2011-02-09 16:49:24

Në korrik, bashkësia ndërkombëtare do të tërhiqet gradualisht nga Afganistani


(09.02.2011 RV)Milicia talebane në Afganistan mund të kërcënojë muajt e ardhshëm kontingjentin ndërkombëtar. Deklarata është e kreut të forcave ISAF, gjeneral Dejvid Petreus. Sipas ushtarakut të lartë, do të ishte e nevojshme që, brenda datës së fiksuar në korrik, të fillojë “tërheqja e përgjegjshme” e trupave nga vendi, duke ua kaluar gradualisht përgjegjësitë forcave lokale. Në mikrofonin tonë, pedagogu i studimeve strategjike në Universitetin e Triestes, Arduino Paniça:RealAudioMP3
Mendoj se Afganistani mbetet një nga problemet kyçe në marrëdhëniet ndërmjet Perëndimit e organizatave të tij, si NATO, dhe botës islamike. Në këtë çast, gjenerali Petreus është i shqetësuar për ofensivën e zakonshme talebane të pranverës, prandaj paralajmëron për këtë jo vetëm presidentin e vet, por edhe komandën e NATO-s. Muajt e ardhshëm mund të jenë shumë të vështirë. Pavarësisht nga sukseset, si për shembull, gati njëmijë talebanët që lanë armët vitin e kaluar, problemet themelore nuk janë zgjidhur. Por, operacionet e tërheqjes së trupave ndërkombëtare duhet të fillojnë në verën e këtij viti.
A është e mundur të shtyhet tërheqja, për hir të ndonjë emergjence?
Këtë kërkon gjenerali, të cilit i duhet njohur merita e largimit të ushtrisë amerikane dhe të koalicionit jashtë moçalit irakian, me mjete strategjike, si mobilizimi i trupave ndihmëse afgane etj.. Por shifrat janë akoma modeste. Në të vërtetë, nëse fillon tërheqja e 30 mijë ushtarëve, Petreus është i vetëdijshëm se çekuilibrimi i forcave mund t’i favorizojë talebanët. Megjithatë, ka zona, nga ku mund të fillojë tërheqja. Gjithsesi, problemi kryesor i Afganistanit nuk është thjesht ushtarak. Vendi ka nevojë për qeveri, polici e siguri, të cilat duhet ta bindin popullsinë, të luftojnë korrupsionin e të fitojnë konsensus. Jemi tepër larg nga kjo gjendje e dialogu me talebanët e moderuar nuk ka dhënë rezultate të mëdha.







All the contents on this site are copyrighted ©.