Sot më 8 janar kalendari Kishtar përkujton shë Jeronim Emilianin
Shën Jeronim Emiliani, është themelues i Shoqërisë së Shërbëtorëve të të varfërve
(Somaskët) e u përkujdes për të sëmurët, të rinjtë e braktisur e për shpëtimin e prostitutave. I
lindur në Venedik më 1486, fisnik venecian, që jetoi në shekullin XVI, Jeronim Emiliani
ëndërronte një karrierë që do t’i dhuronte lavdi. Nisi, prandaj jetën ushtarake, por
si u zu rob gjatë një beteje, e mbyllën në qelitë e nëndheshme të një kështjelle,
lidhur këmbë e kokë me zinxhirë. S’mund të bënte tjetër, veç të kujtonte jetën e tij
të shkurtër, të mendonte për kotësinë e pushtetit njerëzor, të sillte ndër mend t’
ëmën, që e kishte mësuar të lutej e t’ia besonte veten Zojës së Bekuar, Nënës së Krishtit
e Nënës shpirtërore të gjithë të krishterëve. E kështu, falë lutjes, nisi ta ndjejë
veten të lirë. Takimi personal me Zotin, përmes Virgjërës Mari, i la gjurmë të
thella në jetë. Kur rifitoi lirinë, jeta e tij mori një kthesë rrënjësore: ndërroi
miqësitë, nisi të lexojë çdo ditë Fjalën e Zotit, ndjeu thirrjen për impenjim misionar
në shërbim të të varfërve, të sëmurëve, të rinjve të brakstisur e grave të penduara
e që donin të shpëtonin nga prostitucioni. E kështu, pas një periudhe të shkurtër
noviciati si pendestar me Gjampietro Karafën, papën e ardhshëm Pali IV, Jeronimi ia
kushtoi gjithë jetën Zotit. Tërhoqi me shembullin e vet shumë meshtarë e laikë
të cilët, ashtu si ai, dëshironin t’i shërbenin Krishtit ndër të varfërit. Lindën
kështu “Shërbëtorët e të varfërve” e pastaj edhe “Urdhëri i Klerikëve Rregulltarë
të Somaskës”, ose Etërit Somaskë, që e morën emrin nga qyteti lombard në Itali, ku
bashkëpunëtorët e shenjtit shkonin për t’u lutur. Shën Emiliani përsëriste gjithnjë
fjalët: “Në se Zoti gjen në shpirtin tuaj fe të çiltër e shpresë, do të bëjë me ju
gjëra të mëdha, sepse ai i larton të përvujtët. Në se e ruani veten në mesin e tundimeve,
Zoti do t’ju ngushëllojë në këtë botë; do t’ju japë përkohësisht paqe e qetësi këtu
poshtë e pastaj, përjetësisht, në botën tjetër”. Vdiq gjatë epidemisë të një sëmundjeje
ngjitëse më 8 shkurt 1537, derisa po u shërbente të sërmurëve. U shpall shenjt më
1767, e më 1928 u shpall pajtor qiellor i rinisë së braktisur.