2011-02-14 19:15:50

Papa në Engjëllin e Tënzot: një shoqëri solidare e vëllazërore mund e duhet t’ì parandalojë ngjarjet tragjike.


Në lutjen e Engjëllit të Tënzot dje ne Vatikan, duke kujtuar ‘Predikimin në mal’, Benedikti XVI nënvizoi se dashuria për Zotin e për të afërmin janë dy shtyllat, mbi të cilat përkryhet Ligji i Krishtit. E reja që solli Krishti - shtoi Papa – duhet kërkuar në faktin se është vetë Ai, që i mbush dhjetë urdhërimet përplot me dashurinë e Hyjit Atë.

Në faqen e Ungjillit, lexuar gjatë Liturgjisë së djeshme, Jezusi shpall Ligjin e Ri, Torah. E, sqaron se nuk erdhi ndërmjet njerëzve për ta shfuqizuar Ligjin, por për ta përkryer atë. Duke iu drejtuar dishepujve të vet, shton: “Në se drejtësia juaj nuk do të jetë më e madhe se drejtësia e skribëve dhe e farizejve, nuk do hyni në Mbretërinë e qiellit”:

“Jezusi e shpjegon këtë me një sërë antitezash ndërmjet urdhërimeve të vjetra e mënyrës së re, me të cilën i propozon. Sa herë flet, e nis bisedën me shprehjen: “Keni dëgjuar se u qe thënë të vjetërve: ‘Mos vra! Kush vret, do të jetë përgjegjës para gjyqit”: E unë po ju them: ‘Kush do të zemërohet kundër vëllait të vet, do të jetë përgjegjës para gjyqit. E kush do t’i thotë vëllait të vet ‘budalla’, do të jetë përgjegjës para Sinedrit; kush do t’i thotë ‘i marrë’, do të përgjigjet në zjarrin e ferrit”. E kështu për gjashtë herë me radhë”.

Kjo mënyrë e të folurit – shpjegoi Papa – bënte përshtypje të madhe në turmë. Njerëzit, që e dëgjonin, mbeteshim me gojë hapur nga admirimi, por edhe nga tmerri, sepse shprehja “E unë po ju them” përdorej në një mënyrë të tillë, që të bindte se ai po fliste me autoritetin e Zotit, që është burim i vetë Ligjit”:
“E reja, që sjell Jezusi, qëndron në faktin se është Ai vetë që ‘i mbush’ urdhërimet me dashurinë e Zotit, me forcën e Shpirtit Shenjt, i cili na bën të aftë ta jetojmë dashurinë Hyjnore. Prej këndej, çdo ligj bëhet i vërtetë si kërkesë e dashurisë, e të gjitha ligjet bashkohen në një ligj të vetëm: duaje Zotin me gjithë zemër e duaje të afërmin si vetveten”.
Duke kujtuar fjalët e Shën Palit e njëkohësisht edhe episodet tragjike të kohëve të fundit, Ati i Shenjtë shtoi se ligji përkryhet përmes dashurisë:
“Përballë kësaj kërkese, për shembull, rasti i dhimbshëm i katër fëmijëve Rom, që vdiqën javën e kaluar në rrethinat e këtij qyteti, në barakën e tyre të djegur, na shtyn t’i bëjmë vetes pyetjen në se një shoqëri më solidare e më vëllazërore do të kishte mundur ta shmangte një fakt kaq tragjik. E kjo pyetje vlen edhe për shumë ngjarje të tjera, po kaq të dhimbshme, pak a shumë të njohura, që ndodhin ditë për ditë në qytetet tona e në vendet tona”.
E nuk është rastësi – pohoi Benedikti XVI – që predikimi i parë i madh i Jezusit, njihet me emrin “Predikimi i malit”. Moisiu – shtoi Ati i Shenjtë – u ngjit mbi Sinai për të marrë ligjin nga Zoti e për t’ia sjellë Popullit të zgjedhur:
“Jezusi është Biri i vetë Zotit, që zbriti nga qielli, për të na çuar në qiell, në lartësinë e Zotit, në rrugën e dashurisë. Madje Ai vetë është kjo rrugë; nuk duhet të bëjmë gjë tjetër, veçse të ecim pas Krishtit, për të vënë në jetë vullnetin e Zotit e për të hyrë në mbretërinë e tij, në jetën e pasosur”.
Një krijesë e vetme – kujtoi Papa – ka arritur tashmë në majën e malit: Virgjëra Mari. Falë bashkimit me Jezusin, drejtësia e saj ishte e përkryer. Prandaj – i ftoi besimtarët Ati i Shenjtë – t’ia besojmë vetveten Asaj, e Ajo do t’i drejtojë hapat tonë në rrugën e besnikërisë ndaj Ligjit të Krishtit”:
“Rasti i dhimbshëm i katër fëmijëve Rom, që vdiqën javën e kaluar në barakën e tyne të djegur, në rrethinat e Romës - tha Papa - na shtyn të mendojmë se në një shoqëri më solidare e më kristiane, mund të ishte shmangur një ngjarje kaq tragjike”.







All the contents on this site are copyrighted ©.