2011-02-09 18:03:27

Papa në audiencën e përgjithshme flet për Shën Pjetër Kanizin: feja ushqehet me lutje e me jetë moralisht koherente.


(09.02.2011 RV)Në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI në Vatikan, Benedikti XVI përshkroi figurën e jezuitit holandez, Shën Pjetër Kanizi, një nga protagonistët e katolicizmit në shekullin e XV, posaçërisht në trojet gjermane. Papa ripohoi se jeta e krishterë thellohet falë lutjes dhe miqësisë së ngushtë me Jezusin. Më pas i ftoi besimtarët që, ashtu si Shën Pjetër Kanizi, të jetojnë në përkim të plotë me moralin e fesë, në të cilën besojnë, në bashkim sa më të ngushtë e besnik me Krishtin.RealAudioMP3

Shën Pjetër Kanizi na mëson se një ungjillëzues i vërtetë është gjithnjë i lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me Jezusin e me Kishën e tij. Kështu Benedikti XVI vuri theksin mbi trashëgiminë e Shenjtit, jezuit e doktor i Kishës, të cilin Zoti e thirri ta përtërinte fenë katolike, si përgjigje ndaj reformës luterane. Ishte një impenjim gati i pamundur - kujtoi Papa – që e nxiti Shën Kanizin të themelojë një numër të madh kolegjesh jezuite në Gjermani e edhe të marrë fjalën në seancën e fundit të Koncilit të Trentit. Kujtoi, kështu, parimin themelor mbi të cilin Shenjti jezuit e mbështeti gjithë jetën e vet: në se besimtari dëshiron të lidhë miqësi të ngushtë me Jezu Krishtin, duhet ta jetojë gjithë jetën si lutje të vazhdueshme. Lutja e miqësia me Krishtin nuk mund të ndahen për asnjë çast:
“Prandaj, në shkrimet kushtuar edukimit shpirtëror të popullit, Shenjti ynë ngulmon mbi rëndësinë e Liturgjisë me komentet e Ungjillit, me festat, me ritet e Meshës së Shenjtë e të Sakramenteve të tjera, por, njëkohësisht, kujdeset që besimtarët të mos e harrojnë nevojën dhe bukurinë e lutjes së përditshme personale, e cila duhet të shkojë krah për krah me pjesëmarrjen në kultin publik të Kishës, duke e ushqyer këtë kult”.
Nxitja e tij për ta vënë lutjen në qendër të jetës së fesë - shtoi Papa – u propozua përsëri nga Koncili II i Vatikanit, posaçërisht në Kushetutën “Sacrosantum Concilium”:
“Jeta e krishterë nuk lulëzon, në se nuk ushqehet me pjesëmarrjen në Liturgji, në mënyrë të posaçme, në Meshën Shenjte të së dielës, e me lutjen e përditshme vetjake. Mes mijëra shqetësimeve e joshjeve, që na rrethojnë, është e nevojshme të gjejmë çdo ditë çaste për t’u gjunjëzuar para Zotit, për ta dëgjuar e për të folur me Të”.
Në vitet e vështira të reformës protestante - shpjegoi Papa - Shën Kanizi diti të dallojë apostazinë e vetëdijshme e të dënueshme, nga humbja e pavetëdijshme dhe e padënueshme e fesë. E pati deklaruar se shumica e gjermanëve, që kaluan në protestantizëm, ishin të pafajshëm. Prej këndej, Benedikti XVI nënvizoi sa aktual është shembulli, që na la me jetën e vet, Shën Pjetër Kanizi:
Ai na mëson me qartësi se shërbimi apostolik është i gjallë e lidh fryte shëlbimi në zemra, vetëm në se predikatari është dëshmitar i Jezusit e mjet, që lëshohet plotësisht në dorë të Zotit, duke u lidhur ngushtë me Jezusin, përmes besimit në Ungjillin e tij e në Kishën e Tij, përmes një jete moralisht koherente e përmes një lutjeje, që nuk pushon kurrë, ashtu si dashuria. E kjo vlen për gjithë të krishterët, të cilët duan ta jetojnë vërtetësisht e besnikërisht bashkimin e tyre me Krishtin”.
Më pas Benedikti XVI kujtoi edhe shkrimet më të njohura të Shën Kanizit. Ndërmjet tyre, “Tre Katekizmat”, kushtuar posaçërisht të rinjve. Në këto tekste, shpjegoi Papa, doktrina katolike paraqitet me pyetje e përgjigje, me një stil të qartë e të drejtpërdrejtë. Ati i Shenjtë kujtoi se me këtë katekizëm u edukuan në fe brezni të tëra gjermanësh në rjedhë shekujsh. Madje, kujtoi akoma Papa Racinger, pikërisht ky katekizëm vijonte të përdorej ende në kohën kur ishte gjallë i jati e njihej me emrin “Kanizi”. Shën Kanizi – vijoi të reflektonte Papa – diti të harmonizojë parimet dogmatike me respektin për çdo njeri aq, sa të radhitet ndër të parët, që formuluan të drejtën e njeriut për liri fetare:
Në një çast historik me kontraste të forta konfesionale, ai i shmangej – e kjo ishte një gjë e jashtëzakonshme – predikimeve plot ashpërsi e mllef - gjë e rrallë për ato kohë në diskutimet ndërmjet të krishterëve të njërës e të tjetrës palë – e synonte kryesisht të ushqente rrënjët shpirtërore të besimtarëve e t’i jepte gjallëri të re gjithë korpit të Kishës”.
Pas katekizmit, duke përshëndetur shtegtarët polakë, Papa kujtoi se të premten e ardhshme Kisha do të kremtojë Zojën e Lurdës e njëkohësisht, edhe Ditën Botërore të të Sëmurit. Në lutjet tona - tha Papa- t’ia besojmë Zojës së Papërlyer të sëmurët dhe të gjithë njerëzit që, me dashuri e përkushtim, vihen në shërbim të tyre në spitale, në shtëpi mjekimi e në familje. Të mos harrojmë: në fytyrat e të sëmurëve, shikojmë fytyrën e Krishtit në kryq.
Në gjuhën italiane Papa përshëndeti posaçërisht ipeshkvijtë e ardhur në Romë për takimin, organizuar nga “Lëvizja e Fokolarëve”, si dhe besimtarët e shoqatës “Horizonte të reja”, të pranishëm në Sallën e Palit VI, në Vatikan.







All the contents on this site are copyrighted ©.