2011-02-11 17:39:44

Në Universitetin e Bolonjës, përurimi i “Oborrit të paganëve”. Intervistë me kardinalin Ravazi.


Eshtë Universiteti i Bolonjës ateneu i parë laik evropian, ku sot do të përurohet “Oborri i paganëve”, struktura e re e përhershme e Vatikanit, kushtuar dialogut ndërmjet besimtarëve e jo besimtarëve, nën drejtimin e Këshillit Papnor të Kulturës. Do të jetë prologu italian i këtij realiteti, për të vijuar, pastaj, në Paris, më 24 e 25 mars. Por në se në dialogun ndërfetar duhet shmangur rreziku i sinkretizmit, cilat janë të panjohurat, të cilat mund të ndeshen në takimin me njeriun, që nuk beson? Pyetëm për këtë, kardinalin Xhanfranko Ravazi, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës:

Përgjigje: - Rreziku mund të jetë vetëm ai i një dialogu akademik, një dialogu – e unë po përpiqem ta shmang këtë rrezik – rezultatet e të cilit, në fund të fundit, mund të jenë vetëm gjetja e emëruesit më të vogël të përbashkët. Unë dëshiroj të bëhen pyetje vërtet të rëndësishme, të shtrohen për diskutim çështje të antropologjisë, domethënë të së mirës e të së keqes, të jetës e të përtej jetës, të dashurisë e të dhimbjes, të kuptimit të së mirës e të së keqes, pyetje, që mundojnë në shekuj mendjen njerëzore. Por dëshiroj, për shembull, të pyetet edhe mbi cilësinë e teologjisë, pikërisht që të kuptohet se teologjia nuk është relikt i paleolitikut, i së kaluarës së largët, të perënduar, por është disiplinë, që ka një statut, një tipologji e një metodë të veten; është një vështrim tjetër mbi realitetin. Dëshiroj të arrihet edhe në një pikë tjetër, që shikoj se u intereson shumë ateistëve, e është ajo e përshpirtërisë së ateistit, sepse transhendenca nuk është vetëm ajo, që na mëson teologjia; është e ngërthyer në vetë arsyen, e cila, për vetë natyrën e saj, dëshiron të shkojë gjithnjë më larg, gjithnjë më thellë, drejt absolutit. Janë të shumta pistat, rrugët, që dëshirojmë të propozojmë, por të gjitha, me interes të përgjithshëm, sepse nuk dëshirojmë të arrijmë tek një lloj OKB-je e mendimit humanistik, me rezultate fare të pakta.

Pyetje: - Disa zëra nga bota ateiste e shpjegojnë këtë nismë, si përpjekje për prozelitizëm. Ju ç’mendoni?

Përgjigje: - Vetë tipologia e ngjarjeve do të jetë e tillë, që do ta shmangë këtë rrezik, të cilin edhe mund ta ndeshim, nga që e dimë e nuk mund ta mohojmë kurrë, se fetë, për vetë natyrën e tyre, nuk janë vetëm informuese, por edhe formuese, duan të formojnë ndërgjegjet, duan t’i japin kuptim mesazhit, që mbartin. Por dëshiroj të them edhe se kjo ka të bëjë me ateizmin serioz. Me ateizmin, që paraqitet si sistem mendimi, e ne këtu kujtojmë figura si Marksi a Niçe, që përpiqet të depërtojë në shoqëri, ku edhe ka depërtuar, me pasojat që njihen nga të gjithë. Prandaj mund të themi se ekziston ky problem, por që do të mund të shmanget pikërisht pse ata që i organizojnë këto ngjarje, nuk do të jenë më institucionet, nuk do të jem më unë, si Këshill Papnor Kulture, por do të jenë situatat e ndryshme konkrete, identitetet konkrete e secili do të ketë hapësirën e vet e mundësitë e veta për të diskutuar, për të për të mbrojtur bindjet e veta.

Pyetje: - Vitin kaluar Papa themeloi edhe një Dikaster tjetër, kushtuar ungjillëzimit të ri. Si mund të integrohen dialogu me atë që nuk beson dhe kumtimi i ri në Perëndimin e çkristianizuar?

Përgjigje: - Edhe ne, në një çast të caktuar, duhet të interesohemi për një sektor, i cili nga pikëpamja kulturore e shoqërore, në ditët tona është themelor, e, për fat të keq, është fenomeni i indiferencës. Prej këndej, fenomeni duhet studiuar edhe në këndvështrimin kulturor, ndërsa në atë baritor duhet studiuar nga Këshilli Papnor për Ungjillëzimin e ri. Jemi para dy perspektivave të ndryshme, dy dikastereve, që quhen njeri i kulturës, e tjetri, i ungjillëzimit. Natyrisht ungjillëzimi përfshin edhe kulturën, e prandaj edhe duhet të bashkëpunojmë. Kam biseduar tashmë për këtë me kryetarin aktual dhe jemi marrë vesh shumë mirë. Por ungjillëzimi, pastaj, është një hap i mëtejshëm: nga njëra anë niset nga “kerigma”, që është kumtimi i parë themelor i vlerave, i vlerave të mëdha të krishtera në këtë rast, e pastaj vjen katekizmi.







All the contents on this site are copyrighted ©.