2011-02-13 14:36:43

Përvjetori i themelimit të shoqërisë "Rozafat" në Shkodër


Shoqëria "Rozafat", e pagëzuar me emrin e kështjellës së Shkodrës, që filloi veprimtarinë më 13 shkurt 1918, qe një ndër shoqëritë më me emër të këtij qyteti në vitet '20 dhe'30 të shekullit XX. Bazën dhe elementët e saj i pati tek Shoqëria Ndihmëtare Punëtore që u krijua në Shkodër më 1905. Kjo shoqëri kishte për qëllim jo vetëm mbrojtjen dhe ndihmën e punëtorëve, por edhe edukimin e tyre kulturor e artistik. Në kanunin e vitit 1919, paragrafi 3, thuhet: "Qëllimi i shoqnis asht me permirsue shijen estetike të popullit shqyptar per muzikë neper msim kndimi e veglash muzikore". Por, më kalimin e kohës veprimtari për t'u shënuar zhvilluan gjithashtu dega teatrore e ajo letrare.
Me që jemi në kulmin e kohës së Karnavaleve, këto shënime të shkurtëra për veprimtarinë e gjallë 20-vjeçare të shoqërisë "Rozafat" në fushën e muzikës dhe të teatrit, po i përfundojmë me dy fjalë për organizimin e përvitshëm nga ana e shoqërisë të kësaj feste popullore. Mjetet dekorative të punuara me shije e fantazi si anije, glob, shtëpi etj, të vendosura në automjet; larmia e veshjeve dhe maskave, këngët dhe tingujt e instrumentëve muzikorë, letrat fluturuese etj, i jepnin Karnavaleve shkodrane një bukuri të veçantë. Nga mengjezi deri në darkë, me ndalesa të vogla nëpër shtëpitë e anëtarëve, karvani i karnavalit kalonte nëpër rrugët kryesore të qytetit, duke dhënë koncerte të improvizuara apo duke recituar bejtet e vitit, përmes të cilave fshikulloheshin zakonet dhe shfaqjet negative të shoqërisë shkodrane duke mos kursyer as nëpunësit e sferave të larta qeveritare, përfshirë edhe vetë anëtarët e qeverisë. Mjeshtër të këtij organizimi e realizimi kanë qenë anëtarët e pasionuar të shoqërisë Kolë Shiroka, Ndoc e Kolë Tivari, Shuk Paloka etj. Me poezitë e tij më të mira humoristike Kolë Shiroka botoi në vitin 1932 vëllimin "Lamtumirë djalëri". Ashtu si të gjitha shoqëritë e pavarura kulturore-artistike të qytetit të Shkodrës, edhe shoqëria "Rozafat" e nderpreu veprimtarinë e saj me urdhër të autoriteteve pushtuese fashiste në tetor 1939.







All the contents on this site are copyrighted ©.