Më 10 shkurt kalendari Kishtar përkujton Shën Skolastiken, virgjër.
Sot më 10 shkurt kalendari Kishtar përkujton motrën e Shën Benediktit, Shën Skolastiken,
cila lindi në Norcia të Italisë rreth vitit 480 – e vdekur në Pumarola më 10 shkurt
546, qe motra e Shën Benediktit. Nga jeta e saj njihen vetëm pak ngjarje, shkruar
në “Librin e Dialogëve” të Shën Gregorit të Madh. Virgjër e urtë, vuri dashurinë
e krishterë e kundrimin e Fjalës së Zotit mbi institucionet njerëzore, gjë që e shprehu
edhe në bisedën e fundit me të vëllain, shën Benediktin, kur thesoi se me lutje mundi
të bënte më shumë, sepse kështu deshi më shumë”. Dihet me siguri se pak vjet para
se të vdiste, Skolastika banonte pranë Montecassinos, ku i vëllai drejtonte manastrinin
e famshëm, që edhe sot e kësaj dite sundon mbi kodrën me të njëjtin emër. Së bashku
me një grup vajzash, vendosi të ndiqte gjurmët e Benediktit, për t’i shërbyer Zotit
jo duke u larguar e duke u fshehur nga bota, por duke jetuar në bashkësi të mirë organizuar
e duke e kaluar kohën me lutje drejtuar Zotit, punë e studim. Ngriti, për këtë, një
manastir femëror jo shumë larg atij ku jetonte shën Benedikti me sivëllezërit e tij
murgarë dhe bëri kushtin e pastërtisë, duke ia kushtuar gjithë vetveten Zotit. Kështu
me Shën Skolastikën lindte monarkizmi femëror perëndimor. Në “Librin e Dialogëve”
të shën Gregorit të Madh gjejmë një faqe ku përshkruhet takimi i vëllait me të motrën.
Takoheshin vetëm një herë në vit. E Gregori na përshkruan takimin në Kohën e Kreshmëve
të vitit 542, jashtë manastireve të tyre, në një kasolle poshtë Montecasssionos. Eshtë
një bisedë që duket sikur nuk do të mbarojë kurrë, një shkëmbim mendimesh mbi shumë
e shumë gjëra, qiellore e tokësore. Skolastika shpejton hapin e nuk ndalohet për
të soditur kodrinat mahnitëse të Italisë qendrore. Do të takohet me vëllain binjak,
Benediktin, takim që po e pret që prej treqind e gjashtëdhjetë ditësh. Në të vërtetë,
Benedikti e Skolastika, ndonëse i kanë themeluar kuvendet pak kilometra larg njëri-tjetrit,
takohen vetëm një herë në vit. Benedikti zbret nga Mali i Kasinos, e motra del
nga kuvendi i ndërtuar në luginë e takohen në një shtëpizë në gjysmë të rrugës. Ia
lejojnë vetes një takim të tillë që të çmallen e të bisedojnë për gjithçka i lidhë
e, sidomos, për Zotin, që është zemra e jetës së tyre. Benedikti e Skolastika janë
binjakë në gjak e në shpirt. Që të vegjël kishin të njëjtat prirje, të njëjtën ëmbëlsi,
të njëjtin durim e të njëjtën dëshirë për t’iu afruar Zotit. Kur Benedikti shkroi
Rregullën e vet të njohur murgare, Skolastika e përshtati menjëherë për kuvendin ku
jetonte me simotrat e veta, që ia kishin kushtuar gjithë jetën Hyjit. Skolastika është
rregulltarja e parë benediktine. “Dita do të fluturojë” - psherëtin motra, duke
shpejtuar hapin. Zemra i thotë se ky do të jetë takimi i tyre i fundit. Është vetëm
gjashtëdhjetë e tri vjeçe, por ndjen në trup frymën e acartë të vdekjes. Prandaj dëshiron
që kjo ditë, e larë me rreze dielli, e 7 shkurtit të vitit 543, të jetë dita më e
gjatë e të gjitha viteve. Dy binjakët takohen, merren ngrykë, zhyten në një bisedë
të këndshme, të pafund. Harrojnë se koha shket e shkon. Pas disa orëve, çuditen kur
shohin se dielli dalë-nga-dalë fshihet pas malit. Benedikti ngrihet e bëhet gati për
t’u nisur. Motra, e ngashëryer, i lutet: “Vëllai im, rri edhe pak… E sikur të flasim
gjithë natën?”. Benedikti tund kokën. Dëshiron të ndalet, po në kuvend e presin. Skolastika
trishtohet. Por – mrekulli – pikërisht në atë çast shpërthen një rrebesh i tërbuar.
Shiu i rrëmbyer e përmbyt menjëherë oborrin rreth shtëpizës së vogël, ku vëlla e motër
përgatiten të ndahen. Benediktit i duhet ta kalojë natën aty. Në fund të fundit i
duket si dhuratë, prandaj rinis bisedën, filli i së cilës vijon të zhdridhet, pa u
këputur për asnjë çast, tërë natën. Tri ditë pas këtij takimi të paharrueshëm,
vëllai merr lajmin e vdekjes të së motrës. Ishte takimi i tyre i fundmë! Benedikti
i falet nderës Zotit për stuhinë e papritur. Shumë artistë kanë realizuar kompozime
të mrekullueshme, që paraqesin lidhjen e ngushtë të vëllait me motrën. Në shumicën
e këtyre pikturave shihet Shën Benedikti, që shikon shpirtin e Skolastikës duke fluturuar
drejt qiellit në formën e pëllumbit!