2011-02-03 16:09:44

Egjipt. Kryeministri Shafik: Mubaraku do të dalë nga skena por në mënyrë të denjë.


(03.02.2011 RV)“Presidenti Hosni Mubarak do të dalë nga skena por në një mënyrë të denjë për të.” Kështu deklaroi për shtypin kryeministri egjiptian Ahmed Shafik, gjatë një konference për shtyp në Kajro, transmetuar nga televizioni shtetëror. “Ka prej atyre që duan me doemos të ndjekin shembullin e Tunizisë, por nuk ka nevojë që të veprohet patjetër në atë mënyrë.” vazhdoi kryeministri Shafik. Ndërkaq situata në vend mbetet e tensionuar. Dje në Kajro pati përleshje ndërmjet kundërshtarëve dhe mbështetësve të Mubarakut e ushtrisë. Si pasojë u vranë dhjetë vetë dhe u plagosën 800 të tjerë. “Premtoj se dhuna e djeshme në sheshin Tahrir në Kajro nuk do të përsëritet më.” shtoi kryeministri i ri egjiptian Ahmed Shafik. Bëhet e ditur se edhe presidenti amerikan Barak Obama i ka kërkuar presidentit Mubarak një tranzicion paqësor të menjëhershëm. Gjithashtu SHBA dënuan fushatën frikësuese që ka ndërmarrë qeveria egjiptiane kundër gazetarëve të huaj. Vetëm dje në vend u arrestuan e më pas u liruan katër gazetarë izraelitë dhe një belg, kurse sot tre korrespondentë të televizionit polak.







All the contents on this site are copyrighted ©.