Benedikti XVI: të edukosh është vepër dashurie, në një botë ku konsiderohet e rrezikshme
të flasësh për të vërtetën.
(07.02.2011 RV)Edukatori i krishterë duhet të jetë shprehje e dashurisë e dëshmitar
i së vërtetës: për këtë i nxiti Benedikti XVI pjesëmarrësit në mbledhjen plenare të
Kongregatës së edukimit katolik, të cilët i priti sot paradite në audiencë, në Vatikan.
Papa vuri theksin mbi urgjencën me të cilën Kisha duhet t’i përgjigjet sfidës edukative,
si në seminare, ashtu edhe në shkolla. Më pas ripohoi se në një kohë, mbi të cilën
sundon relativizmi, e vërteta duhet kumtuar me besnikëri të guximshme e përtëritëse.
Nga ana e pjesëmarrësve, Papën e përshëndeti kardinali-prefekt i Kongregatës,
Zenon Groholevski.
Të edukosh, është akt dashurie, ushtrim i bamirësisë intelektuale,
që kërkon përgjegjësi, përkushtim, koherencë jete: këtë nënvizoi Benedikti XVI në
fjalimin drejtuar anëtarëve të dikasterit për Edukimin katolik. Papa kujtoi sa e rëndësishme
është të trajtohet tema, posaçërisht e dashur për të, e emergjencës edukative. Një
sfidë, theksoi, nga më urgjentet, së cilës duhet t’i bëjnë ballë Kisha edhe institucionet
e saja: “Veprimtaria edukative po bëhet gjithnjë më e vështirë sepse, në
një kulturë, që e shikon gjithnjë më shpesh relativizmin si besojmën e vet, mungon
drita e së vërtetës, madje të flasësh për të vërtetën konsiderohet si diçka e rrezikshme,
duke ngjallur kështu dyshimin për vlerat bazë të jetës personale e komunitare”. Prej
këndej, Papa vlerësoi lart shërbimin që kryejnë institucionet formuese, të frymëzauara
nga vizioni i krishterë për njeriun e realitetin. Vuri theksin edhe mbi rëndësinë
e formimit në vitet e seminarit. Kjo e fundit, nënvizoi Papa, duhet të jetë një etapë
e çmuar e jetës, gjatë së cilës kandidati për meshtari jeton përvojën e dushepullit
të Jezusit. Ripohoi, kështu, nevojën që seminaristët të jetojnë së bashku e ta duan
përmasën e bashkësisë, që i paraprin vëllazërisë sakramentore. Më pas Ati i Shenjtë
kujtoi se teologjia duhet ta bëjë gjithnjë më të fuqishme lidhjen ndërmjet saj, si
disiplinë shkencore dhe Shkrimit Shenjt: “Teologu nuk duhet të harrojë se
është edhe ai që flet për Zotin. Është e domosdoshme, prandaj, t’i lidhë ngusht teologjinë
me lutjen vetjake e komunitare, posaçërisht liturgjike. Teologjia është shkenca e
fesë e lutja e ushqen fenë. Në bashkimin me Zotin, misteri i shijuar në një farë mënyre,
bëhet i afërt, e kjo afërsi është dritë për mendjen njerëzore”. Duke kujtuar
të Lumin Xhon Njumen, Benedikti XVI nënvizoi lidhjen e ngushtë të teologjisë me disiplinat
e tjera, të cilat formojnë së bashku, ‘rrethin e madh të dijes”. Vetëm Zoti, shpjegoi
Papa, ka lidhje me tërësinë e reales. Prej këndej, vërejti, ta zhdukësh Zotin, do
të thotë të copëtosh rrethin e dijes: “Në këtë perspektivë, Universitetet
katolike, me identitetin e tyre të mirëpërcaktuar e me prirjen për të hyrë në “tërësinë”
e qenies njerëzore, mund të kryejnë një veprimtari të çmuar në promovimin e unitetit
të dijes, duke i orientuar studentët dhe mësuesit drejt Dritës së botës, dritës së
vërtetë, që ndriçon çdo njeri”. Duhet, prandaj, tha në vijim Papa, guxim
për ta kumtuar vlerën e madhe të edukimit e për të formuar njerëz me kulturë të shëndoshë
e të qëndrueshme. Duhet besnikëri e guximshme e përtëritëse, që di të bashkojë vetëdijen
e qartë me identitetin e saj dhe aftësinë për t’ia hapur tjetrit zemrën e për të jetuar
së bashku në shoqëri: “Edhe këtij qëllimi i shërben roli edukativ i mësimit
të fesë katolike, si displinë shkollore, në dialog ndërdisiplinor me të tjerat. Në
të vërtetë, ai kontribuon gjërësisht jo vetëm për zhvillimin e gjithanshëm të studentit,
por edhe për njohjen e tjetrit, për mirëkuptimin e për respektin reciprok”. Papa
pohoi se prania e edukatorit të krishterë, me koherencën e jetës së tij e me praninë
e tij, bëhet shprehje e dashurisë e dëshmi e vërtetësisë. Së fundi, reflektoi edhe
për kontributin që mund të japë interneti për formimin në seminare, temë kjo mbi të
cilën Kongregata po përgatit një dokument të posaçëm. Rrjeti, vërejti Papa, me aftësinë
për të kapërceyer distancat e për t’i lidhur me shpejtësi njerëzit, duhet parë si
mjet me mundësi të mëdha edhe për Kishën e misionet e saj. Pa harruar se përdorimi
i tij, shtoi Ati i Shenjtë, duhet të jetë i mençur e i kujdesshëm: “Edhe
në këtë fushë ka rëndësi të jashtëzakonshme të llogaritet ndihmesa e njerëzve të
formuar në mënyrë të përshtatshme, që të jenë prijës të besimtarëve e gjithnjë në
lidhje të ngushtë me të renë, me qëllim që t’i shoqërojnë kandidatët për meshtari
në përdorimin korrekt e pozitiv të mjeteve informatike”.