Promovohet me dëshmi cilësie Banka e kordonit kërthizor e Gjemelit. Me ne, drejtoresha
e Bankës, profesoresha Xhina Xini.
(09.02.2011 RV)Pas lindjes, kordoni kërthizor e kryen detyrën që ka për të
ushqyer fetusin, por në se dhurohet, mund të japë akoma një ndihmesë shumë të çmuar:
falë pranisë së qelizave staminale në gjak, mund të shërbejë për të ngjallur shpresa
shërimi për shumë të sëmurë, madje edhe me sëmundje të rënda, që deri dje konsideroheshin
të pashërueshme. Për ta bërë realitet këtë mundësi, në të gjithë territorin italian
janë krijuar të ashtuquajturat Banka të gjakut e të kordonit kërthizor. Ndërmjet tyre,
Banka e Poliklinikës Universitare Gjemeli, në Romë, që mori dëshminë e cilësisë Iso
9001. Me këtë emër njihen një sërë normativash, hartuar nga Organizata Ndërkombëtare
e normimit të sistemeve cilësore të shërbimit, për përmirësimin e shërbimeve në
fusha të ndryshme. Pikërisht mbi rëndësinë e këtij vlerësimi si dhe mbi të gjitha
nismat e Bankës së Poliklinikës romake, sot pasdite, në Gjemeli, u mbajt një takim,
në të cilin morën pjesë mjekë e shoqata të ndryshme, që punojnë në shërbim të shëndetit.
Po cilat janë hapat që bëhen, menjëherë pas lindjes, për dhurimin e kordonit? Përgjigjet,
në mikrofonin tonë, profesoresha Xhina Xini, drejtoreshë e Qendrës transfuzionale
të Gjemelit dhe e Bankës së kordonit kërthizor pranë Universitetit Katolik të Zemrës
së Krishtit, në Romë:
Përgjigje: - Në se çifti pranon ta dhurojë
kordonin kërthizor, ky kordon merret menjëherë e çohet, nga salla e lindjes, në qendrën
e transfuzionit të gjakut, ku Banka bën analizat e nevojshme cilësore e sasiore për
qëllime trapiantike.
Pyetje: - Cilat janë cilësitë, që duhet të
ketë kordoni, për të qenë i përshtatshëm?
Përgjigje: - Materiali
i mbledhur duhet të ketë një numër të pranueshëm qelizash, që garantojnë zhvillimin
trapiantologjik në trupin e sëmurë. Vlerësimi cilësor bëhet, pastaj, me një sërë analizash,
që kanë për qëllim të garantojnë në mënyrë absolute mungesën e elementeve infektive.
Si përfundojnë këto analiza, kordoni përfshihet në një arkiv italian, e më pas edhe
ndërkombëtar, që përmbledh të gjitha të dhënat. Në këtë pikë, qelizat e dhuruara janë
në dispozicion të qendrave trapiantologjike, në lidhje me këtë network kombëtar e
ndërkombëtar. Janë në dispozicion, për të parë në se i kanë karakteristikat e nevojshme
biologjike për t’u mbjellur me siguri mbi subjektin nevojtar.
Pyetje:
- Kjo, në se kordoni nuk i duhet gjë çiftit, që e dhuron. Po në se çifti kërkon
ta përdorë për nevojat e veta?
Përgjigje: - Ekzsiton, dhe
është e mbrojtur me ligj, mundësia e dhurimit të caktuar për fushën e sëmundjeve
absolutisht të kodifikuara. Ndërmjet tyre janë leucemia e limfomat, sëmundjet e palcës
së kurrizit dhe një sërë sëmundjesh të tjera. Në fushën e këtyre patologjive, kordoni
i dhuruar, në se është i përshtatshëm, ruhet në Bankë e nuk vihet në rrjet, nuk vihet
në dispozicion të network. Përsa i përket dhurimit të kordonit kërthizor, eksizton,
pastaj, mundësia, që njihet me emrin “solidaristike”. Falë kësaj mundësie, mund të
krijohen kushtet që çiftet ta dhurojnë gjakun e kordonit kërthizor. Është impenjim
humanitar. Ekziston, në përfundim, edhe një mundësi e tretë. Është mundësia e ruajtjes
së materialit të kordonit. Ligji italian lejon të ruhen qelizat staminale të kordonit
kërthizor në Bankë edhe jashtë territorit kombëtar. Por duhet sqaruar se shpenzimet
janë të personit, që vendos të ndjekë këtë rrugë për t’i ruajtur qelizat. Prej këndej,
mund të themi se është një rrugë që, për shkak të shpenzimeve të mëdha, ndiqet nga
shumë pak persona.