2011-02-02 17:54:17

Nuk ndalet protesta në Egjipt. Tension në vende të tjera arabe


(02.02.2011 RV)Në Egjipt pezullohet aktiviteti i parlamentit derisa gjykatat të japin vendimin mbi rezultatet e zgjedhjeve legjislative të nëntorit, të cilat opozita i konsideron të manipuluara. Ndërkaq, vazhdojnë kudo protestat. Sipas burimeve lokale, ka ndeshje ndërmjet përkrahësve të presidentit Hosni Mubarak dhe kundërshtarëve të tij. Televizioni arab “Al Zhazira” flet për të vrarë e të plagosur. Partia kryesore e opozitës, “Vëllezërit myslimanë” qetësoi, të paktën me fjalë, botën perëndimore, duke sqaruar se nuk ka ndërmend të krijojë ndonjë “emirat islamik” në Egjipt dhe se të krishterët koptë do të kenë edhe në të ardhmen, të njëjtat të drejta si myslimanët e qytetarët egjiptianë në përgjithësi.
Nga Egjipti, Tunizia dhe Algjeria, vala e protestave po përhapet në Jordani, Marok, Jemen dhe Siri. Mbreti Abdallah i Jordanisë pranoi dorëheqjen e kryeministrit. Në Jemen, presidenti aktual Ali Abdulla Saleh deklaroi se, ashtu si egjiptiani Mubarak, nuk do të kandidohet në zgjedhjet e ardhshme. Në Siri, njerëzit po lënë takim përmes internetit, për të protestuar të premten, pas lutjes islamike.







All the contents on this site are copyrighted ©.