2011-02-13 14:33:58

Radio Vatikani feston 80 vjetorin e ditëlindjes. Atë Lombardi: 80 vjet teknikë e mision


Lindur më 12 shkurt 1931, Radio Vatikani kaloi jo më larg se dje pragun e 80 vjetëve. Por Radioja e Papës nuk ndihet aspak e moshuar e shikon përpara drejt objektivave të reja.
Të premten, në Muzetë e Vatikanit, u paraqitën aktivitetet, që do të zhvillohen për të kremtuar këtë përvjetor. Po të premten, u përurua edhe një ekspozitë mbi Radio Vatikanin, në hyrje të Muzeve. Kujtojmë se 12 shkurti i vitit 1931 ishte ditë e enjte. Radioja hapi programet me radiomesazhin e parë në latinisht të Papës Piu XI, në praninë e Guljelmo Markonit, shpikësit të famshëm, që realizoi stacionin radiofonik për Vatikanin, si edhe të atë Xhuzepe Xhanfrançeski, jezuit, drejtori i parë i Emitentes sonë. Këtij argumenti ia kushton komentin javor zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi. Ta dëgjojmë:
“Shpikjet e mia janë për ta shpëtuar njerëzimin, jo për ta shkatërruar!”. Këto fjalë të Guljelmo Markonit, shkencëtarit të madh, shpikësit të radios, qenë edhe motoja e tij. Fakti që përmes radios mund të shpëtoheshin shumë jetë njerëzish, kur fundoseshin anije të mëdha, ishte një nga meritat e para humanitare, që iu njohën atij e për të cilën krenohej me të drejtë.
80 vjet më parë, Papa Piu XI përuronte Radio Vatikanin, ngritur pikërisht nga Markoni si mjet i ri në dispozicion të misionit të Kishës. Ndoshta jo shumë nga realizimet markoniane kanë mundur të zbatojnë në praktikë, kaq sistematikisht sa radioja, idealin e shkencëtarit. Transmetimi i radiomesazheve të rëndësishme të Papëve për paqen në një botë të përshkuar dramatikisht nga lufta ose nga era e luftës, si në kohën e Papës Piu XI, të Piut XII e të Gjonit XXIII. Trasnmetimi i qindra mijëra mesazheve të familjeve për të burgosurit e të zhdukurit e luftës. Mbështetja dhe përkrahja e popujve dhe e kishave të shtypura nga totalitarizmi në anë të ndryshme të botës. Amplifikimi i fjalëve të shpresës së Papëve udhëtarë përmes kontinenteve, për popuj nga më të ndryshmit. Ngritja e vazhdueshme e zërit për vlerat e shpirtit, për aktualitetin e Ungjillit të Krishtit, për arritjen e drejtësisë e të paqes, për dialogun ndërmjet konfesioneve të krishtera, kulturave, feve, popujve.
Ç’mision më të bukur do të kishte dëshiruar Markoni për shpikjen e tij? E ne sot duhet të vazhdojmë të përdorim teknikën më të re për këto qëllime. A e bëjmë sa duhet? Shpikjet e gjenialitetit njerëzor përdoren për ta shpëtuar njerëzimin, apo për ta shkatërruar atë?”







All the contents on this site are copyrighted ©.