(14.02.2011 RV)Nuk ndalet vala e revoltave në vendet arabe, ku kërkohen më
shumë të drejta e demokraci. Efekti domino ka përfshirë prej ditësh Algjerinë, Jemenin,
Bahreinin dhe Mauritaninë. Edhe në Tunizi, gjendja është larg normalitetit, pas dorëheqjes
së ministrit të jashtëm të qeverisë së përkohshme. “Pas Mubarakut, Aliu” thërriste
sot paradite turma e mbledhur në kryeqytetin e Jemenit, Sana’a. Manifestime
edhe në qytetin industrial Taiz, ku forcat e sigurisë shtinë në ajër për të shpërndarë
njerëzit. Protestat vazhdojnë prej ditësh, pavarësisht nga gatishmëria për dialog
me opozitën, shprehur nga presidenti Ali Abdallah Saleh, në pushtet që prej 32 vjetësh.
Presidenti ka premtuar që të mos kandidohet në zgjedhjet e ardhshme dhe të mos ia
kalojë detyrën të birit, por njerëzit nuk i besojnë më. Tension i lartë edhe në
Algjeri, pas protestave të së shtunës së kaluar. Sot, Ministri i jashtëm deklaroi
se do të hiqet gjendja e emergjencës, në fuqi që prej 19 vjetësh, por saktësoi se
situata nuk është si ajo e Egjiptit. Po sot, në Bahrein u zhvillua manifestimi
i quajtur “dita e zemërimit”, organizuar nga opozita shiite. Mëse një dyzinë të plagosurish,
në ndeshjet me policinë. Ndërkaq, në Mauritani, kanë mbushur sheshet sindikatat,
që dje kërkuan rritjen e pagave. Edhe vendet e tjera ndjekin me interes gjendjen e
krijuar, e cila do të jetë në qendër të punimeve të Lidhjes Arabe, më 29 mars në Bagdad.
Madje Izraeli prononcohet për protestat e vendeve arabe. Kryeministri Netanijahu deklaroi
se ushtarët izraelitë janë gati për çdo rast, pasi “paqja e fqinjëve – tha ai – bazohet
mbi ushtrinë izraelite… Një tërmet po lëkund fuqishëm botën arabe e myslimane e nuk
e dimë si do të shkojë puna”, komentoi Netanijahu, duke shprehur shqetësimin e të
gjitha kancelarive perëndimore.