2011-02-11 16:56:08

153 vjetori dukjeve të Zojës së Bekuar Shën Bernardetës Subirù në LURDES


Sot më 11 shkurt Kisha katolike përkujton 153- vjetorin e dukjeve të Zojës së Bekuar Shën Bernardetës Subirù, bijë e një mullisi të varfër, lindur në Lurdë, ndërmjet Pirenejve. Më 11 shkurt 1858 në shtëpinë e saj ishin djegur të gjitha drutë. Duhej të shkonte në mal për të bërë të tjera. Por përjashta binte shi i rrëmbyer. Ishte gati e pamundur të bridhje nëpër pyll. Atëherë vajza shkoi në Shpellën e Masabielës, ku barinjtë e vegjël mblidhnin shpesh degë të thata. Papritmas ndjeu një fëshfërimë të lehtë gjethesh, që e bëri të ngrinte kokën në drejtim të Shpellës. Pa një Zonjë me fytyrë të ndritshme e me buzë në gaz. Ishte e veshur krejt me të bardha e një brez i kaltër ia shtrëngonte lehtë përmjetin. Këmbët i kishte të zbathura, në sa në krahun e djathtë mbante një rruzare me kokrra të bardha, përshkuar në një fill ngjyrë ari.
- Kush je ti? - e pyeti. Po ajo nuk u përgjigj. E vajza u kthye disa herë, e disa herë ia përsëriti pyetjen, derisa mori përgjigjen: "Unë jam Zoja e Papërlyer, e zëna pa mëkat’.
Mrekullia e dukjes së parë, 153 vjetori i së cilës do të përkujtohet sot, të cilën Bernardeta e përjetoi në një gjendje të plotë ekstaze, u pasua nga 17 dukje të tjera, deri më 17 korrik 1858. Pas këtyre dukjeve, Bernardeta kaloi gjashtë vjet në Institutin e Motrave të Mëshirës të Neversit, ku kreu edhe periudhën e rishtarisë (noviciatit). Kjo periudhë zgjati më shumë se duhej, për shkak të shëndetit të saj të ligsht. Bëri, më pas, kushtet e përjetshme duke ndërruar edhe emrin: u quajt Motër Maria Bernarda. Vdiq në moshën 35 vjeçe, më 16 prill 1879. Më 8 dhjetor 1933 Papa Piu XI e lartoi në nderimet e elterit.
Prandaj Papa Benedikti në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 10 shkurtit të vitit 2008, i kushtoi vëmendje të veçantë pikërisht kësaj ngjarjeje, e cila na kujton dy koncepte: shëndetin e harmoninë, më shumë se mungesën e sëmundjes. Zoja e Papërlyer është harmoni. Është shëndet. Kemi një përkim, pra. Mesazhi i së Papërlyerës është mesazh harmonie, e prej këndej, edhe shëndeti. E ky është edhe thelbi i mesazhit të Atit të Shenjtë dhe thelbi i qëllimit të kremtimit të 150- vjetorit të dukjeve të Zojës së Papërlyer që u shënua më 2008. Kjo është edhe arsyeja për të cilën, posaçërisht në Lurdë, Zoja jep shëndet: si mungesë sëmundjeje nganjëherë, e gjithnjë si paqe, ekuilibër, harmoni, domethënë, shëndet i vërtetë.
Atyre që janë të sëmurë, që vuajnë pa e ditur pse-hin, Zoja Lurdë u kujton se duhet të kërkojnë dritën, për ta ditur përse. Drita është Shpirti Shenjt e pa Shpirtin Shenjt nuk mund të kuptohet asgjë. E Ai do t'i udhëheqë drejt fytyrës së vuajtur e njëkohësisht të gëzuar, të Krishtit në kryq. Do të zbulojnë kështu domethënien e dhimbjes, të sëmundjes, të vdekjes. Natyrisht fjala e fundit nuk është kryqi, nuk është e keqja; është ringjallja. Por pa Kryqin nuk mund të arrihet tek Ringjallja.







All the contents on this site are copyrighted ©.