2011-02-08 17:01:45

Tiranë: Ndalohet një nga gardistët e 21 janarit.


(08.02.2011 RV)Oficeri i Gardës së Republikës së Shqipërisë, zëvendëskomandant i njësisë operative Agim Llupo u ndalua sot nga policia sepse dyshohet për vrasjen e Ziver Veizit, një nga viktimat e 21 janarit. Lajmin e konfirmuan burimet e Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë. Oficerit në fjalë nuk i është bërë e ditur akoma asnjë masë nga prokuroria, ndërkohë që gjashtë anëtarë të tjerë të njësisë operative të Gardës janë marrë në pyetje e më pas janë liruar. Sidoqoftë nuk janë zbatuar ende urdhër-arrestet e Prokurorisë së Përgjithshme për disa ushtarakë të lartë të Gardës së Republikës.
Sipas televizionit shqiptar News24 ekspertiza balistike ka treguar se plumbi që vrau Ziver Veizin, manifestuesin e papunë që po rrinte përballë kryeministrisë më 21 janar, ka dalë pikërisht nga arma e oficerit Llupo. Vdekja e Ziver Veizit është dokumentuar edhe nga një video ku shihet qartë një gardist që qëllon me armë e menjëherë më pas viktima që bie përtokë.







All the contents on this site are copyrighted ©.