2011-02-02 17:54:33

Papa në audiencën e përgjithshme: t’i duam konkretisht Zotin e vëllezërit, në një shoqëri shpesh pa vlera shpirtërore.


(02.02.2011 RV)Në audiencën e sotme të përgjithshme Papa nisi një katekizëm të ri, i pari i një serie, që do të plotësojë portretet e Dijetarëve të Kishës. Ia kushtoi Shenjtores, e cila përfaqëson një nga majat më të larta të përshpirtërisë së krishterë të të gjitha kohëve: Terezës së Jezusit.RealAudioMP3
Shenjtorja lindi në Avila të Spanjës, në vitin 1515, në familjen Ahumada. Prindërit, njerëz me virtyte të larta e me frikën e Zotit, e pagëzuan me emrin Terezë. Në jetëshkrimin e saj na njeh me shumë hollësira të miturisë: flet për bindjet fetare të prindërve, për nëntë vëllezërit e tri motrat, për çastet e lume e të shqeta të jetës në këtë familje kaq të madhe e, njëkohësisht, kaq të lidhur me Zotin. Ishte vetëm nëntë vjeçe, kur nisi të lexojë jetët e disa martirëve. I lindi menjëherë dëshira të ecë në gjurmët e tyre, të pësojë martirizimin për Krishtin, të ngjitet sa më shpejt në qiell, pranë të Kryqëzuarit, duke mbartur mbi supe kryqin e vet. Fëmijët e kanë zakon t’u kërkojnë prindërve lodra, ajo u kërkoi diçka krejt të jashtëzakonshme: “Dua të shoh Zotin”, u tha, në sa ishte ende krejt e njomë. Disa vjet më vonë Tereza do të fliste për leximet e miturisë e do të pohonte se kishte zbuluar të vërtetën, të cilën e përmbledh në dy parime kryesore. Parimi i parë: gjithçka i përket kësaj bote, kalon, zhduket, shpesh pa lënë asnjë gjurmë. Parimi i dytë, themelor: Vetëm Zoti mbetet përgjithmonë, përgjithmonë, përgjithmonë! E kjo do të ishte edhe tema e poezisë së saj të famshme:
Mos u shqetëso për asgjë,
nga asgjë ti mos ki frikë.
veç Zotit, gjithçka kalon,
po ai kurrë nuk ndryshon.
Durimi i hap rrugën dritës,
atij që ka Zotin,
asgjë s’i mungon:
Zoti mjafton!
“Kemi nevojë t’i lutemi Hyjit të na mësojë t’i duam Atë e vëllezërit” theksoi Papa gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan. Ati i Shenjtë përshkroi çastet më të rëndësishme të jetës së Mistikes së madhe të Avilës, që jetoi në shekullin XVI, duke theksuar rëndësinë që kanë meditimi e lutja edhe në jetën e njeriut të kohëve tona.
Të gjithë kemi etje për Zotin, të gjithë në thellësitë e zemrës sonë kemi dëshirë të rrimë me Zotin e të jemi miqtë e tij – vijoi Papa – duke theksuar, më pas, se në shoqërinë tonë, ku shpesh mungojnë vlerat shpirtërore, Shën Tereza e Jezusit na mëson të jemi dëshmitarë të palodhshëm të Zotit, të pranisë, së tij, të hirit të tij, të veprimit të tij:
Shembulli i kësaj shenjtoreje, kundruese e thellë e veprimtare e suksesshme, na shtyn edhe ne ta gjejmë çdo ditë kohën e duhur për t’u lutur (…) Koha e lutjes nuk është kohë e humbur, por kohë për të hapur rrugën drejt jetës së vërtetë, kohë për të mësuar nga Zoti dashurinë e zjarrtë për Të, për Kishën e tij, për bijtë e Tij”.
Papa kujtoi se për shenjtoren spanjolle, reformatore e Urdhërit Karmelitan, të lutesh do të thotë të shkosh për vizitë miqësore te Zoti, i cili të do, të pret me dashuri të pakufishme. Prandaj vuri theksin mbi pikat themelore të përshpirtërisë tereziane:
“Në radhë të parë Shën Tereza propozon virtytet ungjillore, si bazë e gjithë jetës së krishterë e njerëzore: posaçërisht, shkëputjen nga pasuritë dhe varfërinë ungjillore; dashurinë për njëri-tjetrin, si element themelor i jetës në bashkësi e në shoqëri; përvujtërinë, si dashuri për të vërtetën; vendosmërinë, si fryt i guximit të krishterë; shpresën teologale, të cilën e përshkruan si etje e pashuar për ujin e gjallë”.
Por, në sa radhit virtytet hyjnore, Shën Tereza nuk i harron as virtytet njerëzore: përzemërsinë, çiltërsinë, modestinë, mirësjelljen, gjallërinë, kulturën. Papa kujtoi, më pas, edhe veprën më të famshme të Shën Terezës, me titull “Kështjella shpirtërore”, në të cilën përshkruan udhën e shpirtit të saj e, njëkohësisht, kodifikon mundësitë e zhvillimit të jetës së krishterë drejt përsosurisë. Prej këndej Papa shpjegoi ç’kuptim kishte lutja për Terezën e Avilës:
“Lutja është jetë, që ecën krah për krah me jetën e krishterë: nis nga urata e shqiptuar me zë të lartë, për të kaluar, përmes rrugëve të shpirtit, në meditim e në përqëndrim të thellë, deri sa arrin në bashkim dashurie me Krishtin e me të Shenjtnueshmen Trini”.
Benedikti XVI kujtoi edhe miqësinë ndërmjet mistikes e Shën Gjonit të Kryqit, me të cilin arriti të themelonte kuvendin e parë të karmelitanëve të zbathur. Foli edhe për veprën e Shën Terezës, titulluar “Libri i jetës”, në të cilin ia nënshtron shpirtin gjykimit të “Mësuesit të jetës shpirtërore”, Shën Gjonit të Avilës:
“Qëllimi është të vërë në dukje praninë e veprimin e Hyjit të mëshirshëm në jetën e saj: për këtë arsye vepra shpesh ka formën e dialogut me Zotin, në lutje. Leximi i kësaj vepre të rrëmben, sepse rrëfimi është aq i fuqishëm, sa të bën ta rijetosh përvojën e thellë të lidhjes së saj me Zotin”.
Së fundi Ati i Shenjtë kujtoi temat më të dashura për Shën Terezën: ajo pati në qendër të vëmendjes Krishtin Zot e njeri dhe dashurinë për Kishën:
“Shën Tereza e deshi Kishën me dashuri pa asnjë kusht; ajo dëshmoi një “sensus Ecclesiae” të vërtetë, të cilin nuk e cënuan aspak përçarjet e konfliktet në jetën e Kishës së kohës, kur jetoi. Edhe Urdhërin Karmelitan e reformoi me qëllim që t’i shërbente më mirë “Kishës Shenjte Katolike Romake”, gjithnjë e gatshme të jepte për të, edhe jetën”.
Audienca e përgjithshme pati edhe një çast tejet të këndshëm, jashtë programi, në sa Papa përshëndeste në gjuhën angleze. Një fëmijë kapërceu parmakun dhe iu afrua Atit të Shenjtë, me të cilin shkëmbeu disa fjalë, para se ta shoqëronin përsëri në vendin e vet.
Në përfundim të audiencës, Benedikti XVI përshëndeti imzot Vinçenco Palia-n dhe prelatët e tjerë, miq të Bashkësisë së Shën Egjidit, e cila nesër do të kremtojë 43 vjetorin e themelimit.
Ndërmjet tyre, kryeipeshkvi i Tivarit, imzot Zef Gashi dhe ipeshkvi i Sapës, imzot Lucian Avgustini.









All the contents on this site are copyrighted ©.