2011-02-18 18:45:47

Fra Angjeliko që lutej me penel.


(18.02.2011 RV)Në kuvendin e Shën Markut në Firence mbretëron një heshtje e thellë. Vetëm në katin e parë, përballë shkallës që nis nga kiostri, shihet një rregulltar, i cili lutet në një mënyrë krejt të pazakontë: me penel. Afresku që po përfundon së pikturuari mbi mur, paraqet Lajmërimin e Zojës së Bekuar. Engjëlli Gabriel gjunjëzohet para Virgjërës Mari dhe e pyet në se pranon të bëhet Nëna e Zotit.
Rregulltari quhet Gjon: është emri që mori kur hyri ndër domenikanë aty rreth vitit 1420. Më përpara quhej Guido di Piero. Ndërsa pas vdekjes, disa vjet më vonë, e pikërisht në vitin 1455, do ta quanin me një emër tjetër: Fra Angjeliko – Vëllau Engjëllor, sepse pikturonte tamam si të ishte engjëll.
Tani për tani pikturon Kryeengjëllin Gabriel, duke pëshpëritur lehtë me vete përshëndetjen e mrekullueshme drejtuar Marisë: “Të falem, Mari, Hirëplote, Zoti është me ty!”. Kur pikturon ndonjë skenë nga Ungjilli, vëlla Engjëllorit i duket se merr pjesë edhe vetë në ngjarjen, që lind dalë-nga-dalë nga peneli. E mediton thellë çdo afresk: para, gjatë e pas pikturimit. Prandaj mund të themi se punimet e tij janë lutje të shprehura me ngjyra.
Papritmas vëlla Engjëllori ndjen një zhurmë të lehtë pas shpine. Kthehet e nis të qeshë. Shikon një sivëlla, që ndjek me gojë hapur lëvizjen e penelit. Shtjefni nuk e humbet rastin për t’i bërë një pyetje. Deshi t’ia bënte sapo arriti, por kur pa se rregulltari po pikturonte sytë e engjëllit, vendosi të mos e trazonte. Të pikturosh shikimin e engjëllit nuk është punë dosido. Posaçërisht kur bëhet fjalë për vështrimin e thellë e plot respekt të Gabrielit, që i flet Marisë. Si i kalon sadopak magjepsja që buron nga sytë e Kryeengjëllit, Shtjefni merr guxim e i bën piktorit pyetjen e përvujtë: “Vëlla Gjon, a është e vërtetë se do t’i hijeshosh të gjitha dhomat tona?”.
“Nuk mund të them se do t’i hijeshoj, sepse kjo nuk është fjala e duhur. Ajo që mendoj të bëj, është të pikturoj nga një afresk në çdo qeli. Në secilin do të paraqes një skenë nga Ungjilli: lindjen e Jezusit, mundimet, ngjalljen… e kështu me radhë. E kur ta kryej afreskun, në një skaj të tij, do të pikturoj përherë një domenikan, për ta ftuar kështu vëllaun i cili jeton në atë qeli, të hyjë në skenë e ta meditojë. Ngjyrat do të jenë të lehta, si këto me të cilat po pikturoj Lajmërimin e Zojës. Nuk do ta përdor fare arin, siç bëj kur zbukuroj kishat e Firences. Vëllezërit tanë nuk kanë nevojë për ar, që të mund të luten.”
“Ke plotësisht të drejtë, vëlla. Sa më i thjeshtë të jetë arti, aq më i bukur është!”.
Sot domenikanët nuk banojnë më në kuvendin e Shën Markut e kushdo mund ta vizitojë e të kënaqet, si Shtjefni, me afresket e mrekullueshme të të Lumit Fra Angjeliko.








All the contents on this site are copyrighted ©.