2011-02-17 15:38:33

Çelësi i fjalëve të Kishës: "ndjekja" e Krishtit


(17.02.2011 RV)Të dashur dëgjues, jo më larg se dje, u bë e njohur tema e mesazhit të Krezhmëve të Papës Benediktit XVI: “Me Krishtin u varrosët në Pagëzim, me Të edhe u ringjallët”. Është tablloja e apostujve dhe e dishepujve të Jezusit, që mbetet e pandryshuar në kohë. Janë njerëz që e ndjekin Mesinë, në atë që shpesh Kisha e quan “sekuela e Krishtit” apo “ndjekja e Krishtit”. Sot, do të shpjegojmë pikërisht se ç’do të thotë të ndjekësh Krishtin nga Pagëzimi deri në fundin e jetës e në shpresën e ringjalljes në Të.

Përfytyroni një skenë, që ka në sfond liqenin e Tiberiadit. Jezusi kalon andej, flet me peshkatarët dhe i fton ta ndjekin, duke e shndërruar profesionin e tyre në “peshkatarë njerëzish”, një shprehje origjinale kjo, që ka pak jehonë në Besëlidhjen e Vjetër. Për shembull, profeti Habakuk, në ankimet e tij, e përshkruan Zotin si Peshkatarin e madh, i cili “i bëri njerëzit si peshq deti…që i gjuan kaldeu me grep…i nxjerr jashta me rrjetë… për këtë gjë gëzon e galdon!”(1,14-15). Por Jezu Krishti e përdor fjalën me një kuptim krejt tjetër.
Ky profesion/mision i ri i shtyn peshkatarët drejt një kthese themelore në jetë: “Lanë rrjetat e shkuan pas tij”(Mt 4,20). Ja ku folja “shkuan”, “e ndoqën”, në greqisht “akolouthéin”, bëhet e rëndësishme për të përcaktuar dishepullin e Krishtit.
Është ai, që “e ndjek” Zotin e Mësuesin e tij, jo vetëm nëpër rrugët e botës, por edhe në një “sekuelë” më radikale, atë të mënyrës së jetesës e të dhurimit të vetvetes. Kjo temë bie në sy që në Besëlidhjen e Vjetër e ka dy profile të kundërta. Vërtet, nga njëra anë, ekzistonte sekuela e errët e perverse, që mishërohej në idolatrinë. Kishte të bënte me ndjekjen e “të huajve”, apo “të njerëzve të kotë e të padobishëm”, apo të “dashnorëve”, siç thuhet shpesh në Bibël, me variacione që venë në dukje aspektin e thellë e të ndërlikuar të pranimit të një feje tjetër. Ose, siç thuhet në Librin e Barukut, njerëzit mund të ndiqnin “secili prirjen e zemrës së vet të keqe”(1,22), pra një sërë opcionesh imorale dhe të shtrembëra.
Nga ana tjetër, kemi ndjekjen, apo sekuelën plot dritë të Zotit, të ligjit të Tij, të drejtësisë, rrugës e së vërtetës së Tij. Të gjitha këto fjalë përdoren shpesh në Besëlidhjen e Vjetër për të treguar një mënyrë jetese, që sjell paqe e qetësi shpirtërore. Jeremia profet vë në gojën e Hyjit këtë monolog të ëmbël drejtuar Jeruzalemit, për ta kthyer në udhën e Zotit: “Me mall të kujtoj, e kujtoj afshin e rinisë sate, dashurinë e fejesës sate, kur më ndoqe në shkretëtirë, në vende që asgjë nuk mbillet. Izraeli ishte gjëja e shenjtë e Zotit, fryti i parë i të korrave të tija; kushdo hante prej tij, e paguante: e gjente e zeza – është fjala e Zotit” (2,2-3).
Hyjmë kështu në skenën, nga e cila e filluam reflektimin tonë, atë të liqenit të Tiberiadit, që përsëritet me forma e personazhe të ndryshëm, edhe në faqe të tjera ungjillore. Ata që “ndjekin” Jezusin janë tani të tjerë dishepuj, ose të sëmurë, që Ai i shëron, ose disa gra, nganjëherë një turmë e tërë, por në të gjitha rastet, ndjekja e Krishtit do të thotë pranimi i fjalës së Tij. Një vendim kaq radikal, saqë sjellja e njerëzve, që e kanë pranuar Fjalën e Krishtit, bëhet krejtësisht e ndryshme nga e mëparshmja. “Ne lamë çdo gjë dhe erdhëm pas Teje” i thotë Pjetri Jezusit, sipas Ungjillit të shën Markut (10,28).
Por Krishti kërkon diçka edhe më të madhe, shprehur me një frazë të fuqishme, që ka shkaktuar gjithnjë diskutime. Në Ungjillin sipas Mateut, ajo referohet kështu: “Nëse ndokush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, le ta marrë kryqin e vet e le të vijë pas meje!”(16,24). Jezusi u propozon atëherë e gjithmonë dishepujve të vet të ecin bashkë me Të në rrugën e vështirë të Kalvarit, të martirizimit. Ndërsa shën Luka ungjilltar, duke cituar këtë frazë të Krishtit, na jep një element të ri, fjalët “çdo ditë”, për të na kujtuar se Fjala e Zotit ndiqet çdo çast, në jetën e përditshme. Vërtet, në kapitullin e 9-të thuhet: “Nëse ndokush do të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet çdo ditë dhe të më ndjekë”. Shpërblimi për këtë “ndjekje” apo “sekuelë” është i madh e jo vetëm në fundin e kohrave, në ringjalljen e shpresuar. E dimë nga Shën Pali se “të gjithë ata që do ta mbajnë këtë rregull, ashtu si mbarë Izraeli i Hyjit, paçin paqe e mëshirë”(Gal 6,16).







All the contents on this site are copyrighted ©.