Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të shqyrtojë nesër pasdite raportin
e radhës të Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki Mun mbi Kosovën, për periudhën e fundit
tremujore. Kosovën do ta përfaqësojë ushtruesja e detyrës së ministres së Punëve të
Jashtme, Vlora Çitaku, ndërsa raportin e Sekretarit Ban do ta paraqesë përfaqësuesi
i tij special në Kosovë, Lamberto Zanier. Në raport Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki
MUn shpreh keqardhjen për shpërbërjen e koalicionit qeverisës në tetor të vitit të
kaluar duke thënë se shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme e shtyu dialogun e paralajmëruar
midis Prishtinës dhe Beogradit. Ban shpreson që zhvillimet në Prishtinë do të çojnë
në përshpejtimin e dialogut për të cilin ai u bën thirrje palëve që të kenë një afrim
e kontakt konstruktiv. Lidhur me zgjedhjet e dhjetorit, Sekretari Ban Ki Mun thotë
se ato u mbajtën të qeta, ndonëse ka nënvizuar se organizatat që i mbikëqyrën patën
shfaqur shqetësimin mbi respektimin e standardeve demokratike. Sekretari i Përgjithshëm
i Këshillit të Sigurimit nënvizon edhe rritjen e pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhje,
ndërsa situatën e përgjithshëm në Kosovë e vlerëson si të qetë.