2011-02-16 19:17:40

Në audiencën e përgjithshme, duke folur për Shën Gjonin e Kryqit, Papa thekson: feja nuk është barrë e rëndë, por dritë e jetës.


(16.02.2011 RV)Benedikti XVI ia kushtoi katekizmin e sotëm, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan, Shën Gjonit të Kryqit, mistikut të madh të shekullit XVI, që bashkëpunoi ngushtësisht me Shën Terezën e Avilës. Papa rikujtoi ngjarjet më të rëndësishme të jetës së Shenjtit spanjoll. U ndalua posaçërisht tek mësimet e përshpirtshme të “Dijetarit mistik”, që reformoi urdhërin e karmelitanëve. Doktrina e tij - vërejti Ati i Shenjtë - është udhë e sigurt drejt shenjtërisë, drejt përsosurisë, që duhet të jetë synim i të gjithë njerëzve, sepse thirrje që vjen nga vetë Zoti.RealAudioMP3

Shën Gjoni i Kryqit – nënvizoi Benedikti XVI - na mëson se të ndjekësh Krishtin, nuk do të thotë të marrësh mbi supe një barrë të rëndë. Të ndjekësh Krishtin, do të thotë të ndjekësh dritën, e cila i ndriçon të gjitha ditët tona. Papa shpjegoi se jeta e Shenjtit nuk ishte “fluturim mbi retë mistike”. Nuk ishte aspak e lehtë. Tejet e vështirë, madje. E sidomos, praktike e konkrete. Prej këndej Benedikti XVI nënvizoi se përvoja e Shën Gjonit të Kryqit është model për të gjithë, e jo vetëm për pak shpirtra të zgjedhura:
“Në se shpirti i njeriut është përplot me dashuri, kjo dashuri i jep krahë, ia lehtëson barrën e përditshme, e ndihmon t’i përballojë më lehtë shqetësimet e jetës, sepse ia mbush shpirtin me një dritë të madhe. E kjo dritë është feja: është ndjesia e jashtëzakonshme që provon njeriu, kur kupton se Zoti e do e se është gati ta lëshojë plotësisht veten në krahët e Tij, nëpër Jezu Krishtin”.
Shenjtëria – pohoi Papa - nuk është vepër e duarve tona. Është një dritare. Na hapet në shpirt, për të hyrë drita e Zotit, që mund ta shndërrojë krejt jetën tonë. Mbi të gjitha – shtoi Ati i Shenjtë – shenjtëri do të thotë t’ia hapësh zemrën Zotit, ta lësh të të dojë, ashtu si di të dojë vetëm Ai:
Ta lusim Zotin të na ndihmojë që ta gjejmë këtë shenjtëri e t’ia besojmë vetveten dashurisë së tij, gjë që është thirrje për të gjithë e shëlbim i vërtetë”.
Ati i Shenjtë përmblodhi çastet më domethënëse të jetës së Shenjtit. Jetë e ngarkuar me vuajtje, vështirësi e keqkuptime, të cilat ai ia doli mbanësh t’i durojë e t’i kapërcejë, falë besimit të pakufishëm në hirin hyjnor. Kujtoi edhe miqësinë e thellë shpirtërore të Gjonit me Terezën e Avilës, me ndihmën e së cilës reformoi familjen rregulltare karmelitane. Papa numëroi veprat më të rëndësishme të Shenjtit: “Ngjitja mbi malin e Karmelit”, “Nata e errët e shpirtit”, “Këngë shpirtërore “ e “Flakë e gjallë dashurie”. Kujtoi edhe se, në sa i shkruante këto tekste mistike, kryevepra të letërsisë spanjolle, Shën Gjoni ecte në rrugën e Kryqit, në rrugën e pastrimit të shpirtit, për të arritur në majën e përsosurisë së krishterë. Simbolikisht, në majën e Karmelit:
“Një pastrim i tillë paraqitet si shtegtim, të cilin njeriu e nis, duke bashkëpunuar me hirin hyjnor, për ta çliruar shpirtin nga çdo lidhje e çdo dashuri, që i bie ndesh vullnetit të Zotit. Për të arritur në bashkim me dashurinë e Zotit, pastrimi duhet të jetë i plotë, të nisë me jetën e shqisave e të vijojë me atë, që fitohet përmes tri virtyteve teologale: fesë, shpresës e dashurisë, të cilat pastrojnë ndjetet, kujtesën e vullnetin”.
Shën Gjoni i Kryqit provoi edhe dhimbjet e papërshkrueshme të natës së shpirtit, për të cilën flet edhe mistikja jonë e madhe, e Lumja Nënë Terezë. Në veprën “Nata e errët”, Shenjti, që eci nëpër jetë duke mbartur vërtet kryqin e rëndë mbi supe, përshkuan aspektin ‘pasiv’, domethënë, veprimin e hirit të Zotit në procesin e pastrimit të shpirtit. Njeriu – nënvizoi Papa - sado të përpiqet për ta çuar deri në fund këtë proces, është tepër i ligshtë. I vetëm, nuk mund të arrijë kurrë deri tek rrënjët e thella të prirjeve e të zakoneve të këqija njerëzore; mundet vetëm t’i frenojë, por jo t’i shkulë me gjithë rrënjë. Nga ana tjetër - vijoi Benedikti XVI - shpirti bëhet vërtet i pastër dhe i lirë, vetëm kur ia del mbanësh të çlirohet nga vartësia e veprimeve të parregullta:
“Procesi i gjatë dhe i mundimshëm i pastrimit, kërkon, sigurisht, përpjekje vetjake, por protagonisti i vërtetë në këtë proces, është vetë Zoti: njeriu mundet vetëm t’ia hapë zemrën hirit hyjnor, pa i krijuar pengesa. Duke i jetuar virtytet teologale, lartohet e i jep vlerë impenjimit të vet. Ritmi i rritjes në fe, në shpresë e në dashuri shkon hap për hap me veprën e pastrimit e me bashkimin progresiv me Zotin, derisa njeriu arrin të shndërrohet në Të”
Kur arrihet në këtë majë - vërejti Ati i Shenjtë – shpirti shkrihet me vetë jetën trinitare aq, sa ta dojë Zotin me të njëjtën dashuri, që ka Zoti për të, sepse do në Shpirtin Shenjt. Ja pra pse – tha Papa – Shën Gjoni i Kryqit ngulmon se nuk mund të ketë bashkim të vërtetë dashurie me Zotin, në se kjo dashuri nuk arrin kulmin në bashkimin trinitar.







All the contents on this site are copyrighted ©.