sotëm na fton të reflektojmë mbi mësimin e ri, që u dha Krishti
dishepujve të vet, duke e shndërruar ligjin “sy për sy e dhëmb për dhëmb”, ligjin
e hakmarrjes në ligjin e dashurisë e të mëshirës. “Duajini armiqtë e lutuni për ata
që ju persekutojnë”. Vetëm kështu jeni bij të denjë të Zotit, thotë Jezusi.
Nesër,
21 shkurt, përkujtohet Shën Pjetër Damiani e shën Germani. Feja e lutja ecin
së bashku, na mësojnë leximet e kësaj dite. Jezusi u tregon dishepujve se pa lutjen
nuk mund të arrihet asgjë, as shërimi nga sëmundjet.
Të martën, Kisha
Katolike feston Katedrën e Shën Pjetrit. Qëndrueshmëria e shtëpisë garantohet nga
themelet. Duke ia besuar Kishën Pjetrit, Jezusi pranon se feja e Apostullit ishte
e ndjerë, e vërtetë, e qëndrueshme. Shën Pjetri bëhet kështu garanti për fenë e të
tjerëve, guri i këndit, që mban shtëpinë.
Më 23 shkurt, përkujtojmë
shën Polikarpin, ipeshkëv e martir, i cili na mëson se është e drejtë dëshira që ndjejnë
të gjithë besimtarët për t’i shërbyer Krishtit, por nuk duhet të kemi pretendimin
se jemi të vetmit, ose të parët që e bëjmë këtë.
Ditën e enjte, Kisha
vendos para nesh shembullin e shën Modestit, duke na thënë se është i lum ai që beson
në Zotin dhe e lë veten në dorën e Tij. Kështu në jetë, të vegjlit u besohen të mëdhenjve,
që duhet të kujdesen për ta e t’i shoqërojnë në rrugët e jetës, derisa të rriten.
Të
premten, më 25 shkurt, kremtohen shën Nestori, ipeshkëv e martir e shën Çezari.
Ungjilli i kësaj dite u flet bashkëshortëve, duke na kujtuar planin e Zotit për të
gjitha krijesat. “Njeriu të mos e ndajë atë që Zoti e bashkoi” tingëllon fraza e njohur
e të gjitha martesave.
Dashuria e Zotit është e përjetshme. Ç’respekt tregon
Jezusi për dinjitetin e fëmijëve dhe të drejtën e tyre për t’iu afruar Atij! Mbretëria
e Zotit është vetëm për ata që do të bëhen si fëmijë, pra do ta lëshojnë krejtësisht
vetveten në duart e Hyjit. Këtë na mëson Ungjilli i ditës së shtunë, 26 shkurt,
kur kremtohen edhe shën Aleksandri e shën Vitori.
E diela e ardhshme, 27
shkurt, është e teta e vitit kishtar. Po këtë ditë përkujtohet edhe shën Gabrieli
i Zojës së Dhimbshme.