2011-02-05 13:35:17

Shenjtorët e javës së ardhshme


Sot, 6 shkurt, është e diela e pestë e vitit kishtar, cikli A. Leximet e sotme na ndihmojnë të kuptojmë se Krishti i ringjallur është drita, që fiton mbi errësirën e mëkatit e të vdekjes. Po sot, përkujtohen edhe shën Pal Miki me shokë, martirë japonezë dhe shën Dorotea, virgjër e martire.

Të hënën, më 7 shkurt, Kisha Katolike kremton festën e shën Partenit, shën Rikardit e të Lumit Piu IX. Dishepujve që nuk arrijnë ta kuptojnë Jezusin, shën Marku ungjilltar i kundërvë ata njerëz, që e njohin menjëherë Krishtin dhe ngarendin drejt Tij, pasi e shihnin tek Ai “shpëtimin”. Ungjilli i kësaj dite na i hap sytë për të kuptuar se ku dhe çfarë duhet të shohim.

8 shkurt, ditën e martë, përkujtohen shën Jeronim Emiliani e shën Jozefina Bakita. Leximet e kësaj dite na mësojnë se ligjet rituale janë të rëndësishme e duhen respektuar, por nuk duhet të bëhen pretekst për të kapërcyer Urdhërimet e Tënzot. Kjo do të ishte hipokrizi.

Bekoje o Zot, shpirtin tim. Ungjilli i së mërkurës, 9 shkurt, na tërheq vëmendjen drejt faktit se edhe nëse gjërat e jashtme mund të na prishin, nuk duhet të harrojmë se problemi i vërtetë është brenda, në korruptimin e zemrës. Këtë ditë, Kisha kujton shën Apolloninë e shën Maronin.

Më datë 10 shkurt, ditën e enjte, përkujtohet shën Skolastika, virgjër, shën Silvani dhe i Lumi Alojze Stepinac. Ndërsa shumë ndjekës të Jezusit janë thjesht formalë e vërejnë edhe gjënë më të vogël që s’shkon, sjellja këmbëngulëse e gruas pagane shpreh karakteristikën thelbësore të fesë, që shpesh na mungon. Ungjilli i ditës, na fton pra të mos u japim tepër rëndësi rregullave e ligjeve, por zemrës së pastër.

Të premten, 11 shkurt, Kisha Katolike kremton festën e Zojës së Lurdës, Zoja e mrekullive dhe e shërimit të sëmundjeve. Leximet biblike na japin të kuptojmë se është i Lum e pra, i shëruar, ai njeri të cilit i janë falur mëkatet. Vetëm Jezusi na liron, na bashkon e na shtyn t’i thurim lavde veprave të Zotit. 11 shkurti është edhe Dita botërore e të Sëmurit.

12 shkurt, përkujtohen Shenjtorët Martirë të Abitenit dhe shën Benedikti i Anianit. Leximet e ditës vënë në pah vëmendjen që i jepet Eukaristisë në predikimin e apostujve. Është një mrekulli, që zbulon mëshirën e Jezusit për ne dhe nevojën tonë për t’u ushqyer me bukën e jetës. Në këtë ditë, Radio Vatikanit feston 80-vjetorin e themelimit.

E diela e ardhshme, e gjashta e vitit kishtar, na kujton shën Martinianin e shën Beninjin.







All the contents on this site are copyrighted ©.