2011-02-03 15:48:58

Papa Komunitetit Emanuel: në një botë shpesh të çorientuar, sillni dritën e Krishtit për të gjithë


(03.02.2011 RV)RealAudioMP3 Gjejeni forcën në Eukaristi për t’u shpallur Fjalën e Zotit të gjithë njerëzve: kështu u tha Papa anëtarëve të Komunitetit Emanuel, të cilët i priti sot në audiencë, me rastin e 20 vjetorit të vdekjes së themeluesit të kësaj bashkësie, Pierre Goursat. Kujtojmë se kjo bashkësi punon e jep kontributin e saj edhe në Shqipëri. Ati i Shenjtë nënvizoi se në botën e sotme ndihet nevoja e një zelli të ri apostolik, rrënjosur në jetën e vërtetë eukaristike:
“Në një botë shpesh të çorientuar e në kërkim të arsyeve të reja për jetën, dria e Krishtit duhet t’u çohet të gjithëve”.
Që këtej, ftesa e Benediktit XVI për t’u bërë misionarë të zjarrtë ndër njerëzit e kohës sonë. “Duhet të keni etje për ta shpallur Fjalën e Zotit”, i inkurajoi Papa meshtarët dhe laikët e Komunitetit Emanuel. Urgjenca e përhapjes së Ungjillit, theksoi Ati i Shenjtë, ndihet sidomos në mesin e familjeve, shpesh të ndara, në mesin e të rinjve e në ambientet intelektuale:
“Kontribuoni në rinovimin nga brenda të zellit apostolik nëpër famulli, duke zhvilluar më tej orientimet e tyre shpirtërore e misionare”.
Papa i këshilloi anëtarët e bashkësisë të tregojnë kujdes të veçantë për ata që kthehen në Kishë, pasi e kanë braktisur atë e për ata, që nuk kanë formim të thellë të krishterë. “Ndihmojini – tha Benedikti XVI – ta rrënjosin fenë në një jetë vërtet teologale, sakramentore dhe kishtare”. Më pas, duke lavdëruar impenjimin e bashkësisë në vendet me popullsi në nevojë, uroi që dëshmia e bamirësia e anëtarëve të Komunitetit Emanuel të kthehet në forcë për të ndërtuar një botë më të drejtë e më vëllazërore. Së fundi, Papa vuri theksin në rëndësinë e bashkimit ndërmjet anëtarëve:
“Ky bashkim nuk është një solidaritet i thjeshtë njerëzor ndërmjet anëtarëve të së njëjtës familjeje shpirtërore, por bazohet në marrëdhëniet tuaja me Krishtin e në impenjimin e përbashkët për t’i shërbyer Atij”.
Jeta në bashkësi, përfundoi Benedikti XVI, është për shoqërinë “dëshmia e gjallë e dashurisë vëllazërore, që duhet t’u japë shpirt të gjitha marrëdhënieve njerëzore”.








All the contents on this site are copyrighted ©.