(20.02.2011 RV)Kohët e fundit vëllai i Papës Razinger, kompozitori dhe mjeshtri
i korit, Georg Razinger, edhe ai klerik, i dha revistës “Inside the Vatican” një intervistë
me kujtime nga jeta e përbashkët familjare me Papën. Disa pjesë të saj mund të ndiqen
në blogun e Angela Ambrogetti-t, “Portone di bronzo” (Porta e bronzit). Ngjarjet
e fëmijërisë i kujtoj pak - i përgjigjet imzot Georg intervistueses - isha tepër
i vogël, kur lindi im vëlla. Nuk më kujtohet as pagëzimi, sepse asokohe fëmija pagëzohej
menjëherë pas lindjes. Prindërit nuk më morën me vete në Kishë, sepse bënte shumë
ftohtë. Kujtimet e para më sjellin në mend një fëmijë tejet të vogël, pamja e të
cilit më shtynte të pyes veten: “Po ky ç’na duhet?”. Pastaj nisëm të rritemi,
– vijon rrëfimin – ishim të dy djem e, natyrisht, luanim vazhdimisht bashkë. Madje
nuk bënim gjë pa njëri–tjetrin. Kështu u lidha gjithnjë më ngushtë me vëllain e vogël.
Ishim ne të dy, më të mëdhenjtë e shtëpisë, pasi motra ishte më e vogël. Së bashku
bënim Shpellën e Betlehemit për Krishtlindje, së bashku organizonim një mori lodrash
tradicionale e të shpikura pikërisht nga ne të dy. E një nga lodrat, e cila na pëlqente
më shumë, ishte ajo që ne e quajtëm ‘loja e famullitarit’. E luanim të dy bashkë.
Motra jonë, që do të bëhej rregulltare e mësuese, nuk merrte pjesë. Bënim sikur kremtonim
meshën e kishim edhe kazulat, që i kishte qepur rrobaqepsja e nënës kastile për ne.
E rrinim duke ndërruar rolet: herë bëhesha unë meshtari e Jozefi ministranti, herë
rolin e meshtarit e luante ai e unë, atë të xhakonit. Po që një ditë ai do të luante
rolin e Papës, kjo as nëpër mend nuk na kishte shkuar. Në intervistën e gjatë,
vëllai i Benediktit XVI na njeh jo vetëm me vitet e fëmijërisë dhe me lidhjen e thellë
ndërmjet vëllezërve Racinger, por edhe me kohën e studimeve, me impenjimet e para
akademike të Jozefit, me vendimin që morën të dy të studionin në Bon, për të qenë
sa më pranë familjes. Ndalet, pastaj tek pasioni i përbashkët për muzikën, sidomos
për pianon, së cilës i binin shpesh me katër duar, duke mbushur me tinguj mahnitës
shtëpinë e thjeshtë të familjes. Për macet, pastaj. Georg Razinger ndalohet posaçërisht
tek çasti tejet i vështirë, kur, në një farë mënyre, vëllezërit e pandarë, u detyruan
të ndaheshin. Ishte çasti kur Papa Vojtila e thirri vëllain e vogël në Romë, për
të drejtuar Kongregatën për Doktrinën e Fesë. E ai u nis, në sa vëllai i madh mbeti
në Katedralen e Regensburgut, ku vijoi për vjet e vjet të drejtonte korin e mirënjohur
në mbarë botën me emrin “I harabelave”, sepse i përbërë nga zëra të bardha. “Çdo
takim me tim vëlla më duket si rikthim në shtëpi, shpjegon imzot George, duke kujtuar
vizitat e herëpashershme që i bën Jozefit. E kështu e ndjej se familja e Papës është
edhe familja ime. Natyrisht: është im vëlla! Kur jemi larg, sa zgjohem në mëngjes,
mendimin e parë e kam për të; për të, edhe lutjen e parë. I lutem Zotit t’i japë shëndet
e forcë, sepse ka nevojë për të dyja, që ta kryejë si duhet misionin e madh të kryebariut
të Kishës Katolike.