Shën Cirili, murg dhe Shën Metodi, ipeshkëv -vëllezër, bashkëpajtorë të Evropës
(14.2.2011 RV)Sot më 14 shkurt Kisha katolike përkujton festën e Shën Cirilit, murg
dhe Shën Metodit, ipeshkëv – vëllezër, bashkëpajtorë të Europës, Apostuj të Popujve
sllavë. Gjithnjë më 14 shkurt përkujtohet edhe Shën Valentini, ipeshkëv. Përkujtimi
liturgjik i Shën Cirilit e Metodit, në këtë periudhë historike na ndihmon në përforcimin
e lidhjes shpirtërore, përmes fesë e vlerave shpirtërore ndërmjet banorëve të Kontinentit
të Vjetër dhe për të kërkuar mbrojtjen e tyre qiellore, që zgjerimi i Bashkësisë Evropiane
të ndihmojë për të marrë frymë me të dyja mushkëritë. Shën Cirili, murg dhe Shën
Metodi ipeshkëv, më 31 dhjetor të vitit 1980 me Letrën Apostolike “Egregiae virtutis”
u shpallen “Pajtorë të Evropës” nga Gjon Pali II së bashku me Shën Benediktin, të
cilin më 24 tetor 1964 e pati shpallur “Pajtor i Evropës” Papa Pali VI me Letrën Apostolike
“Pacis Nuntius”. Cirili e Metodi vëllezër të një gjaku e të një feje, lindën në
Thesalonia ( Selanikun e sotëm në Greqi) në fillim të shekullit IX-të. Me kulturë
bizantine, hyjnë në marrëdhënie të ngushta me Kishën e Kostandinopojës, u bënë misionarë,
së pari ndër Katarët e Krimesë e më vonë ndër popujt e Panonisë e të Moravisë së Madhe.
Krijuan alfabetin sllavë dhe përkthyen në këtë gjuhë Shkrimin e Shenjtë ( Biblën)
si dhe tekstet e liturgjisë latine, për t’ia hapur popujve të ri thesaret e Fjalës
së Zotit e të Sakramenteve. Për këtë mision apostolik, pësuan mundime e vuajtje
të çdo natyre, por i përballuan të gjitha vështirësitë me besnikëri e dashuri të patundur
duke predikuar Ungjillin e Krishtit e duke përhapur Mbretërinë e Zotit. Papa Adriani
II e pranoi veprën e tyre duke miratuar gjuhën sllave për shërbime liturgjike. Me
fjalë tjera, Papa Adriani II lejoi që gjuha e re sllave të përdorët në kremtime të
Liturgjisë Hyjnore ndër popujt sllavë. Shën Cirili vdiq në Romë më 14 shkurt të
vitit 869, në moshën 42 vjeçare dhe është varrosur në Bazilikën e Shën Klementit gjithnjë
në Romë. Shën Metodi, i shuguruar ipeshkëv i Sirmios ( Sremska Mirtovicës së sotme
në Serbi) qe emëruar legat i Papës pranë Sllavëve, ndërsa vdiq në Velehrad ( Cekinë
e sotme) më 6 prill 885. Këtyre dy shenjtorëve të mëdhenj, misionarëve të palodhur
që tërë jetën ia kushtuan përhapjes së Ungjillit ndër popujt sllavë, e që përpiluan
dy alfabete për ta: çirilicen dhe gllagolicen, për ta bërë Fjalën e Zotit të kuptueshme
nga popujt e përmendur, dhe për t’i mishëruar vlerat ungjillore në jetën e tyre, Papa
Gjon Pali II më 2 qërshor 1985 ua kushtoi njërën prej Enciklikave të tija : “Sllavorum
Apostoli”. Po përfundojmë duke thënë se me të drejtë Shën Cirili e Shën Metodi konsiderohen
Etër të krishterimit e të kulturës së popujve sllavë, urëlidhëse për bashkimin e plotë
ndërmjet Kishave më të lashta me Kisha e reja. Sikur thamë më parë, gjithnjë sot
më 14 shkurt, kalendari kishtar përkujton edhe Shën Valentinin, ipeshkëv i Ternit
të Italisë, pajtori i të fejuarve dhe i njerëzve të dashuruar. Sipas të dhënave
të “Martirologut Jeronimian” Shën Valentinit ipeshkëv e martir, i qe prerë koka në
shekullin e VIII në rrugën Flaminia në Romë për shkak të besnikërisë së tij të patrembur
ndaj Krishtit dhe përhapjes së dashurisë ungjillore. Shën Valentini përmendet që në
vitin 199 si qytetar e ipeshkëv i Ternit e , sidomos si njeri i famshëm për shenjtërinë
e jetës, për bamirësinë e përvujtërinë, për apostullimin e zellshëm e për mrekullitë
e ndodhur me ndërmjetësimin e tij pranë Hyjit. U burgos nën Aurelianin Perandor për
shkak se refuzoi ti adhuronte idhujt dhe iu pre koka në Romë. Ishte data 14 shkurt
273. Trupi i tij u mbart në Terni, ku edhe sot e kësaj dite ndodhen reliket e tij. Pra,
Shën Valentini njeri i vendosur e guximtar, është një shenjtor që mbron ata njerëz
që lejojnë zemrën e tyre të drejtohet, të udhëhiqet nga dashuria e vërtetë për Zotin
dhe për të afërmin.