2011-02-19 16:11:13

Me At Anton Harapin, 21 vjet pas rënies së komunizmit


(20.02.2011 RV)Po sot bie përvjetori i shembjes së shtatores së Enver Hoxhës në Tiranë, preludi i ndryshimeve dhe i fillimit të rrugës drejt demokracisë në Shqipëri. Pas 21 vjetëve, shqiptarët akoma e pyesin veten se ku po shkojnë, ku është horizonti drejt të cilit duhet të priren puna e mundi e djersa e atyre që janë në atdhe dhe e atyre jashtë atdheut. E kush më mirë se At Anton Harapi mund të na e përvijojë këtë horizont, pavarësisht se pjesa që do të dëgjoni, marrë nga fjalimi i tij “Dy lot e një betim”, me rastin e përcjelljes së eshtrave të Çerçiz Topullit e të Muço Qullit nga Shkodra, shembull i shkëlqyer oratorie, të lë një shije të hidhur në gojë për aktualitetin që ka edhe sot, pas gati një shekulli:
“…lëshojeni nji za, atë zanin tuej kumbues si të luajve e diftojini djelmënisë shqiptare, shka jua ushqei idealin, shka jua mbajti karakterin, shka ju bani të pavdekshëm! Diftojini po, se ka e do të ketë Shqipni, përderisa të kena e të mbajmë nji Zot mbi vedi; ka po, Shqipni derisa të dalin shqiptarë fatosa; ka e ka me pasë Shqipni, derisa gjaku i juej i kërthnestë e i gjallë të vlojnë në kujtim dhe ndër ndjesi të shqiptarëve, derisa në Shqipni, pa dallim krahinet e besimit, t’çmohen e t’madhnohen themeluesit e Atdheut. Kena pse të jena e të mbahena shqiptarë, përderisa të shenjtë ta ruejm besën dhe burrninë!”







All the contents on this site are copyrighted ©.