2011-02-04 18:46:39

Papa Gjykatës së Senjaturës Apostolike: drejtësia t’i shërbejë harmonisë e pajtimit.


Gjykatë e thirrur për t’i shërbyer ndershmërisht mbarështimit të drejtësisë në Kishë”. Kjo është detyra kryesore e Gjykatës së Lartë pranë Selisë së Shenjtë, që njihet prej shekujsh me emrin Senjatura Apostolike. Anëtarët e saj u pritën sot paradite nga Benedikti XVI, me rastin e mbledhjes plenare të organizmit vatikanas. Papa kujtoi shkurtimisht funksionet e gjykatës, duke i kushtuar vëmendje të posaçme veprimtarisë së saj në fushën delikate të anulimit të martesave.RealAudioMP3

“Edhe në një sallë gjykate mund të sheshohen grindjet e të pajtohen kundërshtarët, me fjalë e akte të frymëzuara nga dashuria e krishterë”. Ky është qëllimi i lartë që Senjatura Apostolike e ka në qendër të vëmendjes, në të gjithë veprimtarinë e saj – nënvizoi Papa. E më tej kujtoi sferën e posaçme të kompetencës së kësaj gjykate: funksionin e vigjilencës, me të cilin ndjek mbarështimin e drejtësisë në gjykatat kishtare të një shkalle më të ultë. Ati i Shenjtë kujtoi, në vijim, edhe katër fushat kryesore të kompetencës së kësaj instance të lartë të Selisë së Shenjtë: të njohë nga afër veprimtaritë e gjykatave lokale, dioqezane e ndërdioqezane; të përpunojë të dhënat vjetore, që vijnë prej tyre; të vlerësojë burimet njerëzore e institucionale dhe të ketë funksion të vazhdueshëm drejtues:
Është fjala për një punë të koordinuar e durimtare, me qëllim që t’u sigurohet besimtarëve drejtësia e vërtetë, e shpejtë, e rregullt, gjë që, përsa i përket çështjeve të anulimit të martesave e kam kërkuar në nxitjen apostolike pas sinodale Sacramentum Caritatis: “Atje ku, me të drejtë, lindin dyshime për vlefshmërinë lidhjes së kurorës, duhen bërë gjithçka është e nevojshme për të sqaruar deri në ç’ masë këto dyshime mund të jenë të vërteta ”.
E këtu Benedikti XVI kujtoi Udhëzimin Dignitas conubii, dokument-doracak, i cili u siguron atyre që merren me anulimin e martesës, të gjitha normat e nevojshme, në mënyrë që këto çështje të trajtohen e të zgjidhen me rrugën më të shpejtë e më të sigurtë. Prej këndej – theksoi Papa - Senjatura Apostolike duhet të jetë gjithnjë më pranë besimtarëve:
“Inkurajoj, prandaj, edhe reflektimin, me të cilin do të merreni këto ditë, kushtuar jurisprudencës së drejtë, që duhet t’u propozohet gjykatave lokale, lidhur me error iuris, si shkak i anulimit të martesave”.
Më pas Benedikti XVI preku një argument tjetër, të cilin me të drejtë e quajti tejet delikat: gjykimin e grindjeve, që mund të lindin në mjediset kishtare, si ndërmjet individëve të veçantë, ashtu edhe ndërmjet institucioneve. Madje edhe atyre vatikanase, siç është, bie fjala, një konflikt i mundshëm ndërmjet dikastereve, lidhur me kompetencat që ka secili. Gjykata e Lartë - pohoi Papa – duhet të kryejë një detyrë me rëndësi të dorës së parë, atë të përdorimit të mjeteve të drejtësisë, në shërbim të zgjidhjes paqësore të grindjeve e të konflikteve, edhe përmes ngritjes së këshillave ose zyrave, në shërbim të pajtimit:
“Në se është e vërtetë se padrejtësia duhet luftuar kryesisht me armën shpirtërore të lutjes e të dashurisë së krishterë, të faljes e të pendesës, gjithsesi, në disa raste, nuk mund të përjashtohet edhe nevoja e përballimit të saj me mjetet e gjykatave. E gjykatat duhen parë si vende dialogu, që nganjëherë çojnë në harmoni e pajtim”.
E kur nuk është e mundur që grindjet të zgjidhen paqësisht, atëherë procesi gjyqësor duhet zhvilluar në mënyrë të tillë, që të synojë qëllimin më të lartë, rindërtimin e bashkimit Kishtar, pa të cilin nuk mund të flitet për paqe e harmoni:“Rivendosja e mundimshme e drejtësisë ka për qëllim të rikrijojë marrëdhënie të drejta e të rregullta ndërmjet besimtarëve e Autoriteteve të tyre kishtare. Në të vërtetë paqja e shpirtit dhe bashkëpunimi i zellshëm i besimtarëve në misionin e Kishës, burojnë nga krijimi i kushteve të përshtatshme, pa të cilat nuk mund ta japin plotësisht kontributin, në përkim me thirrjen e tyre”.







All the contents on this site are copyrighted ©.