2011-02-16 08:52:38

Dom Pjetër Zarishi, meshtar e poet në 205 vjetorin e lindjes


Prifti dhe poeti atdhetar shqiptar dom Pjetër Zarishi lindi në Blinisht, fshat në veri të Shqipërisë, më 16 shkurt 1806. Mësimet e para i kreu në shkollat vendase të Kishës në atë kohës, studimet e larta filozofike e teologjike i kreu në Romë. Menjëherë pas shugurimit meshtarak, u kthye në atdhe.

Duke nisur nga viti 1831, shërbeu si meshtar e më vonë edhe si Abat në Orosh të Mirditës, ku krahas misioni të tij meshtarak e ungjillëzues, punoi njëkohësisht edhe në detyra tjera kishtare si ato administrative e si sekretar i dioqezës së Sapës. Krijues i talentuar, dom Pjetër Zarishi vijon traditën e filluar nga poeti i letrave shqipe, Atë Pali prej Hasi, duke shkruar një varg poezish me përmbajtje biblike e këndej fetare, patriotike e shoqërore, që zënë vend të merituar në Historinë e Letërsisë Shqipe.

Një pjesë e vjershave të tij janë botuar në revistën françeskane "Hylli i Dritës" më 1914 dhe me 1936 nën kujdesin e etërve françeskanë e disa tjera në antologjinë “Shkrimtarët shqiptarë” nën kujdesin e Filip Fishtës. Të tjerat mbeten në dorëshkrim. Ndërmjet tyre kujtojmë "Kanga e Shqypnis", "Bylbylit"; "Kanga e Shebes" e një poezi kushtuar derës fisnike të Gjomarkajve të Mirditës. Poezitë e dom Pjetër Zarishit përshkohen nga ndjenja të fuqishme të një shpirti të shqetësuar, që e jeton thellë tragjedinë e Atdheut e të popullit të pushtuar, të cilin dëshiron ta shikojë sa më parë të çliruar nga pushtuesi shumëshekullor otoman.

Vendin kryesor në krijimtarinë e meshtarit e zënë poezitë me përmbajtje biblike: shkroi edhe lutje poetike, himne e tekste këngësh të përshpirtshme fetare, për të cilat kishte aq shumë nevojë populli i krishterë i Mirditës së varfër ku kryente misionin e ati shqiptar në përgjithësi, sepse ato i shërbenin edhe si një katekizëm tepër i kuptueshëm e i lehtë për t'u mbajtur mend. Ndërmjet tyre kujtojmë poezinë "Dita e Gjyqit".

Dom Zarishi është një nga poetët e parë shqiptarë që provoi me sukses tingëllimën dhe një sërë mjetesh të tjera të vargëtimit, që pasuruan metrikën shqiptare. Të dhënat flasin edhe për hartimin nga ana e tij të një fjalori e të një gramatike të shqipes, të cilat, si shumë e shumë vepra të klerikëve shqiptarë, kanë humbur apo janë sekuestruar gjatë persekutimeve që nuk i kanë munguar kurrë Kishës katolike e posaçërisht asaj ndër shqiptarë.







All the contents on this site are copyrighted ©.