2011-02-05 17:30:43

Benedikti XVI: ipeshkvijtë nuk duhet t’i nënshtrohen modës.


“Bariu nuk duhet të jetë si kallami i kënetës, që përkulet nga fryn era, por si lisi me rrënjë të ngulura thellë në tokë. Mbi këto rrënjë mund të lëshojë shtat të shëndetshëm, të rritet i papërkulshëm e të mos i trembet asnjë stuhie”. Këtë kërkoi Papa Benedikti XVI në Meshën Shenjte, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, gjatë së cilës shuguroi pesë ipeshkvij. “Bariu duhet të jetë sypatrembur, t’u kundërvihet me guxim rrymave të çastit. Janë këto disa nga detyrat e tij themelore” – vijoi të nënvizojë Ati i Shenjtë.
Sipas Papës teolog, kjo nuk do të thotë se ipeshkvi duhet të jetë i ashpër a i sertë. Është thjesht një pohim, që na kujton se atje ku ka stabilitet, ka edhe rritje!
Edhe pse mund të duket sikur një pjesë e mirë e botës moderne, e njerëzve të sotëm, ia kthejnë shpinën Zotit dhe e shikojnë fenë si diçka që i përket së kaluarës, njerëzit vijojnë të kërkojnë me etje dashurinë, drejtësinë, paqen. Kjo dëshirë, tejet e pranishme në botën moderne, është forcë shtytëse drejt së mirës, së madhes, së bukurës. Kështu, në mënyrë të pavetëdijshme, bota s’bën tjetër, veçse të kërkojë Shëlbuesin, vetë Zotin, edhe atje ku Ai mohohet.







All the contents on this site are copyrighted ©.