2011-02-08 15:55:07

Ndryshon qeveria në Pakistan: do të eliminohet Ministria për Pakicat fetare


(08.02.2011 RV)Pakistani përgatitet për ndryshimin e qeverisë. Ekzekutivi i drejtuar nga Jusaf Raza Gjilani, i Partisë së Pushtetit Popullor, do të eliminojë disa dikastere. Ndër to edhe Ministrinë për Pakicat fetare, udhëhequr nga katoliku Shahbaz Bati. Sipas agjensisë katolike Fides, ministria mund të shndërrohet në departament të Ministrisë për Punët Fetare. Ndër pakicat e krishtera, qarkullon opinioni se ky është një hap mbrapa në fushën e të drejtave të tyre. “Ekziston apo jo një ministri për pakicat fetare – deklaron kreu i Konferencës Ipeshkvnore, imzot Lourenc Saldanha – kjo nuk ka rëndësi për qëndrimin e Kishës ndaj qeverisë. Ne duam respektimin e të drejtave dhe të lirive themelore për të gjitha pakicat fetare, përfshirë të krishterët… Për këtë, duhen zhdukur diskriminimet shoqërore dhe duhet nxitur zhvillimi ekonomiko-shoqëror i bashkësive tona”.
Gjithnjë sipas agjensisë katolike Fides, presioni i bashkësisë ndërkombëtare ka bërë që Islamabadi të vendosë eliminimin e Ministrisë për Pakicat Kombëtare, për të treguar kështu se nuk pranon ndërhyrje në punët e brendshme. Nga ana tjetër, kjo është shenjë e dobësimit të Partisë së Pushtetit Popullor, e cila qeveris aktualisht vendin, jo pa i dhënë konçesione partive islamike, që po kushtëzojnë me forcë veprimtarinë e saj.







All the contents on this site are copyrighted ©.