2011-02-19 16:08:42

Editorial i atë Lombardit: Të sëmurët dhe Kisha


(20.02.2011 RV)Më 11 shkurt, Kisha Katolike kremtoi Zojën e Lurdës e po atë ditë bota ia kushton vëmendjen të sëmurëve, vuajtjeve, por edhe kujdesit e impenjimit në favor të tyre. Është e njohur puna e Kishës me të sëmurët kudo nëpër botë, përmes spitaleve, qendrave shëndetësore e ambulancave. Kësaj marrëdhënieje, që fillon me shërimin e të sëmurëve nga Krishti, ia kushton editorialin e sotëm zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi, drejtori ynë i përgjithshëm:RealAudioMP3
“Qe Gjon Pali II, i cili deshi që Kisha të kremtonte çdo vit Ditën Botërore të të Sëmurit, në shkurt, në ditën kushtuar Zojës së Lurdës. Sëmundja është pjesë kaq thelbësore e jetës njerëzore, sa të jetë domosdoshmërisht në qendër të çdo përvoje fetare. Prek çdo njeri, ose drejtpërdrejt në trupin e në mendjen e tij, ose në personat e afërt e të dashur, ose në ambientin rrethues, e përfshin thellësitë e shpirtit, duke sfiduar dashurinë, shpresën, vetë fenë.
Jezu Krishti, me vëmendjen e tij për të vuajturit, me mundimet e vdekjen e Tij, është fjala ngushëlluese më e besueshme për të sëmurët e, kështu, duhet të përiqet të jetë edhe mbarë Kisha, nxitëse e solidaritetit dhe e dashurisë në çdo përmasë të bashkësisë njerëzore.
Përgatitemi për lumnimin e Gjon Palit II, dëshmitar i madh i sëmundjes së jetuar me fe. Mënyra me të cilën e përjetoi – për vete e për ne – është një nga motivet kryesore, që na bën të gjithëve të jemi të bindur për shenjtërinë e tij. Ashtu si Jezusi që bart kryqin, edhe ai është mik i madh e ndërmjetësues në qiell për çdo të sëmurë.
Por, përveç ngushëllimit, ekziston edhe impenjimi. Thotë Benedikti XVI: “Masa e humanitetit matet në raportin me vuajtjen dhe të vuajturin. Kjo vlen si për njeriun, ashtu edhe për krejt shoqërinë. Një shoqëri, që nuk arrin t’i pranojë të vuajturit dhe të kontribuojë që vuajtja të bashkëndahet e të bartet edhe brenda shpirtit është një shoqëri mizore dhe çnjerëzore” (Spe salvi,38).
Vuajtja na thërret e mund të ngjallë dashurinë. Shumë dashuri. Pa të nuk do t’i njihnim thellësitë e dashurisë. T’i kërkojmë Zotit ta kuptojmë e ta jetojmë, për t’u bërë më humanë, më njerëzorë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.