Paraqitet mesazhi i Papës për Ditën Botërore të të Sëmurit
(03.02.2011 RV)“Nga plagët e Tij
u shëruat”: ky është titulli i mesazhit të Benediktit XVI për Ditën Botërore të të
Sëmurit, që do të kremtohet më 11 shkurt, në festën e Zojës Lurdë. Sot paradite, ai
u paraqit në Sallën e Shtypit të Vatikanit, nga kryetari i Këshillit Papnor për Veprimtarët
e Shëndetësisë, imzot Zigmunt Zimovski. Të shtunën, Këshilli organizon seminarin,
që mbyll veprimtaritë për 25-vjetorin e dikasterit. Qëllimi i ditës, siç theksoi
imzot Zimovski, duke kujtuar dëshminë e Papës së dashur Gjon Pali II, që e themeloi,
është ta shohë misterin e vuajtjes njerëzore në dritën e fesë e të promovojë solidaritetin
ndaj të sëmurëve, që askush të mos lihet pa kura, pa kujdes e dashuri njerëzore: “Së
pari, të sensibilizohet populli i Zotit e shoqëria civile për botën e vuajtjes e të
ndihmohen vetë të sëmurët ta vlerësojnë vuajtjen. Pastaj, të përfshihen dioqezat,
bashkësitë e krishtera e familjet rregulltare, në baritorinë e shëndetësisë. Përveç
kësaj, është shumë e rëndësishme, që këtë vit të favorizohet impenjimi i vullnetarëve.
Viti 2011 i kushtohet nga Evropa vullnetariatit. Kjo ditë duhet të nxisë formimin
shpirtëror e moral të veprimtarëve të shëndetësisë, të mjekëve, të infermeierëve e
të farmacistëve. Së fundi, duhet të tërheqë vëmendjen ndaj ndihmës shpirtërore për
të sëmurët. Flasim për meshtarët, për kapelanët e spitaleve, por edhe për laikët,
që formojnë bashkësi, për t’u qëndruar afër të sëmurëve”. Një herë në tri vjet,
Dita Botërore e të Sëmurit kremtohet solemnisht nga e gjithë Kisha e jo vetëm në nivel
dioqezan. Takimi i ardhshëm është në vitin 2013 në Gjermani, në shenjtëroren mariane
të Altëting. Pastaj mendimi i imzot Zimovskit shkoi tek lumnimi i afërt i Papës Gjon
Pali II: “Mendoj se në çdo dioqezë, Dita Botërore e të Sëmurit do të jetë rasti
për t’u përgatitur edhe për lumnimin e Gjon Palit II. 1 maji është afër. E me këtë
rast, dua të theksoj se Karol Vojtila ishte “i sëmurë ndër të sëmurët”. Ai vetë thoshte
se kishte tri shtëpi: në Qytetin e Vatikanit, në Kastel Gandolfo dhe në Poliklinikën
Gemelli, ku ka kaluar jo ditë, por muaj”.