2011-02-14 16:03:55

Dita e parë pa emigrantë në Lampeduzë, ku qëndrat janë të mbushura plot


(14.02.2011 RV)Sot është dita e parë, që në Lampeduzë të Italisë nuk kanë ardhur barka me emigrantë nga Tunizia, pas 5 mijë vetëve të 5 ditëve të fundit. Asnjë gjurmë për anijet, që u sinjalizuan dje, 87 e 37 milje larg nga ishulli. Mendohet se janë kthyer mbrapsht, por kërkimet vazhdojnë. Ndërkaq, 125 emigrantë janë transferuar në Porto Empedokle e të tjerët po shpërndahen dalëngadalë në qendra të tjera të Sicilisë, për të mos krijuar mbipopullim në Lampeduzë, ku gjithsesi priten emigrantë të tjerë. Vërtet, nëse në ishull sot nuk ka pasur zbarkime, 16 tunizianë kanë mbërritur në Pocalo dhe 11 të tjerë në Panteleri, po në Sicili. Tragjedia që pritej në Itali, ka ndodhur në brigjet tuniziane. Një motovedetë është përplasur qëllimisht me një nga barkat e emigrantëve, duke shkaktuar 29 viktima.
Italia ka kërkuar ndërhyrjen e Bashkimit Evropian, për një problem që nuk është vetëm i saj, por i krejt Evropës. I jep të drejtë Ministria e jashtme gjermane, që kërkon vlerësimin e gjendjes me partnerët e tjerë të 27-shes, për të marrë masat e nevojshme. Të njëjtën gjë, kërkon edhe famullitari i Lampeduzës, don Stefano Nastazi, i cili ka hapur të gjitha strukturat e kishës për të strehuar emigrantët. “Janë ndryshe nga emigrantët e zakonshëm – thekson famullitari. Ka njerëz me universitet, ose punëtorë, që kanë humbur punën pas ngjarjeve në Tunizi. Shumë firma të huaja janë larguar nga vendi, prandaj njerëzit kanë mbetur pa punë… Një pjesë e madhe e emigrantëve nuk duan të qëndrojnë në Itali, por të shkojnë në Francë, në Belgjikë e në Gjermani”.







All the contents on this site are copyrighted ©.