2011-02-17 17:54:24

Liturgjia themel i fesë: Konferencë në Padovë kushtuar Opera Omnia të Jozef Racingerit.


(17.02.2011 RV)“Themeli sakramentor i ekzistencës së krishterë”. Kjo është tema e konferencës zhvilluar sot në Padovë pranë Fakultetit teologjik të Trivenetos, kushtuar Opera Omnia-s të Papës Racinger që hapet me vëllimin “Teologjia e liturgjisë”. Takimi mbajtur në përgatitje të vizitës së Papës në Akuilé dhe Venedik, më 7-8 majin e ardhshëm, u hap nga prof. Andrea Toniolo, i cili paraqiti lectio magistralis të ipeshkvit të Ratisbonës Gerhard Ludvig Myler, me titull “Një vizion i teologjisë për sot.” Më pas drejtori i Institutit të Liturgjisë Baritore të Shën Xhystinës në Padovë, prof. Luixhi Xhirardi mbajti kumtesën “Jozef Racinger, një teolog përballë liturgjisë.”.

Pyetje: Prof. Xhirardi, në ç’mënyrë reflektimi i Papës, teolog e bari shpirtrash e nxit popullin e Zotit të kuptojë domethënien e liturgjisë tek përvoja e fesë?

Përgjigje: Besoj se i drejton pyetje tepër haptas. Papa vetë na kujton se pati zgjedhur teologjinë bazë si lëndë për t’i përgjigjur pyetjes pse ne besojmë sot. Dhe pikërisht për këtë arsye e ka pasur gjithmonë për zemër pyetjen se çfarë përgjigjeje i duhet dhënë Zotit. Dhe kjo është hapja ndaj kultit. Sot do të thoshim se liturgjia i përket aspektit themelor të fesë, i përket mënyrës origjinale në të cilën feja shprehet. Nuk është, pra, një element zbukurues. Liturgjia, - në veçanti sakramentet, - na hapin kah Zoti nëpërmjet kësaj marrdhënieje vertikale me Zotin e njëkohësisht na fusin në historinë e shpëtimit, që lidhet me Jezusin në këtë trajektore horizontale. Papa vetë shprehet me këto fjalë në shkrimet e tij.

Pyetje: Prof. Xhirardi, në shtyp kemi parë shpeshherë, dhe ndonjëherë edhe njerëzit flasin, se Papa është konservator. Ç’vlerë merr kjo konsideratë tani, nën dritën e vëllimit të parë të Opera Omnia-s së tij?

Përgjigje: Po. Mendoj se është gjë e mirë të dalim nga disa “etiketa” të cilat i përdorim me shumë lehtësi. Sigurisht reflektimi i Papës tregon se nuk ndjek asnjë modë apo shije të kohës. Pra, ai vetë është jashtë mënyrës të të menduarit konservator apo progresist. Ai shkruan atë që i duket e saktë për të kuptuar dhe për ta jetuar realitetin e liturgjisë. Besoj se këto shkrime të Papës Racinger futen në debatin, në rrugëtimin, që shkenca liturgjike po përshkon dhe paraqiten si shkrime të një bashkëbiseduesi përnjimend të vlertë. Papa na tërheq vëmendjen për shumë gjëra, si përshembull nga rreziku i vetëpëlqimit që mund të vijë sa për faj të një estetizmi bosh, aq edhe për faj të kthimit në forma zbavitjeje. Mendoj se shkrimet e teologut Racinger, kanë në qendër thjesht kujdesjen në mënyrë që liturgjia të jetë ajo çka është.

Pyetje: Prof. Xhirardi, kard. Bertone në parathënien e vëllimit nënvizon aftësinë komunikuese të Papës që di t’i drejtohet jo vetëm fesë të besimtarit por edhe arsyes të çdo njeriu. Ky është pra një libër për të gjithë, apo jo?

Përgjigje: Sigurisht, një libër me rëndësi, pikërisht sepse Papa Racinger bashkon gjithmonë besimin dhe arsyen. Por, ka nevojë që me të vërtetë t’i njohim një meritë të madhe: aftësinë e madhe në komunikim, në argumentim të çështjeve që është për t’i pasur zili, të cilat e bëjnë këtë vëllim edhe më të përshtatshëm për lexuesit.







All the contents on this site are copyrighted ©.