2011-02-19 14:57:04

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 7-të gjatë vitit kishtar ‘A'


Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së 7-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë sipas kalendarit liturgjik.
Tema e leximeve biblike të kësaj së diele është dashuria ndaj të afërmit. “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!”. Tekstet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore japin udhëzime të ndryshme rreth këtij urdhri të Zotit tonë Jezu Krisht, mirëpo si punë e parë është e rëndësishme të vërejmë se të gjitha përshkrimet e ndryshme rreth këtij urdhri të dashurisë janë brenda një kornize domethënëse e mirë të përcaktuar: referimi i drejtpërdrejtë e i qartë ndaj Zotit, ndaj mënyrës së tij të qenurit e të veprimit.
Leximi i parë fillon duke thënë: “Jini të shenjtë, sepse unë, Zoti, Hyji juaj, jam i shenjtë“, dhe menjëherë e tregon dashurinë vëllazërore, dashurinë ndaj të afërmit tonë si mënyrë konkrete për t’u imituar e jetuar si shenjtëri në jetën e përditshme e në marrëdhënie tona me njerëz.
Leximi tretë (Ungjilli nga shën Mateu) përfundon me thirrjen: „Jini ju pra të përkryer (përsosur) siç është i përkryer edhe Ati juaj që është në qiell“, që është një përmbledhje e tërë fjalimit të Jezusit mbi mal e, në mënyrë të posaçme, i asaj që posa u tha më lartë: „ Duani, falni, lutuni edhe për salvuesit tuaj“.
Prandaj korniza e dyfishtë, që përmban tërë pjesën tjetër të leximeve biblike të kësaj së diele, hedh dritë të veçantë mbi përmbajtjen dhe masën e shenjtërisë si dhe mbi dashurinë e bamirësinë e vet Zotit.
Ligji i ri i shpallur e i dekretuar nga Krishti, nënkupton e kërkon dashurinë edhe për armiqtë. Vetëm një dashuri e kësaj natyre dhe kësaj përmase është përgjigja e përshtatshme ndaj dashurisë që Zoti ka për njeriut, për çdonjërin prej nesh.
Dashuria ndaj të afërmit reflekton e pasqyron në ne shenjtërinë e Zotit, e ne jemi të thirrur prej Tij të jemi të shenjtë siç është ai i shenjt.
Mesazhi themelor që na vjen nga leximet biblike të kësaj së diele, si dhe nga fjalimi i Jezusit mbi mal, të cilin jemi duke e lexuar e dëgjuar që disa të diele, është imitimi i Zotit e ky është edhe mesazhi qendror i vet Biblës.
Marrëdhënia e njeriut me të afërmin e vet është e pandashme nga marrëdhënia e tij me Zotin. Pa shartimin në këtë themel, dashuria ndaj të afërmit nuk mund të qëndrojë e mbijetojë. Nuk ka të krishterë pa dashuri të vërtetë, pa atë dashuri të cilën na mëson, na tregon, ofron e kërkon Jezu Krishti.
Forca e Zotit është durimi, hidhërimi e zemërimi i tij janë falja, fitorja e tij është kryqi. Kjo për ne njerëzit është absurditet, mirëpo kjo është urtia e Zotit.
T’i lutemi Hyjit përdëllyes që ky stil i veprimit të Tij Hyjnor të jetë edhe stili ynë i përditshëm e të lutemi që të shumëfishohen dëshmitarët e jo dhunës aktive sipas frymëzimit e shpirtit të ungjillit.
Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele fillon me një këshillim të Zotit drejtuar popullit hebraik: “ jini të shenjtë, sepse unë Zoti, Hyji juaj jam i shenjtë”, e përfundon me fjalët e Jezusit në pjesën e ungjillit “Ju, pra jini të përkryer, siç është i përkryer edhe Ati juaj që është në qiell”. Kjo, pra është thirrja ndaj detyrës themelore që ka besimtari i krishterë, që duhet të orvatet të ecën drejt shenjtërimit të jetës përmes udhës së dashurisë ndaj Zotit e të afërmit.
Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë (Lev 19, 1-2. 17-18)

Pjesa gjendet në “ligjin e shenjtërisë” e pohon themelin e një ligji të tillë: “jini të shenjtë sepse unë jam i shenjtë”. Tregohet konkretisht si ta jetojmë shenjtërinë: të mos mbajmë mëri e të mos përdorim hakmarrjen.
Dashuria ndaj të afërmit reflekton në ne shenjtërinë e Hyjit.
Një mësim i tillë do të thellohet e do të paraqitet rrënjësisht në Besëlidhjen e Re.

Lexim prej Librit të Levitikut

Zoti foli me Moisiun e tha: “Fol me mbarë bashkësinë izraelase e thuaju: Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë, Zoti, Hyji juaj!
Mos e urre në zemrën tënde vëllanë tënd. E ke detyrë ta qortosh bashkëvendasin, të mos kesh pjesë në mëkatin e tij. Mos u hakmerr as mos ushqe hidhërim ndaj bijve të popullit tënd. Duaje të afërmin tënd porsi vetveten. Unë jam Zoti.”
Fjala e Zotit

Psalmi 103 (102)

Ref:
Zoti është i mirë dhe i madh në dashuri.
_________________

Bekoje, shpirti im, Zotin,
dhe krejt qenia ime Emrin e tij të shenjtë.
Bekoje, shpirti im, Zotin,
e mos i harro bamirësitë e tija.
_____________

Ai i fal të gjitha fajësitë e tua,
Ai i shëron sëmundjet e tua;
Ai ta shpëton jetën prej varrit,
Ai të kurorëzon me mirësi e dashuri.
_____________

Zoti është i mirë e i mëshirshëm,
i ngadalshëm në zemërim e shumë i dashur.
Nuk zemërohet gjithherë,
as s’e mban hidhërimin për jetë të jetës.
_________________

Sa është lindja larg perëndimit,
aq larg i tret prej nesh fajet tona.
Sikurse baba ka dhembje për fëmijët e vet,
ashtu Zoti ka dhembje për ata që e druajnë.
_________________


Leximi i dytë (1 Kor 3, 16-23)

Pali është duke përfunduar temën e diturisë së Hyjit, që është zbuluar në kryqin e Krishtit, e dënon çdo formë kulti të personalitetit, të pranishëm në bashkësi.
Me të vërtetë të formuarit në Kishë të grupeve të mbyllura, që kanë si qendër persona që nuk janë kryqëzuar për ne, domethënë të mos kesh parasysh bashkimin e arritur në Krishtin e kryqëzuar.

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, po ju a nuk e dini se jeni Tempulli i Hyjit dhe se Shpirti i Hyjit banon në ju? Nëse ndokush e rrënon Tempullin e Hyjit, Hyji do ta humbasë atë, sepse Tempulli i Hyjit është i shenjtë – e ky Tempull jeni ju!
Askush mos ta gënjejë vetveten! Në qoftë se ndokush prej jush kujton se është i mençur sipas parimeve të shekullit, le të bëhet i marrë për të qenë i urtë. Sepse dija e kësaj bote është marri para Hyjit, sepse Shkrimi shenjt thotë: ‘Ai i zë të dijshmit në dredhitë e tyre’; dhe përsëri: ‘Zoti i njeh mendimet e të mençurve, e di se janë të kota.’
Prandaj, askush prej jush mos ta vërë mburrjen e vet në njerëz, sepse gjithçka është juaja: Pali, Apoli, Kefa, bota, jeta, vdekja, e tashmja, e ardhshmja! Gjithçka është juaja, ju jeni të Krishtit, e Krishti është i Hyjit!

Fjala e Zotit!

ALELUJA,
Aleluja.
Fjalët e tua, o Zot, janë shpirt dhe jetë,
ti ke fjalët e jetës së pasosur.
Aleluja.
Ungjilli (Mt 5, 38-48)

Në pjesën e parë zhvillohet lumturia që flet për “lum të butët”; në të cilën Krishti është modeli më i ndriçuar.
Në pjesën e dytë arrihet kulmi i mësimit të Krishtit, me urdhërimin e dashurisë.
Dashuria e krishterë (agape) nuk pranon dallime dhe kufizime: për këtë duhet të duhen edhe armiqtë. Të realizosh dashurinë e krishterë (agape) do të thotë të imitosh Hyjin Atë, që të gjithëve u ofron shenja të dashurisë së tij.
Nëse të gjithë janë bij të të njëjtit Atë, të gjithë janë vëllezërit e mi.

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Syrin për sy e dhëmbin për dhëmb.’ Unë po ju them: Mos u kacafytni me të keqin, por atij që të bie shuplakë faqes së djathtë, ktheja edhe të tjetrën. Atij që do të qesë në gjyq për të marrë këmishën, jepja edhe mallotën. E nëse ndokush të shtrëngon të ecësh me të një milje, ti bëji dy; atij që të lyp, jepi, e atij që të kërkon hua, mos ia kthe shpinën.
Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Duaje të afërmin tënd dhe urreje armikun tënd.’ E unë po ju them: Duani armiqtë tuaj, lutuni për ata që ju salvojnë, për t’u bërë bijtë e Atit tuaj që është në qiell, sepse Ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqij e mbi të mirë e të bjerë shi për të drejtë e për të padrejtë. Sepse, po qe se i doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi meritoni? Pse a nuk bejnë kaq edhe tagrambledhësit? E nëse i përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, çka bëni të veçantë? A nuk bëjnë të njëjtën gjë edhe paganët? Jini, pra, të përkryer siç është i përkryer edhe Ati juaj që është në qiell.
Fjala e Zotit!







All the contents on this site are copyrighted ©.