2011-02-03 15:51:54

Papa ambasadorit të ri austriak: shtëpi e përbashkët evropiane, vetëm nëse i ka themelet në rrënjët e krishtera


(03.02.2011 RV)Rrënjët e krishtera të Evropës, marrëdhëniet ndërmjet shtetit e fesë, mbrojtja e familjes dhe e martesës tradicionale ndërmjet burrit e gruas, ishin temat kryesore, që u prekën sot paradite nga Papa, në audiencën me ambasadorin e ri të Austrisë pranë Selisë së Shenjtë, Alfons M. Kloss. Benedikti XVI shprehu kënaqësinë për impenjimin e qeverisë austriake në mbrojtje të Kryqit në institucione dhe për nxitjen e rezolutës mbi lirinë fetare.
Papa analizoi skenarin e ndërlikuar evropian, në të cilin të gjitha vendet janë të thirrura të rizbulojnë rrënjët e tyre të krishtera, nëse duan të mirën e përbashkët të popujve. Më tepër se sa kultura e krishterë – shpjegoi Ati i Shenjtë – vlen feja e jetuar në Krishtin dhe dashuria për të afërmin, që bazohet në fjalën dhe në jetën e Krishtit e në shembullin e shenjtorëve.
Jetojmë në një kohë kur, nga njëra anë, autoritetet politike përpiqen ta përjashtojnë fenë nga sfera publike e, nga ana tjetër, duan ta shekullarizojnë mesazhin ungjillor, duke ia përshtatur kulturës aktuale. Është një mënyrë më e fshehtë për të mohuar lirinë e fesë, e vetmja, që i jep mundësi edhe Kishës të punojë për të mirën e shoqërisë, përmes veprimtarive të veta, nga edukimi tek bamirësia.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm, theksoi në fund Papa, është politika ndaj familjes. Ajo quhet shkollë humaniteti e mund të jetë e tillë vetëm nëse bazohet mbi dashurinë, besnikërinë e bashkëpunimin. Benedikti XVI i kërkoi ambasadorit austriak, impenjimin e Vienës për mbrojtjen e martesës tradicionale dhe të jetës, që lind prej saj.








All the contents on this site are copyrighted ©.