Atë Anton Harapi lajmëtar paqe e mbrojtës drejtësie në kujtimin e Atë Danjel Gjeçaj
Me rastin e përvjetorit të pushkatimit të martirit të fesë së krishterë e kolosit
të kombit, Atë Atnon Harapit ofm po propozojmë një portret të këtij gjiganti sipas
Atë Danjel Gjeçajt ofm, pjesë nga parathanja e librit të Pater Anton Harapit, “Andrra
e Prêtashit” Roma, 1959 “Hini i vogël në Kolegjën Françeskane mbasi shijoi atê
të Jezuitvet, ku la vëllán e vet, Markun, të cilin aq fort e deshti. S’e tërhoqën
nishanat, qi për zotsi mësimesh i zbukuruen jelekun nën hijen e Shën Saverit. Desht
mâ fort përvujtënit e Fratit pa nám, pa zhurmë. Nuk i u dhimbtën brakeshat e bardha,
mâ të bardha se shkumbët e liqenit, as caruqet e kuqe, as fesi i purpurtë me tufë
qi i mbulonte shpatullat e vogla. La këto dhe veshi zhgunin e vrashtë, ngjeshi litarin,
pranoi kambën zdathë. Mocatarët kolegë të ri, prituen t’a thërrasin me emën të ligjimit.
S’ndigjuen t’i sjellen as me emën të dytë të fretnimit. E quejtën përherë. “Shirokë”. Ndoq
këndimet n’atdhe, nën drejtimin e Fishtës, nga i cili thithi dashtunin për Provinçë,
për popull dhe Komb. Pajisi menden dhe fisnikoi zemrën me kulturën meshatarake nën
udhëheqen e Fretënve Austrijakë të Tirolit, qi përherë i çmuen Shqiptarët dhe i përkrahën
si vëllazën. Atje në Salzburg e Schwaz “Shiroka” muer dijen, fitoi përpikmenin gjermane,
qendresën dhe shpirtin françeskan. Kthei Meshatár i shortuem me vrullin e shqiptarit
dhe peshimin nordik. Në trollin fretnuer të Shkodrës u ndeshën dy rrymë: grupi
i parë me edukatë boshnjake me Fishtë, Bardh e Gjeçov; grupi i dytë me kulturë austrijake
me Prenush, Harap, Rrotë e Gjokë. S’u përpin ndër vedi – si e kanë dokoe lumejt e
rrëmbyeshëm – të cilvet u gjasuen në veprim U pëzien përkueshëm në tallaze të përbashkta
veprimtarije si valët e këthiellta të Cemit me ujin e Moraçës në Liqenin e Shkodrës. Vjetin
1910 Gaspri i Loros e i Çiles âsht Atë Anton, Shiroka frat, frati apostull. I lëshojnë
në dorë rinín françeskane. U ep mësim fëmijëvet të qytetit të Shkodrës. Rrethimi
i Shkodrës (Tetuer, 1912 – Prill, 1913) e xên në Kuvendin e Arrës së Madhe, m’anë
qytetit. Banesa fretnore kthehet në strehim qytetarësh dhe sofër nevojtarësh. Ûja
ngushton banorët. Këlkazat mbarohen. Zhduket burdullaku aravet. Koret, purrijt e gjarpnit
dhe tharbcat bâhen ushqim i kërkuem. Pak-kushit i del të turbullojë ujët e vluem me
krunde. Në gjashtë muejë qendrese mishi i kualve, këthye në stërvina nga topat malazezë
dhe heroizmi Hasan-Rizajan, kërkohet si meze. Fretënt më ketë rasë e me ta atë
Antoni, diftohen çmos kurr, Fretën. Aleksandër Manzoni në romanin e vet “Të Fejuemët”
shprehet, “ Françeskanët janë si deti qi merr ujë prej lumejvet dhe të njajtin ujë
u a kthen”. Françesku i Assisi-t në vorfëní qi zgjodhi për bashkëshorte jetet, u pat
premtue bijvet të vet t’ardhëshëm: “Me nji bukë, nga e cila tri hise ka për t’i hangër
bota, nji hise kanë për t’a pasun ndjeksit e mij”. Te dera e kuvendit rrâjshin
përditë të vorfën. Merrshin nji kupëz çorbë nga ajo qi Fretënt pregatitshin për vedi.
Kazani ishte përherë i njajtë: numri i miqvet ditë më tjetër. Puna merr hapët dhe
ndihma e Françeskajëvet gjikohet propagandë politike. Kishim mbetë pa gjâ – rrëfen
mâ vonë Harapi – dhe s’dijshim se si do t’u përgjegjëshim të vorfënvet ne e nesre.
Aq mâ pak kuptojshim se shka bluejshin auktoritetet ushtarake për né Bâmë si bâmë
dhe atë ditë turbulluem ujët e kazanit me nji grusht miellë dhe kështu kondenuem t’unshëmit.
Ndër ta, pa dijenin tonë, paskena pa’ pasë edhe dy zyrtarë të huej, të veshun “tevdil”.
Na, si gjithmonë, bashkë me gjellë dajshim ngushllimin e zemër, epshim, dér ku mujshim,
qendresë e uzdajë kristjane. Në muzgun e natës na troklen dera e kuvendi. Dy të panjoftun
na paraqesin papritmas nji dhantí të çuditëshme: dy thashë miell. “Jemi informue –
shtojën ata – se Françeskajët s’bâjnë politikë, por e duen popullin dhe u ndihmojnë
të vorfënvet. Këjo âsht vepra mâ e madhja humanitare dhe dashtunija e krishtenë”.
Ishin dy të vobekët hetues të mjesditës para. Në pranverë të vjetit 1916 malet
e Veriut e sidomos Bjeshkët e Dukagjinit i shkreton kolera. Këputen halët legjendare
të Kukelave vigâj. Rrëzohen fatozat e viseve mâ shqiptare. Shuhen familje dhe dalin
troje nën vnerin e lëngatës përbindëshe. Armët e banorëvet malorë jesin shkret ndër
kûja dhe grát fisnike në xhubleta i vjerrin, tepricën, ndër rrêma të thát të lisave
mrizorë. Ûja shterrë syt e njomë të fëmijëvet dhe logjet e burravet e oborret e kullavet
e mrizet e gurravet mbulohen me të dekun. Vetëm rregjistri i Kishës së Shalës shênjon
nga Prilli deri në vjeshtë 575 të vdekun prej koleret. Atë Antoni, në mâ tëmirën
moshë të jetës hin vullndetisht ndër të koleruem. Harron se lëngata âsht nëgjitse
dhe se këjo hapet porsi helmi i gjarpnit në trupin e njomë t’atij qi e xên. Shpërvjelë
zhgunin dhe s’topitet t’u çojë të mbramin ngushllim të Fés atyne, të cilt njerzimi
e deri të vetët i përbuzshin. Nuk i trembet dekës as s’e frigon flija e bashkëvëllaut
t‘Urdhënit, Atë Rrok Vataj-t, qi rrëxohet, 31 vjetësh, në shërbim të koleruemëvet
(Këlmend, 4 Gusht 1916). Théth, Ndërlysaj, Kaprré, Gimaj, Lekaj e Curraj âsht lâma
e veprimit veruer të Harapit. Vetëm kush i njef këto vende mund të gjikojë se sa mundëshme
dhe e hapët qe fusha e apostullimit. Ai vetë kallxon: “Çoheshim ne natë. Nga qela
e Thethit ndiqshem planin e paracaktuem t’udhtimit. Trokllojshem ndër dyerë, gjysë
të çeluna, të kullave e kasollave të gjâs prej kah dilte nji taft trupnesh në zhgatrrim,
jetësh në rektim. Gjamët hove-hove, si t’ardhuna nga nëndheu, më grishëshin të hijshem
mbrendë. Ropt e shpis, endè të paprekun nga sëmundja, përkundra, më bërtitshin: “O
Zotni, për hatër të Zotit, mos e kalò prakun e derës se po përlyhësh!” S’veshtrojshem
shka më thojshin ata. Zoti më kishtë tretë çdo frigë. Nji gëzim qi s’mund të shprehet,
por qi në të tilla rasa provohet, më gufonte në zemër. Buzë qi nemzi luejshin, zâje
qi nemzi ndigjoheshin, krahë të mbytun në prrocka vëneri, drejtoheshin kah un. “I
bekue, mirë se të ka pru Zoti! Vetëm ti në tanë botën nuk na harron në ketë ças. Ku
hin ti, hin Zoti. Deshirojmë të pajtohemi me Lumnin dhe të rehatojmë shpirtin”. Shpesh
pak mbrapa më përhiqshin ndër duerë të lum e të qetët. Ç ngushullim! Dy muejë shërbimi
më kaluen si era, plot mundë, plot ngushllime, plot gëzim. Rrallë kthejshem të qela
qendër – në Thèth – për të pushue. Trupi njimend shlodhej, por zemra më terhiqte te
të sëmundët. Këjo qe koha mâ e bukra e jetës seme – përfundonte kallximin Frati”. Vjetin
1918 Harapin e gjejmë famullitár në Grudë. Ndër banorët e Cemit, mjes urtís e burrnís,
në grumbullin e virtyteve thjeshtë shqiptare, del në shesh nji fëtyrë dalluese e kombit:
Frati. Në 1924 ndërron formë qeverija (24 Dhetuer). Burgjet e qytetit të Shkdrës
tërnojnë banorë. Dalin nji palë: xevendsohen me tjerë. Ndër ta s’mungon zhguni. Nën
zhgun Atë Palaj, Atë Harapi e tjerë. Edhe këtu buzëqeshun e i qetët si ai “n’zemër
të cilit nuk randojnë punë të liga”. Jemi në vjeshtë të vjetit 1926. Dukagjini
nisë kryengritjen. Bien postat e vendit, dorzohet nënprefektura e Kodër-Shën Gjergj.
Pushkatarët dynden si lumi i Kirit mbas shinavet të stinës dhe bienë në Drishtë, pranë
kalás së Lekës. Dridhen ledhet e të Dukagjinasit para bijvet të vet t’idhnuem. Ura
e Mesit, me harqe venecjane të cilat nuk u dërmoi moti, luhatet shrregull. Merret
komanda e Shtojt, Burrnija, qi me luftë âsht strategji e keqe, ndërron fatin e fituesavet.
Malsorët thehen. Burra, grá, pleq e fëmijë shtërngohen ndër pranga nga forcat qeveritare.
Shën Nëkolli e Krishtlindja i xanë zdeshë, pa votër, pa zjarm, pa berrin e qirin e
festës, pa kashatën e gojës. Atë Antoni bashkë me sivëllazënt e vet nisë fushatën
e ndihmavet. Trokilon ndër dyerët bujare të Shkodrës e në dyqanet e qytetit. Gjen
zemra fisnike. Të burgosunt pajisen me zjarm, me petka e deri me dyllë feste. Qiri
trashigimtár u shëndritë të ngujuemvet fëtyrën e zbét dhe u ngjall shpirtin e ngushtuem.
Urojnë Shêjtin e fisit, Krishtin e lém, motmotin qi ndërron dhe bekojnë Fratin e vet,
qi kurr nuk i harron. Në vjetin 1942 dy bajrakë të Veriut nxêhen keqas për punë
kufinit, Shala, atje në Qafën e Tëthores, shtyn gurin shefitár të bjeshkës n’anë prej
Bogës dhe ngrehë, kundra vullndesës së mbramëvet, elterin e kryqit. Fisi i Kelmendit
preket dhe, në fuqi të Kanunit të Malevet, kërkon arsye. Mbëlidhen në kuvend burrat
e dy´ anëvet. Përpiqen, rropaten, s’kursejnë urtí as squetsí kompromisi. Gjithshkafja
kot. I Shaljani e kishte bâ menden okë t’i a fitonte fisit të vet tokën me gjak. Zhgulen
gurët, piramide, shèjte Kanunit. Hiqet Kryqi natën. Zemrat pezmatohen. Rrâjnë bajraktarë
në zâ për t’a ndreqë çashtjen: Kolë Ndou i Shalës e Lulash Gjeloshi i Shoshit.Ulet
në pleqní Djomendi i Malevet dukagjine, Mark Sadiku i pari i Djelmënís, me kambë fisi
e këshilltarë tjetë, nipa të Pál Dukagjinit. I presin në kuvend burrash Lekët e Malsis
së Madhe me Bajraktarë e Vojvodë të Kelmendit kreshnik. Në kvadrin homerik mungon
nji fëtyrë: Frati, lajmtár paqe e mbrojsë drejtsije. Atë Antoni vrapon nga Shkodra
e atje në bjeshkët e vrashta, kufi dy´ malsish, zbutë mënin e të pezmatuemëvet, kryqzon
armët e kreshnikëvet dhe u dán pleqnin. Zabiti e then kanunin me forcë, por âsht e
jet mâ i vogël se ai; Frati e pezullon ligjin doketár dhe e shndërron atë përse âsht
mâ i madh se vetë ligjëdhansi. Vjetin 1937 Harapi largohet nga Shkodra. Shijon
për herën e fundit jetën famullitare. Në Bajzë të Kastratit ai shprehë zellin e Meshatarit
të ri, peshimin e Fratit të rrahun. Fshati ndërron faqe. Veprimtarija e tij në pak
kohë dnon ndieshëm analfabetizmin, hjek vese e mëni, shtjen paqë e dashuni. Fëmija
e katundit bâhen mësuesa dokesh së mira. Edhe sot Bazjanët e mbajnë mend atë kohë
dhe e cilsojnë si përjudhën e artë të famullis së vet.
Pjesë nga Parathanja
e librit të Pater Anton Harapit, “Andrra e Prêtashit” Roma, 1959