2011-02-08 14:31:08

Ministri i jashtëm i Italisë Fratini: Laicizmi i tepruar e minon besueshmërinë e BE.


(8.02.2011 RV)Në betejën për mbrojtjen e të krishterëve nëpër botë, si të koptëve në Egjipt, fjala vjen, “nuk po e kuptojmë ende se laicizmi i tepruar e minon besueshmërinë e Bashkimit Evropian. Ende nuk po ndërgjegjësohemi për faktin se rrënjët e krishtera janë pjesë themelore e identitetit evropian dhe se liria e kultit është premtim për të gëzuar edhe shumë liri të tjera pastaj.”
Kështu u shpreh ministri i jashtëm italian Franko Fratini në një intervistë dhënë sitit ueb “il sussidiario”. “Nëse, në Egjipt për fat të keq lëvizja do të merrte tipare islamike radikale, atëherë pjesa kopte e popullsisë do të vihej në rrezik. Kjo është një arsye më shumë - shtoi Fratini, - që Italia dhe Bashkimi Evropian të mbështesin një tranzicion të ngadaltë.
Sidoqoftë, në këtë fazë, po aq sa të panjohurat e zhvillimeve politike në Egjipt, po rëndon edhe pavendosëmëria e Evropës. Mungesa e tolerancës ndaj të krishterëve dhe pakicave fetare në përgjithësi, ka marrë përmasa të papranueshme në shkallë botërore. Përballë kësaj situate Evropa e ka me detyrë të tregohet konkrete dhe e vendosur.” përfundoi ministri i jashtëm italian Fratini.







All the contents on this site are copyrighted ©.