2011-02-08 11:08:39

Më 8 shkurt, kalendari Kishtar përkujton shën Gjyzepina Bakhita, virgjër.


Gjyzepina Bakhita lindi në Sudan në vitin 1869. Që në moshën shtatë vjeçare iu desh të provonte ankthin e rrëmbimit e të skllavërisë. U shit disa herë në tregjet e skllevërve në El Obeid e në Kartum më m1882 u blé, më në fund, nga konsulli italian Kalisto Lenjani. Me të shkoi në Venedik, ku më 1885 u njoh me motrat kanoziane.
Këtu pat mundësinë të njihet me fenë e krishterë, e më 9 janar 1890 kërkon të pagëzohet duke marrë emrin Gjyzepina. Ajo iu lut atyre ta ndihmonin për të njohur atë Zot, të cilin e kishte ndjerë në zemër pa e ditur akoma se kush ishte. E u tregonte rregulltareve: “Duke parë diellin, hënën e yjet, thosha me vete: “Kush do të jetë zotëria i këtyre sendeve? E ndjeja një dëshirë të zjarrtë për ta parë, për ta njohur e për ta nderuar”.
Jetoi pesëdhjetë vjet me radhë duke shërbyer në shtëpinë e simotrave, të cilat e nderonin për ëmbëlsinë e saj të përhershme, për mirësinë e saj e për dëshirën që të njihte Zotin. U la trashëgim fjalët: “Të jeni të mira, duajeni Zotin, lutuni për ata që nuk e njohin! Sikur ta dinin ç’hir i madh është ta njohësh Zotin!”.
Në pleqëri kaloi një sëmundje të rëndë e të dhimbshme. Dha shpirt më 8 shkurt të vitit 1947 rrethuar nga simotrat dhe nga një turmë e madhe njerëzish, që u mblodh për t’i dhënë lamtumirën e fundit “Nënës së shenjtë zeshkane” e për t’i kërkuar ndërmjetësim nga qielli.







All the contents on this site are copyrighted ©.