2011-02-14 10:23:03

Papa Benedikti XVI për jetëshkrimin e Shenjtorëve Çirili e Metodi.


Shenjtorët Çirili e Metodi, vëllezër me gjak e me fe, njihen nga të gjithë si apostuj të sllavëve. Çirili lindi në Thesalonik rreth viteve 826-827. Ishte më i vogli i shtatë fëmijëve të gjykatësit perandorak, Leonit. Që i mitur, mësoi gjuhën sllave. 14 vjeç u dërgua në Kostandinopojë për t’u edukuar e qe shok me perandorin e ri, Mikeli III. Gjatë këtyre viteve studioi lëndë të ndryshme universitare, ndërmjet të cilave, dialektikën, me mësues Focin.
Pasi nuk pranoi një martesë të shkëlqyer për ardhmërinë e tij, vendosi t’i kushtohej shërbimit meshtarak e nisi të punojë si bibliotekar i Patriarkanës. Pas pak kohe, duke dashur të jetojë në vetmi, shkoi e u fsheh në një manastir, por u zbulua shumë shpejt e u caktua të japë mësimin e shkencave kishtare e profane. E ia doli mbanesh aq mirë kësaj detyre, sa të meritonte epitetin ‘Filozofi”. Ndërkaq vëllai i tij, Mikeli (i lindur në vitin 815 pas Krishtit), pas një karriere administrative në Maqedoni, aty nga vitit 850 braktisi jetën e botës për të nisur jetën murgare mbi Malin Olimp në Bitiní, ku ndërroi emrin e u quajt Metod (emri i ri i murgut duhet të fillonte me të njëjtën shkronjë të atij të Pagëzimit), e u bë igumen i manastirit të Polychron.
I tërhequr nga shembulli i të vëllait, edhe Çirili vendosi ta linte mësimdhënien, për të shkuar në Malin e Olimpit e për ta vijuar jetën duke medituar e duke u lutur. Disa vjet më vonë (861 pas Krishtit), qeveria perandorake e ngarkoi me një mision pranë khazarëve të Detit Azov, të cilët kërkonin t’u dërgohej një njeri i mësuar, që të ishte në gjendje të diskutonte me hebrenjtë e me saraçenët. Çirili, i shoqëruar nga i vëllai, Metodi, i ra kryq e tërthor Krimesë, ku mësoi edhe hebraishten. Këtu kërkoi edhe trupin e Papës Klementi I, që kishte jetuar i mërguar në këtë vend, ku edhe kishte vdekur. Ia gjeti varrin e, kur së bashku me të vëllain, mori udhën e kthimit, mbarti me vete edhe reliket e çmuara.
Si arritën në Kostandinopojë, dy vëllezërit u dërguan në Moravi nga Perandori Mikeli III, të cilit princi Ratislav i kishte bërë këtë kërkesë: “Populli ynë – pati thënë ai – që kur hoqi dorë nga paganizmi, jeton sipas ligjit të krishterë; por nuk kemi një mësues, që të jetë në gjendje të na e shpjegojë fenë e vërtetë kristiane në gjuhën tonë”.
Duke përkthyer liturgjinë në gjuhën sllave, dy vëllezërit fituan një simpati të madhe në popull. Por ishte pikërisht kjo simpati, që u bë shkak edhe për lindjen e armiqësisë nga ana e klerit frank, që kishte arritur para tyre në Moravi edhe i konsideronte këto vise, si troje të misionit të tij kishtar. Për t’u përligjur, në vitin 867, dy vëllezërit u nisën për në Romë.
Gjatë shtegtimit u ndaluan në Venedik, ku morën pjesë në një diskutim të ndezur me ithtarët e së ashtuquajturës ‘herezi trigjuhëshe’: këta ishin të mendimit se Zoti mund të lavdërohej vetëm në tri gjuhë: hebraike, greke e latine. Pikërisht këtij mendimi vëllezërit iu kundërvunë me forcë. Në Romë Çirili e Metodi u takuan me Papën Adriani II, që u doli para me procesion, për t’i pritur me nderimin e duhur reliket e Shën Klementit.
Papa e kishte kuptuar mirëfilli edhe rëndësinë e misionit të tyre të jashtëzakonshëm. Nga gjysma e mijëvjeçarit të parë, një numër i madh sllavësh qenë vendosur në këto troje, ndërmjet dy pjesëve të Perandorisë Romake: lindore e perëndimore, që ishin në tension të vazhdueshëm ndërmjet tyre. Papa e kuptoi se popujt sllavë mund të luanin rolin e urës, duke kontribuar kështu në ruajtjen e bashkimit ndërmjet të krishterëve të njërës e të tjetrës anë të Perandorisë. Prandaj nuk ngurroi ta miratonte misionin e vëllezërve në Moravinë e Madhe, duke pranuar e duke miratuar edhe përdorimin e gjuhës sllave në liturgji. Librat sllavë u vendosën mbi elterin e Shën Marisë së Phatmésë (Bazilika e Shën Marisë së Madhe), e liturgjia në gjuhën sllave u kremtua në Shën Pjetër, në Shën Andre e në Shën Pal.
Për fat të keq në Romë Çirili u sëmur rëndë. Duke e ndjerë se po i afrohej vdekja, deshi t’i kushtohej plotësisht Zotit si murg, në një nga manastiret greke të qytetit (ka shumë mundësi në Shën Prassede) dhe mori emrin Çiril (emrin e pagëzimit e kishte Kostandin). Pastaj e luti me këmbëngulje Metodin, i cili ndërkaq ishte shuguruar ipeshkëv, të mos e braktiste misionin në Moravi e të rikthehej në gjirin e këtyre popullsive. Vdiq më 14 shkurt të vitit 869.
Duke e mbajtur besën që i kishte dhënë të vëllait në shtratin e vdekjes, një vit më pas, më 870, Metodi u rikthye në Moravi e në Panoni (Hungaria e sotme), ku u sulmua rishtas nga kundërshtarët e vjetër frankë, që i vunë prangat dhe e flakën në burg. Por ai nuk u dëshpërua e kur, më 873, u lirua, zhvilloi një veprimtari të gjithanshme për organizmin e Kishës, duke u kujdesur edhe për formimin e një grupi dishepujsh. Ishte meritë e këtyre dishepujve, në se u kapërcye kriza që shpërtheu pas vdekjes së Metodit, i cili ndërroi jetë më 6 prill të vitit 885.
Të persekutuar e të shitur si skllevër, këta dishepuj u çuan në Venedik, ku i çliroi një funksionar kostandinopojan, që i lejoi edhe të riktheheshin në vendin e tyre, për të vijuar misionin e nisur nga Metodi, duke përhapur Ungjillin në trojet e “Rus”, siç quheshin asokohe. Zoti, me provaninë e tij, e shfrytëzoi deri persekutimin, për të shpëtuar veprën e Vëllezërve, nga e cila ka mbetur edhe dokumentimi letrar. Mjafton të mendojmë për vepra si Evangeliario (perikopetë liturgjike të Besëlidhjes së Re), Psalteri e tekste të tjera liturgjike në gjuhën sllave, të cilat u punuan nga të dy Vëllezërit.
Pas vdekjes së Çirilit, Metodit dhe dishepujve të tij duhet t’u jemi mirënjohës për përkthimin e plotë të Shkrimin Shenjt, për Nomokanonin (Kanunet e Kishës së Bizantit) dhe Librin e Etërve të Kishës. (nga 17.06.2009 RV)







All the contents on this site are copyrighted ©.