2011-02-03 16:45:18

Pakistan. Asnjë përparim në ndryshimin e ligjit kundër blasfemisë.


(03.02.2011 RV)Policia e Pakistanit arrestoi një 17-vjeçar i cili akuzohet se ka blasfemuar në një provim me shkrim në shkollë. Zëdhënësi i policisë tha se nuk mund të përsërisë atë që ka shkruar djaloshi sepse do të blasfemonte edhe ai vetë.
Ligji kundër blasfemisë në Pakistan parashikon deri edhe dënimin me vdekje. Ata që kritikojnë këtë ligj thonë se ligji shpesh përdoret edhe për larje hesapesh me ndokënd dhe se ka nevojë të shfuqizohet ose të ndryshohet në mënyrë që të mos abuzohet më me të.
Vitin e kaluar Azia Bibi, një nënë e krishterë me pesë fëmijë, u dënua me vdekje pikërisht në bazë të këtij ligji, çka shkaktoi edhe protesta në botën perëndimore aq sa vetë Ati i Shenjtë Benedikti XVI kërkoi që asaj t’i falej jeta. Po ndërkaq duket se nuk po bëhen përparime në ndryshimin e këtij ligji famëkeq. Edhe deputetja pakistanase Sherri Rehman deklaroi se nuk do ta paraqesë kërkesën e saj për ndryshime të këtij ligji në parlament. Sekretari i Komisionit Kombëtar për drejtësi dhe Paqë i Konferencës Ipeshkvnore të Pakistanit Pitër Xhejkob e cilësoi këtë si një hap mbrapa për ndryshimin e këtij ligji. “Situata e përgjithshme ka ngelur vendnumëro” – u shpreh ai për Radio Vatikanin. “Çdo lloj nisme tjetër për ndryshimin e ligjit kundër blasfemisë apo abuzimit në të ardhmen e afërt do të pezullohet.” përfundoi Xhejkob.







All the contents on this site are copyrighted ©.