2011-02-10 12:12:58

Papa emëron Nuncin imzot Juliusz Janusz, Legat Apostolik në Kosovë


Ati i Shenjtë ka emëruar Nuncin Apostolik në Slloveni, me detyrën e Legatit Apostolik në Kosovë, Shkëlqesinë e Tij shumë të nderuar Imzot Juliusz Janusz, Kryeipeshkëv titullar i Kaorles, deri më tani Nunc Apostolik në Hungari.
Për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë, Kosova do të ketë Legatin apo të Ngarkuarin e saj Apostolik, personin që lidh Kishën Katolike të vendit me Vatikanin.
Në një komunikatë për shtyp të Selisë së Shenjtë thuhet:

“Me rastin e emërimit të Nuncit Apostolik në Slloveni, u vendos që të enjten, më 10 shkurt, të publikohet emërimi i Shkëlqesisë së Tij, imzot Juliush Janush si Nunc Apostolik në Slloveni, me detyrën e Legatit Apostolik në Kosovë.
Përsa i përket këtij lajmi, saktësohet se emërimi i Legatit Apostolik hyn në funksionin organizativ të strukturës së Kishës Katolike, prandaj ka vetëm karakter kishtar dhe dallohet nga konsiderata, që kanë të bëjnë me situata juridike e territoriale, ose me çështje që kanë të bëjnë me aktivitetin diplomatik të Selisë së Shenjtë.
Misioni i një Legati Apostolik nuk është me natyrë diplomatike, por i përgjigjet kërkesës për të ndihmuar si duhet e lypet besimtarët katolikë në nevojat e tyre baritore”.







All the contents on this site are copyrighted ©.