2011-02-15 17:23:55

Imzot Rino Fizikela: “E kemi për detyrë që të njihet Fytyra e vërtetë e Zotit, e mjetet e komunikimit janë të nevojshme për këtë kumtim.”


(15.02.2011 RV)Teknikat e reja, kultura në misionin e Kishës dhe ungjillëzimi i ri. Këto janë temat në qendër të Asamblesë hapur dje në Madrid, në Spanjë, të delegatëve dioqezanë përgjegjës për mjetet e komunikimit shoqëror. Në konferencën e hapjes Imzot Rino Fizikela, kryetar i Këshillit Papnor për Promovimin e Ungjillëzimit të ri, u ndal tek “Domethënia e të qenit të krishterë në shoqërinë e sotme.”
Në dymijë vjet histori, kujtoi Imzot Fizikela, “Kisha nuk ka e ka braktisur kurrë detyrën e saj të ungjillëzimit” dhe kjo detyrë është themelore edhe në këto çaste krize vlerash, në të cilën, roli i katolikëve merr një rëndësi akoma më të madhe.” Për t’i dhënë forcë pikërisht shpirtit misionar të Kishës në një shoqëri në të cilën feja duket se është dobësuar nga presionet e shekullarizmit, muajin që kaloi, Papa Benedikti XVI themeloi Këshillin Papnor për Ungjillëzimin e ri. “Një intuitë profetike e Papës Racinger” e vlerësoi imzot Fizikela themelimin e këtij dikasteri të ri. Sipas Imzot Fizikelës ky institut do ta ndihmojë Kishën për të kryer detyrën e saj “në një botë që i është nënshtruar ndryshimeve të thella kulturore.”. Përballë këtyre ndryshimeve është detyrë e të gjithë neve ta forcojmë fenë. Në këto çaste jemi të thirrur të jemi misionarë me forcën e arsyes e të tregojmë se kjo “nuk është në kundërshtim me fenë” – shtoi prelati. Një gjuhë e re komunikimi është e nevojshme dhe në shoqëritë perëndimore, gjithnjë e më shumë të karakterizuara nga informacioni, mjetet e informacionit nuk duhet të shihen thjeshtë si teknologji por si “një univers i mendimit me potenciale të mëdha. Më tej Imzot Fizikela u ndal tek dukuria e shekullarizimit, duke vënë në pah se përballë eklipsit të kuptimit të jetës, mund të tundohemi të mendojmë se njeriu është zot i jetës dhe i vdekjes sepse mund të vendosë kur, e si e qysh. “Kisha, shpjegoi më tej prelati, duhet t’i flasë njeriut të sotëm për Zotin dhe duhet të bëjë që njerëzit ta njohin Fytyrën e vërtetë të Zotit. “Të gjitha mjetet e komunikimit janë të nevojshme për këtë kumtim.” – e përfundoi fjalën e tij Imzot Fizikela.







All the contents on this site are copyrighted ©.