Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 6-të gjatë vitit kishtar ‘A’
Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj
here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës
Hyjnore të dielës së 6-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik.
Jezusi nuk ka ardhur për anuluar e shlyer Ligjin apo Profetët, do të thotë dëftimin
e vjetër hebraik, që ka shoqëruar Izraelin në udhën e tij të fesë, por ka ardhur për
t’i dhënë plotësi e përkryerje. Vërtet ai e tregon vetveten porsi Mesinë, porsi atë
që tani është bazë, themel, qendra e kulmi i Ligjit të vjetër. Jezusi na paraqet
risinë e ungjillit në krahasim me ligjin e vjetër. Risia qëndron në interiorizimin
apo përvetësimin e ligjit si orientim të jetës. Nuk është aspekti i jashtëm i veprave
e nismave, por zemra e njeriut para Zotit që e përcakton autenticitetin apo vërtetësinë
e fesë. Në këtë mënyrë Jezusi paraqet vetveten si interpretuesin e vërtet të vullnetit
të Hyjit. Në leximin e I lexohet se Zoti “nuk i urdhëroi askujt të jetë i keq
e i paudhë dhe nuk ia dha askujt lejen për të bërë mëkat”. Në Ungjill të kësaj
së diele, citohet shpesh Besëlidhja e Vjetër e sidomos Dekalogu, Jezusi e radikalizon
Ligjin duke e shtrirë e zgjeruar ndikimin e tij në brendësi të njeriut. Ligji prek,
përfshinë e angazhon mendjen, vështrimin, zemrën e dishepujve. Ajo çka e përbënë Ligjin
e ri e përfundimtar. Mirëpo për ta përvetësuar, duhet zbatuar një betejë impenjuese
e të përhershme kundër së keqes, që nuk mund të bëhet “me këmbë, me dorë, me sy, me
mendje”. Për këtë Jezusi përdor shprehje paradoksale: për të hy në mbretërinë e Atit
qiellor, është më mirë të privohemi nga syri djathtë apo nga dora e djathtë. Shën
Pali, duke vu në pah se lypet një zemër e re, e tregon udhën e sigurt për t’ia arritur
qëllimit: të lejojmë të udhëhiqemi nga Shpirti, mësuesi i brendshëm i jetës. Më
shumë mbi Liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele, mund të dëgjoni këtu...........
Liturgjia
e Fjalës
Lexim prej Librit të Siracidit
Nëse do t’i mbash
urdhërimet edhe ato të ruajnë; nëse ke besim në Të, edhe ti do të jetosh. Ai t’i vuri
përpara ujin e zjarrin, ku të duash, shtrije dorën tënde! Përpara njeriut është jeta
e vdekja, e mira dhe e keqja: çka ai të parapëlqejë, ajo do t’i je-pet. Sepse e madhe
është urtia e Hyjit, Ai është i madh në pushtet e pandërprerë sheh gjithçka. Sytë
e Hyjit priren mbi ata që e druan, Ai i njeh të gjitha veprat e njeriut. Nuk i urdhëroi
askujt të jetë i paudhë e nuk ia dha askujt lejen për të bërë mëkat.
Fjala
e Zotit
Psalmi 119 (118)
Ref: Lum ai që ec në ligjin e Zotit. _________________ Lum
njeriu me sjellje të pastër, që ecën në ligjin e Zotit! Lum kush i mban dëshmitë
e tija, që e kërkon me gjithë zemër. _________________
Ti i shpalle urdhërimet
e tua që të mbahen përpikërisht. Oh, sikur të ishin të drejta udhët e mia për
t’i zbatuar rregulloret e tua! _____________
Bëja këtë të mirë shërbëtorit
tënd: që të jetoj e ta mbaj fjalën tënde. M’i hap sytë të shikoj mrekullitë
e ligjit tënd. _____________
Urdhri yt më bëri më të dijshëm se armiqtë
e mi, sepse gjithmonë është me mua. Shpirti im i ruan ligjet e tua dhe
i desha ato me gjithë shpirt. _________________
Leximi i dytë (1 Kor
2, 6-10)
Dituria e Hyjit është plani misterioz i krijuar prej tij për të sjellë
shpëtimin tonë. Korintasit në fakt me ndarjet e tyre janë të paaftë të kuptojnë diturinë
hyjnore misterioze e të fshehur në shekuj, që na është zbuluar neve sot nëpërmjet
Shpirtit. Të ndahesh domethënë të boshatisësh misterin e Krishtit të kryqëzuar,
që ka qëllimin të unifikojë gjithçka në të e të shfaqë Krishtin shpresën e lavdisë
së ardhshme.
Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër,
ne shpallim dijen në mes të përsosurve, por jo dijen e këtij shekulli, as të princave
të kësaj bote të gjykuar për dënim, por predikojmë dijen e Hyjit të fshehur në mister,
atë që Hyji e kishte paracaktuar para shekujve për lumturinë tonë, atë që asnjë nga
princat e kësaj bote nuk mund e njohi; sepse, po ta kishin njohur, nuk do ta kishin
kryqëzuar Zotin e lavdisë. Por, sikurse thotë Shkrimi shenjt: ‘Çka syri nuk pa e veshi
nuk dëgjoi dhe në zemër të njeriut nuk hyri, atë ua bëri Hyji gati atyre që e duan.’ Hyji
na e zbuloi këtë të vërtetë me anë të Shpirtit Shenjt: sepse Shpirti Shenjt depërtonë
në gjithçka, edhe vetë thellësinë e natyrës hyjnore.
Fjala e Zotit ALELUJA, Aleluja. Po
të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që të vegjëlve ua zbulove misteret
e Mbretërisë qiellore. Aleluja.
Ungjilli (Mt 5, 17-37) Krishti,
me mësimet e tij të reja dhe rrënjësore, jepte përshtypjen e mosrespektimit dhe përbuzjes
së ligjit; ndërsa ai pranon vlerën e ligjit të Moisiut e për këtë arsye nuk vjen ta
shfuqizojë por ta përsosë. Por ligji nuk mund të zvogëlohet në një listë përshkrimesh
duke shtrembëruar vetë ligjin, siç bënin skribët dhe farisenjtë. Ligji, si shprehje
e vullnetit hyjnor, duhet të pranohet në tërësinë e tij e në qëllimin e tij të vërtetë.
Mbi këtë parim të përgjithshëm themelohen antitezat e Jezusit.
Leximi i
Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të
vet: “Mos t’ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer ligjin ose profetët! Jo, s’erdha
ta shlyej, por ta përkryej. Për të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka,
asnjë germë dhe asnjë presje nuk do t’i hiqet ligjit, por do të zbatohen të gjithat.
Prandaj, kushdo që do ta shlyejë njërin ndër këta urdhëra, qoftë edhe më të voglin,
dhe do t’i mësojë nerëzit të bëjnë ashtu, do të jetë më i vogli në Mbretërinë e qiellit;
ndërsa ai që do t’i mbajë dhe do t’i mësojë, do të jetë i madh në Mbretërinë e qiellit.
Sepse, unë po ju them: nëse drejtësia juaj nuk do të jetë më e madhe se drejtësia
e skribëve dhe e farisenjve, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit. Keni dëgjuar
se u qe thënë të vjetërve: ‘Mos vrit! Kush vret do të jetë përgjegjës para gjyqit.”
E unë po ju them: Kushdo që zemërohet kundër vëllait të vet, do të jetë përgjegjës
para gjyqit; e kush t’i thotë vëllait të vet: ‘Budall’, do të jetë përgjegjës para
Sinedrit; kush t’i thotë: ‘I marrë’, do të përgjigjet në zjarrin e ferrit. Pra,
nëse e sjell dhuratën tënde për ta kushtuar në lter e aty të bie në mend se yt vëlla
ka diçka kundër teje, lëre dhuratën tënde aty para lterit, shko e pajtohu më parë
me vëllanë tënd e pastaj eja e kushtoje dhuratën tënde! Ndrequ me shpejt me kundërshtarin
tënd sa të jesh ende në udhëtim me të, që kundërshtari të mos të dorëzojë gjykatësit
e ky rojtarit të gjyqit, që të mos të ndryejnë në burg. Për të vërtetë po të them:
s’do të dalësh prej andej para se ta paguash edhe paranë e fundit. Keni dëgjuar
se që thënë: ‘Mos e the kurorën!’ E unë po ju them: kushdo që me dëshirim e shikon
një grua, në zemrën e vet e ka bërë fëlligështinë me të. Nëse syri yt i djathtë të
çon në mëkat, nxirre e flake larg teje! Është më mirë për ty të humbasësh njërën nga
gjymtyrët e tua, se i tërë trupi yt të hidhet në ferr. E nëse dora jote e djathtë
të çon në mëkat, preje e hidhe larg teje! Është më mirë për ty të humbasësh një gjymtyrë
se i tërë trupi yt të hidhet në ferr. Qe thënë edhe: ‘Kush e ndan gruan e vet, le
t’ia japë letrën e ndarjes.’ E unë po ju them: kushdo e ndan gruan e vet, përveç në
rastin e fëlligështisë, e bën atë të thejë kurorën; e nëse ndokush martohet me gruan
e ndarë, then kurorën. Keni dëgjuar gjithashtu se u qe thënë të vjetërve: ‘Mos
e the betimin, por zbato çka i ke premtuar Zotit me betim!’ E unë po ju them: assesi
mos u betoni; as me qiell, sepse ai është froni i Hyjit, as me tokë, sepse ajo është
shtroja e këmbëve të tija, as me Jerusalem, sepse ai është qyteti i Mbretit të madh.
Mos bëj be as në krye tënd, sepse nuk je i zoti as një fije floku ta bësh të bardhë
ose të zezë. Fjala juaj le të jetë: Po, po; jo, jo! Çkado që është më tepër se kaq,
vjen prej qoftëlargut.”
Fjala e Zotit
Homelia e dielës së
6-të gjatë vitit Kishtar ‘A’ nga saleziani shqiptar don Tomë Mihaj.
Qoftë
lëvduar Jezu Krishti, të dashur motra e vëllezër, së pari – të nderuar dëgjues
të Radio Vatikanit në gjuhën shqipe – ju përshëndes dhe ju dëshiroj të gjithëve hir
dhe bekim. Ja jemi këtu së bashku për të medituar mbi fjalën e Zotit që na dhurohet
këtë të diel gjatë Eukaristisë së Shenjtë: e diela e gjashtë gjatë vitit, këtë të
diel në të cilën Kisha na kujton që të lutemi në mënyrë të veçantë për të sëmurët.
Të dashur vëllezër e motra, na ndodh shpesh që të ballafaqohemi me Fjalën
e Zotit – e uroj që të jetë për ne ushqim i përditshëm – por çdo herë që lexojmë apo
meditojmë një pjesë nga Shkrimi Shenjt duhet t’i bëjmë vetes tri pyetje: E
para: çfarë thotë kjo Fjalë (në vetvete)? Duhet të mundohemi të kuptojmë atë që Fjala
e Zotit thotë, ta lexojmë me vëmendje duke kërkuar forcën e Shpirtit Shenjt që të
na shndrisë mendjen e ngrohë zemrën për të kuptuar Fjalën e Tij. Pyetja e dytë
lidhet ngushtë me të parën: çfarë thotë mua kjo Fjalë në këtë moment të jetës sime?
Shkrimi Shenjt mbart në vetvete një mesazh për të gjithë njerëzimin, por sot në veçanti
për mua, Sot Ai ka zgjedhë mua që të më thotë diçka. Zoti dëshiron që ne të bashkëveprojmë
me hirin e Tij për të ndjekur udhën e jetës. Nga ky vullnet i Zotit lind pyetja e
trete: çfarë duhet t’i them unë fjalës që sapo kam dëgjuar? Cili është reagimi, përgjigja,
angazhimi im?
Nuk mund të jemi indiferent ndaj dashurisë së madhe që Hyji
tregon ndaj nesh, duhet që edhe ne të shkruajmë më jetën tonë një faqe të re të shkrimi
shenjt: sepse çdo jetë e shenjtë është një faqe që Hyji shkruan për botën, për njerëzimin
edhe sot. Atëherë le ta meditojmë së bashku liturgjinë e Fjalës së kësaj të diele
duke u nisur nga këto tri pyetje:
çfarë thotë shkrimi shenjt këtë të diel?
Leximi i parë tregon dashurinë e madhe që Hyji ka ndaj njerëzve,
deri në atë pikë sa që i lë të zgjedhim udhën dhe cakun e jetës së tyre - thotë leximi
i parë - nga libri i Siracidit: “Përpara njeriut është jeta dhe vdekja, e mira dhe
e keqja: çka ai të parapëlqejë, ajo do t’i jepet.” Edhe pse i njeh të gjitha veprat
tona, përpara se ne ti realizojmë, Ai na lë që të jemi ne ata që zgjedhim në liri
të plotë rrugën e jetës. Për ata që zgjedhin udhën e jetës Psalmisti do këndonte:
“Lum njeriu me sjellje të pastër, që ecën në ligjin e Zotit!”.
Leximi i dytë prej letrës së parë të Shën Palit Korintasve, tregon
se dija që vjen nga Fjala e Zotit, Dituria e Hyjit është krijuar prej tij për të sjellë
shpëtimin në botë, jo një dituri njerëzore. Sepse vetëm ajo që është e amshuar jep
jetën e vërtetë. Nëse në leximin e parë Siracidi na ka thënë se njeriu ka mundësi
të zgjedhë mes së mirës dhe së keqes, për fat të keq njeriu shpesh ndjek parimet e
këtij shekulli e shkon pas së keqes. Për këtë shën Pali na siguron se Hyji që nga
amshimi ka planifikuar një plan lumturie për bijtë e Vet: ky plan është Krishti Jezus,
Ai është udha dhe qëllimi i vetëm i këtij plani në saje të Shpirti Shenjt që vepron
pandarë në zemrat tona.
Në Ungjilli, Krishti
me mësimet e tija të reja dhe rrënjësore, ndërsa pranon vlerën e ligjit të Moisiut
shpall përsosmërinë e ligjit dhe përjetësinë ë Fjalës së Tij: “Mos t’ju shkojë ndër
mend se erdha për ta shlyer ligjin ose profetët! Jo, s’erdha ta shlyej, por ta përkryej.
Për të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë germë dhe asnjë presje
nuk do t’i hiqet ligjit, por do të zbatohen të gjithat”.
E cili është
ky ligj? Ligji i Dashurisë, dashurisë ndaj Hyjit e të afërmit. Ja pra se nuk është
e mundur që nga një anë t’i kushtojmë fli tonë Zotit (për të plotësuar ligjin) e nga
ana tjetër të jemi në hasmëri me vëllain tonë, thotë Jezusi: “Nëse e sjell dhuratën
tënde për ta kushtuar në altar e aty të bie në mend se yt vëlla ka diçka kundër teje,
lëre dhuratën, shko e pajtohu më parë me vëllain tënd e pastaj eja e kushtoje dhuratën
tënde!”. Jezusi këmbëngulë akoma më shumë në mësimin e veta. Nuk ka gjysmë termash,
me Jezusin nuk mund jemi njerëz të vakët përbrenda: “Nëse syri, dora të çojnë në mëkat,
duhet ta flakim tej. Sepse është më mirë për ty të humbasësh njërën nga gjymtyrët
e tua, se i tërë trupi yt të hidhet në ferr”. Ai dëshiron që të mbizotërojë jo ligji
i dukjes, por ai i zemrës, ja pse "jo vetëm ai që bën kurorë thyerje, por kushdo që
shikon një grua për fëlligështi, bën mëkat". Të ndjekësh Jezusi do të thotë të
bësh një zgjedhje rrënjësore për të jetuar të përditshmen ndryshe nga të tjerët. Ja
pra, Jezusi na kërkon diçka më shumë se ajo që duket përjashta.
të
dashur miq vjen pyetja e dytë: çfarë thotë mua kjo fjalë?
Jezusi – në
leximet e kësaj të diele – na tregojë udhën dhe mënyrën për të qenë vërtetë të lirë:
të lirë në vepra
të lirë në
qëllime
të lirë për virtyt të Shpirti
Shenjt
të lirë Në vepra
Leximi i parë
na kujton se jemi të lirë për të vepruar. Na thotë edhe se është e rëndësishme që
të dimë të zgjedhim, sepse: nëse zgjedhim për të mirën do të kemi jetën; ndërsa
nëse do të zgjedhim për të keqen do të kemi vdekjen. Shpesh herë gabojmë e zgjedhim
kënaqësitë e çastit, vendosim të ndjekim rrugën e gjerë dhe të lehtë që të çon në
vdekje, në vend se të ecim në të ngushtën që të çon në jetë “Sepse e gjerë është dera
dhe e gjerë rruga që çon në bjerrje e shumë janë nga ata që kalojnë nëpër të! " (Mt
7, 13).
të lirë në qëllime, në dëshira
Por
Ungjilli flet për një liri më edhe më të thellë: lirinë e zemrës, lirinë e qëllimeve.
Jo vetëm veprat kundër ligjit të Dashurisë së Zotit, por edhe qëllimet e ligëta në
zemër na largojnë nga bashkimi ynë me Zotin e me njëri-tjetrin. Kjo pjesë e Ungjillit
të kësaj të diele, vjen menjëherë pasi në malin e lumturive Jezusi ka shpallur Lumturitë:
si burimi i vërtetë i lirisë së brendshme. Jezusi na kërkon një stil të ri jete. Stili
i një zemre, mendjeje dhe personi të liruar nga çdo mëkat.
Të
Lirë për virtyt të Shpirti Shenjt
Ndërsa Leximi i dytë i Korintasve (kapitulli
2). Na flet për “përsosmërinë” që na zbulon Shpirti Shenjt: “Hyji na e zbuloi këtë
të vërtetë me anë të Shpirtit Shenjt: sepse Shpirti Shenjt depërton në gjithçka, edhe
vetë thellësinë e natyrës hyjnore”. Ja të dashur vëllezër e mora se cila është
liria e vërtetë: të lejojmë që të veprojë Shpirti i Shenjt (Shiriti i Krishtit) brenda
nesh. Ai që ndriçon zemrat, ngroh thellësinë e shpirtit tonë, drejton dhe frymëzon
drejt së mirës. Vetëm duke u udhëhequr nga Shpirti Shenjt mund të fitojmë lirinë në
vepra, në dëshira dhe në qëllime. Kjo është rruga që na fton të përshkojmë Ungjilli
i kësaj të diele.
T’ia kërkojmë këtë dhuratë Shpirtit Shenjt me lutje të vazhdueshme:
që edhe ne të mund të jemi dritë dhe kripë për botë. Me këtë urim ju përshëndes të
dashur motra e vëllezër duke u lënë një porosi: Në fillim folëm për tri pyetje që
na lindin kur lexojmë Shkrimin Shenjt. Dy prej të cilave i pamë së bashku. Ndërsa
pyetjes së tretë (- reagimi im ndaj Fjalës së Zotit që dëgjoj: çfarë ti them unë kësaj
Fjale?) ua lë juve që t’i jepni përgjigje me veprat tuaja gjatë kësaj jave. Paçi
bekim e shenjtëri në jetën tuaj. Qoftë lëvduar Jezu Krishti. Don Tomë Mihaj
sdb