2011-02-09 12:07:06

Eshtrat e dom Nikollë Kaçorrit kthehen në Shqipëri


Kohëve të fundit janë gjetur eshtrat e meshtarit shqiptar dom Nikollë Kaçorrit në varrezën qendrore të Vjenës. Në janar të këtij viti, pas plot 94 vjetësh, u gjetën eshtrat e patriotit e klerikut dom Nikollë Kaçorrit. Qe prifti dom Pren Kola, që shërben për besimtarët katolikë shqiptarë në Vjenë, i cili mundi të identifikojë varrin e dom Nikollë Kaçorrit dhe njoftoi për lajmin e shumëpritur.

Të martën më 1 shkurt 2011 po në Vjenë të Austrisë u analizuan eshtrat e don Kaçorrit. Më 6 shkurt gjithnjë në kryeqytetin e Austrisë u kremtua Meshë e Shenjtë në përkujtim të tij, ndërsa sot më 9 shkurt eshtrat e dom Nikollë Kaçorrit janë bartur drejt Shqipërisë ku do të bëhet rivarrimi i tyre në atdhe e pikërisht në Kishën e shën Luçisë në Durrës, ka njoftuar prifti don Pren Kola, misionar i shqiptarëve të krishterë në Austri, Çeki dhe Sllovaki me rezidencë në Vjenë .
Eshtrat e dom Nikollë Kaçorrit pra do të prehet në Kishën e shën Luçisë në Durrës pranë dy famullitarëve të tjerë, At Vinçens Prenushit dhe At Pjetër Gjura, të cilët janë varrosur po në Kishën e shën Luçisë në Durrës, ku patën shërbyer shumë vite më parë.
E varrimi i eshtrave të dom Nikollë Kaçorrit do të bëhet të dielën e ardhshme me kremtimin e Meshës solemne të cilën do ta kryesojë kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësi imzot Rrok Mirdita.
Siç shkruan Enver Sulaj për këtë çështje. Eshtrat e Imzot Kaçorrit deri më tani preheshin në Vjenë të Austrisë, por pas një kohe të gjatë përpjekjesh dhe me ndihmën e familjes Kaçorri që jeton në Shqipëri dhe Kanada, me përkrahjen e ambasadës së Shqipërisë në Vjenë, me ndihmën e veçantë të Qeverisë austriake, e cila edhe ka marrë përsipër shpenzimet e zvarrosjes (ekshumacionit) e të transportit të relikeve të të ndjerit Imzot Nikollë Kaçorri për në atdhe, si dhe me ndihmën e don Pren Kolës, drejtues i Misionit Katolik Shqiptar në Austri, është arritur që të zhvarrosen eshtrat e Imzot Kaçorrit, të cilat sot më 9 shkurt transferohen për në atdheun e tij të dashur, për të cilin u orvat tërë jetën.
Kontribut të jashtëzakonshëm dhe vendimtar në këtë punë ka dhënë Misioni Katolik Shqiptar në Vjenë, zoti Pjetër Logoreci nga Vjena dhe Edmond Kaçorri nga Kanadaja.

Po kush në të vërtetë është domNikollë Kaçorri? Cili është kontributi i tij për çështjen kombëtare dhe përparimin kulturor të shqiptarëve? Historiografia shqiptare pas viteve 90 falë përpjekjeve individuale ka bërë të ndriçojë këtë figurë të madhe të kombit shqiptar, por harresa ideologjike e diktaturës komuniste bëri që emri i dom Nikollë Kaçorrit për 50 vjet të mos përmendej gati fare. Kështu, qëllimshëm është hedhur pluhuri i harresës mbi njeriun që firmosi pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë, Alfabetin e Shqipes më 1908 në Manastir e etj etj.

Imzot Nikollë Kaçorri u lind në vitin 1868 në Krejë-Lurë në Shqipëri dhe vdiq me 29 maj 1917 në Vjenë. Rrjedh prej një familjeje katolike dhe myslimane, pra nëna e tij ishte myslimane ndërsa babai katolik. Ai kreu shkollën jezuite. Pas përfundimit të suksesshëm të seminarit, Nikollë Kaçorri shkon në Itali, ku dhe diplomohet në studimet filozofike e ato teologjike pranë “Propaganda Fide-”. Menjëherë pas studimeve të larta filozofike e teologjike, shugurohet meshtar më 1890 dhe tre vjet më vonë emërohet prift i Kishës Katolike në Durrës. Punoi 24 vjet edhe si vikar i përgjithshëm (me disa ndërprerje të shkurtra). Pas emërimit të tij si prift famullitar në Durrës, dom Nikollë Kaçorri u përfshi në formimin e shumë shoqatave dhe vëllazërive kishtare e atdhetare. Në këtë periudhë të shërbimit të tij meshtarak në Durrës, pati marrëdhënie shumë të mira me qeverinë Austro-Hungareze, e cila merrej me krijimin e shkollave dhe shkollimin e popullsisë katolike e të shqiptarëve në përgjithësi.

Dom Nikollë Kaçorri qe edhe përhapës i librit shqip si dhe i shtypit shqiptar patriotik. Për këtë arsye edhe pati konflikte me shumë institucione të asaj kohe, e sidomos me patrikun grek. Dom Kaçorri mori pjesë në shumë lëvizje kulturore e politike shqiptare.

Po kështu mori pjesë në Kryengritjen e Kurbinit (1905-1907). Gjatë kësaj periudhe, dom Nikollë Kaçorri personalisht kontaktoi me shumë diplomatë austriakë në Durrës e kërkoi angazhim serioz për të zbardhur gjendjen e rëndë në Kurbin që kishte krijuar Esat Pasha me forcat turke. Më 14 nëntor 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit ku u vendos Alfabeti i gjuhës shqipe. Mori pjesë në Kongresin e Dibrës në vjeshtën e vitit 1908, në qendër të të cilit ishte synimi i xhonturqve për të bërë për vete shqiptarët, e dom Nikollë Kaçorri reagoi me shumë delegatë të tjerë, pasi i kuptoi synimet e xhonturqve. Në vitin mori pjesë në ku u diskutuan problemet e shkollës shqipe. Në vitin 1909 themeloi klubin patriotik të Durrësit ndërsa më 18 qershor 1910, dom Nikollë Kaçorri u arrestua nga forcat turke si kundërshtar i urdhëresave të qeverisë osmane dhe të sulltanit.

Dom Nikollë Kaçorri mori pjesë në organizimin e kryengritjes së vitit 1911 dhe të asaj të vitit 1912 kundër turqve. Më 28 nëntor 1912, në mbledhjen e parë të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë, që besohet të jetë hartuar nga . Deklarata është dokument i shkurtër dhe i shkruar me dorë, i nënshkruar nga delegatët e Kuvendit, ndër të cilët don Nikollë Kaçorri nënshkroi i dyti. Pra, don Nikollë Kaçorri ishte nënkryetar i Qeverisë së Vlorës të vitit .

Ai ishte një personalitet i kishës katolike shqiptare, sekretar i kryeipeshkvisë së Durrësit me qendër asokohe në Delmnisht të Kurbinit, ku shërbeu për njëzet vjet, duke pasur në administrim edhe kishat dhe famullitë e Kthellës, Selitës dhe Lurës.

Pas një sëmundjeje të shkurtër, don Nikollë Kaçorri vdiq në Vjenë, me 29 maj 1917. Në varrimin e tij, më 1 qershor 1917, morën pjesë komandanti i krahinës së Tiranës, Feldmarshall Braun, Kryekonsulli i Shkodrës, e veja e konsullit Austro-Hungarez në Durrës, baronesha Lovontal-Linau si dhe shumë diplomatë të tjerë. Me 2 qershor 1917, në kishën ,,Maria Treu” u kremtua Mesha për të.

Riatdhesimi i eshtrave të dom Nikollë Kaçorrit, të këtij personaliteti të shquar që firmosi Pavarësinë e Shqipërisë e që ishte protagonist kryesor i zhvillimeve kulturore dhe politike me peshë kombëtare, përveç si një detyrim njerëzor, duhet të jetë edhe fundi i harresës gjysmëshekullore dhe i injorimit të qëllimshëm ideologjik e politik bërë ndaj figurave më të ndritura të kombit shqiptar, ndër të cilat është edhe dom Nikollë Kaçorri.







All the contents on this site are copyrighted ©.