Francë. Kardinali Zhan–Pierr Rikard: në mbrojtjen e embrionit nuk pranohen shkelje
Duke pranuar në mënyrë të pakushtëzuar se embrioni njerëzor është i ligshtë, për vetë
natyrën e vet, ligji duhet t’i përgjigjet plotësisht asaj, që presin prej tij shumica
e nënshtetasve, të cilët dëshirojnë që “shteti të jetë i aftë për t’i mbrojtur të
gjithë, posaçërisht më të ligshtët, nga prirjet për t’ia nënshtruar logjikës së tregut,
eksperimentet e praktikat, që tradhtojnë parimin e integritetit të trupit njerëzor”.
Përfundon me këtë shpresë editoriali i kryeipeshkvit të Bordosë, kardinalit Zhan-Pierr
Rikard i cili, në gazetën e dioqezës së tij, “L’Aquitaine”, ndalet posaçërisht tek
nenet 23 e 24 (që kanë të bëjnë me kërkimet shkencore mbi embrionin e njeriut) të
projekt- ligjit mbi bioetikën, aktualisht në diskutim në parlamentin francez. Mbi
argumentin – njofton gazeta vatikanase “L’Oservatore Romano” – prelatët kanë ndërhyrë
kohët e fundit përmes një note, dorëzuar deputetëve, në të cilën përmbledhin propozimet
e tyre në mbrojtje të jetës njerëzore. Për kardinalin Rikard, projekt-ligji ka një
kontradiktë të brendshme. Nga njëra anë vijon të ndalojë kërkimet shkencore mbi embrionin
e njeriut dhe mbi qelizat staminale embrionale njerëzore, nga ana tjetër vendos të
bëjë lëshime në favor të kërkimeve shkencore. Në disa kushte – shkruhet në të – embrionet
e tepërta mund të përdoren e edhe të shkatërrohen. Në vitin 2004, me rastin e rishikimit
të parë të ligjit mbi bioetikën, kërkimi shkencor mbi embrionet autorizohej për një
periudhë të kufizuar prej pesë vjetësh. Ky autorizim nisi që nga data 6 shkurt e vitit
2006 e duhej të skadonte pikërisht në këtë datë të vitit në vijim. Ndërsa projekt–ligji,
kujton kardinali Rikard, e bën të përhershme këtë shmangie. Ai nuk autorizon gjithçka.
Nuk autorizon, për shembull, tregtimin e trupit njerëzor. E ky ndalim nuk pranon lëshime,
vijon kardinali Rikard, duke kujtuar se zbulimet shkencore mbi qelizat staminale të
njerëzve të rritur i kanë hapur udhën një metode alternative. Këtë thekson kryeipeshkvi
i Bordosë, i cili pohon me forcë se në gjitha rastet, embrioni njerëzor është njeri
me kuptimin më të plotë të kësaj fjale. Se, prandaj, duhet mbrojtur në të gjitha rastet
e pa asnjë kusht. Kujtojmë se parlamenti francez do të fillojë diskutimin e projekt-ligjit
nesër, më 8 shkurt. Pritet një diskutim i gjatë e i ashpër. Përfshin, ndërmjet tjerash,
edhe dhurimin e vezoreve nga ana e grave, që nuk kanë pasur kurrë fëmijë.